Deklarata e Haradinajt/ Analistët: Opozita mos të bëjë shumë kalkulime politike, VV nuk është e korruptuar sa AAK

Politika

Deklarata e Haradinajt/ Analistët: Opozita mos të bëjë shumë kalkulime politike, VV nuk është e korruptuar sa AAK

Nga: Qëndresa Rexhaj Më: 3 gusht 2023 Në ora: 19:23
Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Deklarata e zyrtarit të AAK-së, Daut Haradinaj, i cili ka paralajmëruar arrestime të zyrtarëve nivelit të lartë në Qeverinë Kurti, ka nxitur reagime të mëdha.

Haradinaj pa përmendur rast specifik se për çfarë bëhet fjalë, tha se posedojnë dokumente të cilat do t’ia ofrojnë Prokurorisë në ditët në vazhdim.

Nga ana tjetër, analistët vlerësojnë se çdo person i cili pretendon se ka fakte duhet t’i paraqes në prokurori.

“VV nuk është e korruptuar sa AAK”

Analisti politik, Blerim Burjani, vlerëson se as Vetëvendosje nuk është më e korruptuar se AAK.

Image
Analisti politik, Blerim Burjani

Sipas tij, prokuroria deri më sot nuk ka arrestuar “peshqit” e mëdhenj e të vegjël të AAK-së e PDK-së. Ndërkaq, thekson se partitë e tilla janë kriminalizuar për 20 vjet me radhë dhe kanë mbetur të pandëshkuar nga organet e rendit.

“Edhe partitë tjera edhe AAK e PDK janë parti përgjegjëse për korrupsionin e lartë. Përplot njerëz dhe urdhërdhënës për vjedhje të pasurive publike apo parave dhe milionave të qytetarëve. Deri më tash as këto parti me përplot njerëz që kanë shkaktuar vepra penale të shumta, nuk janë arrestuar. 20 vjet vjedhje, nepotizëm, bartjen e pronave dhe të parave të vjedhura nga buxheti tek bashkëpartiakët. Pra VV nuk është e korruptuar sa AAK, edhe në këtë qeveri ka nepotizëm dhe punësim partiak, prokuroria kurrë deri më sot nuk ka arrestuar peshqit e mëdhenj e të vegjël të AAK, PDK. Partitë e tilla janë kriminalizuar për 20 vjet me radhë dhe kanë mbetur të pandëshkuar nga organet e rendit”, deklaron ai.

“Për Kosovën është shumë me rëndësi që partitë politike opozitare mos të bëjnë shumë kalkulime politike”

Nga ana tjetër, analisti politik, Visar Xani, potencon se për Kosovën është mirë që partitë politike opozitare mos të bëjnë shumë kalkulime politike, por nëse kanë fakte t’i dorëzojnë në prokurori.

Image
Analisti politik, Visar Xani

“E rëndësishme është që të funksionoj shteti ligjorë dhe çdo person i cili pretendon që ka fakte t’i paraqes në prokurori, pa kalkuluar shumë politikisht. Por, për të mirën e vendit dhe mbizotërimit të një shteti ligjor ku mbizotëron drejtësia dhe ka vlera demokracia dhe pluralizmi politik. Prandaj për Kosovën është shumë me rëndësi që partitë politike opozitare mos të bëjnë shumë kalkulime politike, por nëse kanë fakti t’i dorëzojnë në prokurori dhe pastaj prokuroria të bëjë vlerësimin nëse ka vepër për të cilën mund të arrestohet dikush apo janë vetëm pretendime politike”, thotë ai

Ndryshe, Daut Haradinaj dje ka paralajmëruar arrestime të zyrtarëve të nivelit të lartë në Qeverinë Kurti. Madje ai përmendi edhe informacione tjera lidhur me publikimin e fundit të përgjimeve në ministrinë e Rozeta Hajdarit, për çka thotë se në këtë rast janë të implikuar edhe emra tjerë zyrtarësh.

“Edhe ne në kohë do t’i marrim materialet e do të ja ofrojmë Prokurorisë. Do të jeni dëshmitarë që në ditët në vijim do të ketë arrestime edhe në nivelin e lartë në ekzekutiv, siç patë zyrtarë të lartë në Mitrovicë, drejtorin e KEK-ut, afera e Berishajt dhe e Rozeta Hajdarit. Për çka unë kam informacione, që janë më shumë se pesë zyrtarë të lartë të implikuar, disa janë edhe zv/ministra të cilët janë me aktakuzë të gatshëm, e që pritet momenti i zbatimit”, tha Haradinaj.

“S’ka në Kosovë njerëz të paprekshëm. Të gjithë duhet me ditë që sot janë në pushtet, nesër s’janë. Të gjithë do të përballen me drejtësinë, sidomos ata që janë të inplikuar me krimë e korrupsion. Dhe s’do të heqim dorë, njësoj si kanë bërë këta (VV)”, tha tutje ai.

Po ashtu theksoi se pavarësisht vërejtjeve ndaj Klan Kosovës, institucionet do të duhej të kenë kujdes, e të mos përsëritet historia e Z-Mobile e cila përfundoi në Arbitrazh dhe si dëmshpërblim Kosova i dha rreth 30 milionë euro kësaj kompanie për shkak të ndërprerjes së kontratës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat