Udhëzimi administrativ për zgjedhjet në veri, a rrezikohet të përsëritet situata e njëjtë? Këto hapa duhet t’i ndjek Kosova

Politika

Udhëzimi administrativ për zgjedhjet në veri, a rrezikohet të përsëritet situata e njëjtë? Këto hapa duhet t’i ndjek Kosova

Nga: Qendresa Rexhaj Më: 2 gusht 2023 Në ora: 17:20
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës i ka filluar procedurat ligjore për largimin e kryetarëve të zgjedhur në katër komunat në veri të vendit.

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka nisur përgatitjen e procedurave që do të mundësonin largimin e kryetarëve nga komunat veriore.

Kjo ministri, tashmë ka caktuar grupin punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ, për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.

Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri, Elbert Krasniqi, ky grup duhet ta finalizojë projekt udhëzimin administrativ deri me 1 shtator 2023.

Njohësit dhe analistët kanë mendime të ndryshme rreth mënyrës së organizmit të këtyre zgjedhjeve.

Image
Mazllum Braliu

Baraliu: Dorëheqja e kryetarëve është hapi i parë i domosdoshëm

Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, thotë se mënyra e vetme dhe më e drejta për mbajtjen e zgjedhjeve në veri do të ishte që kryetarët aktual në katër komunat në atë pjesë të Kosovës të dorëzojnë mandatet e tyre. Po ashtu, si opsion tjetër ai e sheh edhe modelin tjetër me 20%.

“Procedurat ligjore janë të qarta për të pasur hapësirë që të shpallën në radhë të parë, në këtë rast në afatet ligjore dhe kushtetuese nga Presidentja. Dorëheqja e kryetarëve është hapi i parë i domosdoshëm, ose të zbatohet modeli tjetër me 20%, kjo është parakusht kryesor që të ketë mundësi që mandej të filloj rrjedhja e afateve dhe pastaj edhe KQZ edhe Presidentja edhe institucionet tjera t’i kryejnë punët e tyre”, deklaron ai për Bota sot.

Sadiku: Pa marrëveshje rrezikohet pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje

Ndërsa, analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë se nëse nuk ka marrëveshje me ndërkombëtarët, lidhur me shkarkimin e kryetareve përmes peticionit, rrezikohet pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të komunitetit serb në Veriun e Kosovës.

Image
Arbnor Sadiku

“Po nëse s'ka marrëveshje politike me ndërkombëtarët nga Qeveria e Kosovës, lidhur me shkarkimin e kryetareve përmes peticionit, rrjedhimisht rrezikohet edhe pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të komunitetit serb në Veriun e Kosovës”, thotë ai për Botasot.

Ndërsa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është shprehur i gatshëm të organizojnë zgjedhjet e reja në komunat në veri të Kosovës, kurdo që i kërkohet nga institucionet përgjegjëse.

Kështu ka deklaruar të mërkurën zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.

Sipas tij, KQZ-ja si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen.

Prandaj, Elezi ka thënë se do të merret me të gjitha fazat e organizmit e implementimit të planit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen. Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”, në një deklaratë për mediet vendore.

Ndërkaq, në Bashkimin Evropian kanë kërkuar nga pala kosovare të ndërmarrë hapa për shpalljen e zgjedhjeve sa më shpejt që të jetë e mundur në veri, por pa përmendur mundësitë e largimit të masave ndëshkuese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat