Zgjedhjet e reja në veri dhe sanksionet e BE-së, zbardhen prapaskenat – ja çfarë e pret Kosovën dhe qeverinë Kurti

Politika

Zgjedhjet e reja në veri dhe sanksionet e BE-së, zbardhen prapaskenat – ja çfarë e pret Kosovën dhe qeverinë Kurti

Arife Morina Nga Arife Morina Më 4 gusht 2023 Në ora: 08:05
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës tashmë është duke bërë hapa konkret drejt shpalljes së datës së zgjedhjeve të reja në 4 komunat veriore.

Mbajtja e zgjedhjeve po flitet si mundësi pas presionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Në këto komuna për pesë ditë me radhë kanë protestuar grupe të qytetarëve serbë duke kundërshtuar kryetarët shqiptarë atje. Këto protesta më 29 maj u shndërruan në përleshje të dhunshme me pjesëtarë të misionit të NATO-s, KFOR, ku mbetën të lënduar dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it, por edhe protestues.

Për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, raportohet se ka një pajtim ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit Albin Kurti.

Bazuar në këtë, pra në mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, rrjedhimisht mund të shpresohet se Bashkimi Evropian (BE) edhe mund t’i largojë sanksionet e vendosura ndaj vendit tonë.

Mirëpo, sa ka mundësi që BE të marrë një vendim të tillë, mbetet të shihet në vazhdim.

Mehazi: Zgjedhjet e reja në katër komunat e veriut do jenë të dobishme për vetë Kosovën e qeverinë e saj

Image
Sulejman Mehazi

E në lidhje me këtë temë për “Bota sot” foli profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi.

Ai mbështeti vendimin e qeverisë për zgjedhje të reja në veri të Kosovës.

Kjo, sipas tij, kjo bazohet në paqe dhe ofrimin e sigurisë për qytetarët në komunat veriore.

“Është normale dhe shumë e logjikshme që qeveria e Kosovës për hirë të paqes të ripërsërisë edhe njëherë zgjedhje lokale në katër komunat e veriut me shumicë serbe, vetëm për të bindur fuqishëm BE-në e SHBA-në se nëse dikush e do e është për paqë në mes Kosovës dhe Serbisë, ai është Albin Kurti tog me qeverinë e tij”, tha profesori.

Mehazi, zgjedhjet i konsideron si të dobishmë për Kosovën, në mënyrë që t’ia vërtetojë BE-së se shkak i trazirave janë bandat serbe dhe jo qeveria Kurti.

Zgjedhjet e reja në katër komunat e veriut do jenë të dobishme për vetë Kosovën e qeverinë e saj për të arsyetuar e argumentuar dhe më shumë BE-në se shkak i trazirave në veri të Kosovës nuk është qeveria e Kosovës, por bandat krimele të presidentit të Serbisë, Vuçiqit, i cili është e keqja më e madhe jo vetëm e Kosovës, por edhe të shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi ai.

Në fund, profesori tha se Kurti do ta bind BE-në se sanksionet e vendosura ndaj Kosovës janë të gabueshme, dhe me mbajtjen e zgjedhjeve në veri ato duhen larguar.

“Më pas kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me zgjedhjet e reja në katër komunat e veriut do bind BE-në për gabimet sanksionuese ndaj Kosovës dhe se me zgjedhjet e reja komunale që do përsëriten në veri jo që BE-ja do duhej të largonte saksionet ndaj Kosovës, por të vepronin të kundërtën të saksiononin rëndë Serbinë, themi kështu për shkak se rrethanat e dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës japin shenja se qytetarët serbë në veri përsëri do bojkotojnë zgjedhjet lokale në këto komuna të veriut dhe se do jetë e njëjta situatë në veri të vendit”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Elezaj: Mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri është çështje urgjente për qeverinë e Kosovës

Kurse, edhe opinionisti Rexhep Elezaj kishte disa fjalë për këtë temë.

Image
Rexhep Elezaj

Së pari, ai mirëpriti vendimi e qeverisë Kurti për ndërmarrjen e hapave konkrejt për shtensionim të situatës, më saktësisht për planifikimin e shpalljes së zgjedhjeve të reja në komunat veriore.

Po, qeveria e Kosovës, më në fund, pas 3 kërkesave të BE-së për sh’ tensionimin e situatës në veri, ka filluar të ndërmerr hapa konkret drejtë shpalljes së zgjedhjeve të reja në 4 komunat në veri, gjë të cilën është dashur ta bënte menjëherë dhe pa humbur kohë rreth gjetjes së modalitetit të procedurave për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja, ngase doli në shesh fakti, se zgjedhjet e 23 prillit, edhe pse ishin legale, ato nuk ishin legjitime për shkak të mos daljes së serbëve lokalë në ato zgjedhje. Pra, nuk kishte kurrfarë kuptimi politik dhe juridik që tre kryetarët e zgjedhur shqiptarë me numër minimal të votave të udhëhiqnin me 4 komuna, ku shumicën e qytetarëve e përbënin serbët, të cilët kurrë nuk i kanë njohur organet dhe institucionet legjitime të Republikës së Kosovës, fakt të cilin është dashur ta kishte parasysh qeveria e Kosovës para se t’i mbante zgjedhjet e 23 prillit, qoftë edhe me kushtin që t’i shtyjë edhe njëherë, kur Lista serbe paraprakisht kishte deklaruar, se serbët në veri nuk do marrin pjesë në ato zgjedhje..!?”, deklaroi opinionisti për “Bota sot”.

Krahas kësaj, Elezaj komentoi se si u tensionua situata, nga zgjedhja e kryetarëve shqiptarë e deri te sulmi i bandave kriminale ndaj ushtarëve të KFOR-it.

Prandaj, si pasojë erdhi deri tek tensionimi i situatës së sigurisë në veri, meqë dihej qartë se serbët nuk do t’i pranojnë rezultatet e atyre zgjedhjeve, të cilët pas dërgimit me polici në tri komunat në veri të kryetarëve shqiptarë, ata e gjetën rastin e volitshëm që të protestojnë, gjegjësisht që Kosovën ta destabilizojnë si shtet, ashtu siç edhe ndodhi në Zveçan konflikti mes kriminelëve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it, ku u lënduan mbi 40 ushtarë italian dhe hungarez.

Hezitimi i qeverisë së Kosovës që t’i pranojë 3 kërkesat e BE-së, si dhe mos koordinimi me miqtë amerikan dhe anglez, mendoj se nuk i ka sjellë fare dobi Kosovës, përveç se një qëndrim i tillë i ka acaruar pa nevojë marrëdhëniet e Kosovës me faktorët kryesorët ndërkombëtarë, për shkak të cilit qëndrim, SHBA-të dhe BE-ja i vunë masa ndëshkuese qeverisë së Kosovës, të cilat kanë mundur lehtë të evitohen, posikur të mos dërgoheshin me polici 3 kryetarët e zgjedhur shqiptarë në objektet e atyre komunave”, theksoi ai.

Tutje, opinionisti potencoi se Kosova nuk ka përfituar politikisht pas krijimit të këtyre tensioneve, derisa tha se ky konflikt do të zgjas derisa serbët lokalë dhe partitë e tyre politike ta njohin Kosovën.

E gjithë kjo zallamahi dhe tensionim i situatës në veri gjatë 3 muajve të kaluar, shikuar realisht, vendit tonë nuk i ka sjellë ndonjë përfitim politik në planin e brendshme dhe as atë të jashtëm, kur dihet fakti se përveç veprimit të forcave policore të Kosovës në atë pjesë të shtetit tonë, as për së afërmi nuk është bërë shtrirja e sovranitetit juridik dhe shtetëror i Kosovës atje, dhe ky konflikt do të zgjas derisa serbët lokalë dhe partitë e tyre politike ta njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran në tërë veriun e saj.

Pra, derisa nuk hiqen barrikadat në urën e Ibrit, derisa komuniteti serb në atë pjesë të Kosovës nuk e pranon faktin se janë qytetarë të Kosovës shtet i pavarur, për derisa jeta politike dhe sistemi kushtetues i Kosovës të mos pranohet si realitet në veri, në të cilin ata pranojnë të jetojnë në mënyrë normale bashkë me fqinjët e tyre shqiptarë, etj., është gati absurde të flitet se në veri të Kosovës është shtrirë i plotë sovraniteti dhe rendi kushtetues i Republikës së Kosovës”, nënvizoi Elezaj.

Ndër të tjera, ai e vlerësoi si urgjente mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, pasi sipas tij, kjo gjë do ishte në dobi të Kosovës.

E sa i përket sanksioneve, beson se ato do i largojë BE, posa të plotësohen kërkësat e tyre drejtuar qeverisë sonë.

Prandaj, mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri është çështje urgjente për qeverinë e Kosovës, mbajtja sa më para e të cilave do jetë në dobi të Kosovës, natyrisht me pjesëmarrjen e plotë të serbëve lokalë në veri, ku kryetarët e 4 komunave në të ardhmen do zgjidhen nga radhët e këtij komuniteti shumicë, dhe ky hap do të ishte në harmoni të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, me të cilën entiteteve pakicë, siç janë serbët në veri, u sigurohet pjesëmarrje e plotë në udhëheqje dhe organizim të jetës së qytetarëve në komunat ku ata janë shumicë.

Kushtëzimi i mbajtjes së zgjedhjeve lokale për 4 komunat në veri, me kërkesën për heqjen e sanksioneve nga ana e BE-së, ishte padyshim kërkesë naive, ngase ato i janë vënë qeverisë së Kosovës me qëllim që ajo të “vetëdijësohet” për ta sh’ tensionuar situatën në veri, e jo që ato t’i hiqen para se tri kërkesat e BE-së të plotësohen nga ana e qeverisë së Kosovës. Ndaj, së pari plotësimi i kërkesave në fjalë, pastaj heqja e masave ndëshkuese nga ana e BE-së”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat