“Po kryhen aksione kriminale”, zbardhen prapaskenat e skenarit serb për veriun: Ky duhet të jetë ‘alarm’ për Amerikën dhe BE-në!

Politika

“Po kryhen aksione kriminale”, zbardhen prapaskenat e skenarit serb për veriun: Ky duhet të jetë ‘alarm’ për Amerikën dhe BE-në!

Nga: A.M. Më: 1 gusht 2023 Në ora: 15:58
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Raportet Kosovë-Serbi vazhdojnë të jenë në një pikë të lartë tensionimi.

Faktin se situata nuk është e mirë, e konfirmoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ditë më parë paralajmëroi se situata në veri të Kosovës mund të eskalojë sërish.

“Ajo çfarë na brengosë neve tash, më shumë sesa de-eskalimi, është potenciali i rieskalimit. Veçse rieskalimi nuk varet prej neve. Ju e keni garant Qeverinë e Republikës së Kosovës, organet tona shtetërore, mua si kryeministër që me asgjë, ama bash asgjë, asnjëherë, askund nuk kontribuojmë për eskalim”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot” paralajmëroi veprime të reja nga shteti serb dhe grupet kriminale serbe në veri.

Fillimisht, ai kërkoi nga Kosova të tregohet e kujdesshme në raport me Serbinë dhe ndërhyrjet e saj.

“Klika neo shoviniste e Beogradit e ka përgatitur terrenin që në katër komunat e Kosovës veriore të vazhdohet me aksione nacional-terroriste. Grabitja e policëve të Republikës së Kosovës brenda territorit tonë, bllokadat që i bënë dhe grupet kriminale e terroriste serbe të organizuara, dërgojnë në aksione terroriste.

Sipas normave mbi të cilat janë ndërtuar shtetet është e ndaluar çdo veprimtari e shtetit serb në Republikën e Kosovës. Ajo është ndërhyrje në punët e brendshme dhe akt terrorist. Veprimet e Serbisë në Kosovë janë të dënueshme. Aktet terroriste luftohen ashpër. Në gjendjen që po kalon Kosova në raport me shtetin kriminal serb kërkohet syçeltësi dhe përkujdesje e jashtëzakonshme”, deklaroi juristi.

Image
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi

Krahas kësaj, Kelmendi, potencoi se nuk ka qetësi për Kosovën derisa grupet kriminale serbe veprojnë në veri, derisa kritikoi qasjen e ndërkombëtarëve ndaj Vuçiqit.

“Organet e rendit kërkohet të jenë në lartësi maksimale. Prej tyre varen kufijtë e shtetit. Nuk ka qetësi për asnjë organ, derisa veprojnë grupet kriminale dhe terroriste në veri të Kosovës, ndoshta edhe ne brendi! Duhet të ketë edhe përgjegjësi politike të kompetentëve!

Serbia mendon se e ka momentin e duhur për të shkuar nga shkatërrimi i Republikës së Kosovës. Dënimi i veprimeve në veri të policisë speciale dhe mos tërheqja e të gjithëve nga komunat, ka krijuar terren, ku Kosova është dënuar dhe po vazhdon ashtu.

Nga SHBA dhe UE, nuk u dënuan grupet kriminale serbe në veri dhe nuk u kritikua Serbia për faktin, se pikërisht ky shtet i ka organizuar, i ka armatosur dhe i udhëhequr në aksione terroriste.

Nga Serbia nuk u kërkuan masa për t’i ndalur veprimet e tilla të rrezikshme. Kjo i dha forcë shtetin serb. Perëndimi mendon se te krimineli i luftës Vuçiq, i përkrahur  nga disa shtete domethënëse në Evropë e  SHBA, qëndron forca për paqe në Ballkan”, nënvizoi ai.

Më tej, juristi tha se qasja e BE-së dhe ShBA-së është e gabuar, ku në të njëjtën kohë paralajmëroi tensionim dhe eskalim të situatës në veri.

“Ky është qëndrim i gabuar. Kriminelëve dhe terroristëve nuk u besohet. Ata arrestohen dhe nga gjykatat dënohen. Kështu nuk u bë me rastin e Kosovës. Tash këta kriminelë të udhëhequr nga kryekrimineli Vuçiq kanë marrë forcë.

Në veri të Kosovës po kryejnë aksione kriminale, ndërsa nga shteti serb u bënë përgatitjet për aktet tjera terroriste.  Në veri të Kosovës priten aksione të gjera terroriste. Do të kemi bllokime të rrugëve dhe të objekteve të shtetit. Organet e shtetit do të sulmohen me armë dhe me mjete shpërthyese. Nuk do të mbeten pa u shkaktuar  as dëme materiale”, shpjegoi Kelmendi.

Ndër të tjera, ai shtoi se kërcënimet nga shteti serb duhet të jenë alarm për ndërkombëtarët, pasi nëse nuk veprojnë menjëherë, mund të bëhet vonë më pas.

“Paqja, liria dhe barazia nuk rrezikohet nga Kosova, por nga Serbia. Ky duhet të jetë alarm për BE-në dhe për SHBA-të.

Kuptohet se aleatë për paqe dhe liri e barazi nuk bëhen kriminelët si Vuçiq. Me atë vetëm forcohen terroristët. Sa më parë që nxirret ky qëndrim, aq më mirë për paqen. Klikës hegjemoniste serbo - ruse duhet ndalur hovi tash.  Përndryshe, mund të bëhet vonë”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat