Shqetësuese për Kosovën milionat e Serbisë për lobim në SHBA – Qeveria Kurti t’i kundërpërgjigjet në këtë mënyrë!

Politika

Shqetësuese për Kosovën milionat e Serbisë për lobim në SHBA – Qeveria Kurti t’i kundërpërgjigjet në këtë mënyrë!

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 4 gusht 2023 Në ora: 15:01
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Serbia ka intensifikon lobimin e saj në perëndim, konkretisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tash e tutje, promovimi dhe shpjegimi i iniciativave të ndryshme politike të Qeverisë së Serbisë, është obligim i kompanisë amerikane, PR KARV Communications. Kështu, kjo është kontrata e dytë që shtetit serb e ka nënshkruar me qëllim të lobimit tek akterët ndërkombëtar.

E sipas ekspertëve dhe njohësve të çështjeve të sigurisë, me këtë Serbia po mundohet që ta fshijë të kaluarën e saj kriminale.

Krejt këtë, sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, Serbia synon ta bëjë përmes investimit të miliona eurove e dollarëve amerikanë.

“Ka vite që Serbia lobon dhe harxhon miliona dollar amerikanë për të përmirësuar imazhin dhe pozitën e saj në opinionin publik e sidomos në kancelaritë perëndimore. Beogradi e di se gjenocidi në Bosnjë-Hercegovinë dhe ai në Kosovë janë njolla turpi që nuk mund t’i shlyejë aq lehtë. Prandaj po lobon për të krijuar një imazh të ri, një imazh natyrisht të rremë, të paqenë, të sajuar. Dhe krijimi i imazhit të rremë fals në epokën e sotme të digjitalizimit dhe teknologjive të zhvilluara nuk është i vështirë. Vetëm se kërkon investim, kryesisht para”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Milionat e Serbisë

“Në SHBA gjithkush është i lirë të lobojë, të marrë shuma të mëdha e stërmëdha për lobim, mjafton të paguajë taksa. Kjo është një nga mënyrat e tërheqjes së kapitalit nga jashtë brenda Amerikës. Ligji amerikan nuk ka pasur parasysh nëse Serbia duhet përjashtuar apo duhet pranuar për lobim. Dhe nuk mund ta bënte këtë. Ndërkaq njerëzit pro-interesave të Serbisë janë kontigjenti kryesor i këtij lobimi. Ne e dimë se si jo pak diplomatë, autorë librash dhe studiues të shquar, madje dhe ndonjë politikan amerikan ishin kundër bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë në pranverën e vitit 1999”, shton Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, ky kontigjent është zmadhuar dhe zgjeruar tashmë.

“Kjo dihet. Pra, derisa ligji amerikan e lejon Serbinë dhe çdo vend tjetër të lobojë, për këtë duhen dy mjete: Paraja që investohet dhe burimet njerëzore. Serbia kësaj radhe ka pajtuar me kontratë lobimi kompaninë amerikane PR KARV Communications, e cila do të paguhet me 60 mijë dollarë në muaj. Kjo është ajo që shohim. Por ne nuk e dimë se sa marrin ata që angazhohen në këtë kompani. Ne dimë vetëm faktin se diplomatë amerikanë si Metju Palmer dhe Richard Grenell janë angazhuar në kompanitë amerikane që lobojnë për Serbinë. Ky është paradoksi: - Diplomatët amerikanë të ngarkuar për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, përfundojnë në listën e pagave të Beogradit për të lobuar për palën serbe”, thekson Bytyçi.

Ai thotë se ky është një fenomen shqetësues edhe për Kosovën.

“Kjo nuk duhej të ndodhte e nuk duhet të ndodhë. Megjithatë kjo është çështje e ligjit amerikan, nuk është në vullnetin e askujt tjetër. Por moralisht kjo e komprementon pozicionin e ndërmjetësuesve amerikanë në dialogun midis Kosovës e Serbisë. Sepse pala e dëmtuar, në këtë rast Kosova, ka të drejtë të mos besojë plotësisht edhe te pasardhësit e Palmer dhe Grennell. Mos ndoshta dhe këta pas misionit që kanë marrë do të përfundojnë te kompania amerikane që lobon për Serbinë?!”, deklaron Bytyçi.

Më tej, Bytyçi shprehet se Serbia është vend që komprometon politikanë, diplomatë e madje për interesat rrenën e konsideron patriotizëm.

“Nëse Beogradi do të lobonte për investime amerikane, për imazhin e vendit në kufijtë realë aktualë dhe ky lobim nuk do të adresohej kundër Kosovës, madje dhe kundër Malit të Zi, BH dhe Maqedonisë së Veriut, atëherë gjithçka do të konsiderohej normale. Por lobim për të zgjeruar territore?! Lobim për të fituar të drejtën për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor?! Lobim për të shkatërruar shtetin e Bosnjë-Hercegovinës?! Ose atë të Malit të Zi?! Lobim në kushtet e lidhjeve shumë të ngushta me Rusinë?! Apo dhe lobim në kushtet kur presidenti serb kërcënon çdo ditë Kosovën dhe rajonin me konflikt të armatosur?!”.

“Të gjitha këto besoj se bien në kundërshtim me parimet e lirisë, të demokracisë, paqes dhe sigurisë amerikane. Për pasojë duhet të besojmë se lobimi serb në SHBA është interes i armiqve të SHBA-së dhe Europës. Nuk është interes amerikan. As europian. Megjithatë ligji lejon diçka të tillë. Ligji i lejon edhe diplomatët e politikanët e këtij vendi të vihen në shërbim të këtij lobimi”, nënvizon Bytyçi.

Ai thotë se mbetet që edhe shqiptarët, sidomos Kosova, të lobojnë shumë më tepër sesa Serbia.

“Diaspora shqiptare pas luftës në Kosovë sikur është e demoralizuar, e shpërndarë dhe e përçarë. Ne shqiptarët jemi të aftë të bashkohemi në fatkeqësi e të ndahemi dhe përçahemi në liri, duke risjellë kundër vetes fatkeqësinë e radhës. Më duket se në këtë periudhë po bëjmë pikërisht këtë gjë. Rrimë indiferentë dhe madje ndihmojmë politikat serbe në Kosovë më shumë sesa lobimet serb në SHBA. Në vend që të organizohemi dhe të lobojmë fuqishëm në Uashington dhe qendrat europiane për t’i dhënë fund kësaj situate absurd në raportet Kosovë-Serbi. Riorganizimi dhe kontributi i diasporës është njëra anë. Ana tjetër është angazhimi i qeverive shqiptare. Por në fakt ne kemi vetëm një qeveri shqiptare, atë të Kosovës. Sepse qeveria e Shqipërisë është pro-serbe. Për pasojë edhe në këtë rast lobimi serb në SHB merr avantazh të madh. Megjithatë qeveria Kurti duhet të bëjë të njëjtën gjë, ndoshta dyfish më shumë sesa Beogradi për të lobuar për Kosovën në Uashington dhe në vendet kryesore të BE-së!”, përfundon për “Bota sot”, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi.

Shqetësuese për Kosovën

E analisti politik, Haki Latifi thotë se Serbia e ka ndez arsenalin e saj në të gjitha fushat, duke u përfshi rënë aktivitete lobuese në SHBA kundër Kosovës.

“Ku si rrjedhojë për fat të keq është duke ndikuar edhe rritja e anti-amerikanizmit në trojet shqiptare: Lobimi intensiv i Serbisë në Perëndim dhe përhapja e frymës anti-amerikane nga një grup i caktuar i shqiptarëve. Është shqetësuese, pasiqë ky trend vjen si një befasi e madhe për opinionin publik vendas, por edhe për mbarë komunitetin ndërkombëtar. Ka ardhur koha që institucionet shtetërore të Kosovës të vëjnë në lëvizje të gjithë mekanizmat e saj për të ndalur hovin grupimeve të tilla që lansojnë propagandë kundër amerikane, sepse janë të dëmshme dhe rrezikshme për popullin dhe vendin tonë. Ku dihet se SHBA-të kanë luajtur një rol kyç në çlirimin e Kosovës, shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe ndërtimin e shtetit tonë, dhe po na ndihmojnë fuqimisht në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe në zhvillimin e ekonomisë dhe demokracisë së Republikës së Kosovës”, deklaron Latifi.

Image
Haki Latifi

“Ndërkaq, lobuesit serb përmes lobimit të tyre të mbështetur nga politika serbe, synojnë mbështetjen nga politikëbërsit Amerikan për të mbajtur këtë qëndrim dhe për të ndikuar në çdo vendim politikë që mund të ndikojë në statusin e Kosovës. Lobi serbo-amerikan vazhdimisht janë duke kërkuar mbështetje diplomatike nga SHBA-të dhe politika Amerikane për të mbrojtur pozicionin e tyre në forumet ndërkombëtare në lidhje me Kosovën”, shton Latifi.

Më tej, Latifi kritikon institucionet e Kosovës, për të cilat thotë se nuk kanë bërë asgjë për të lobuar tek aleatët ndërkombëtarë.

“Për fat të keq punën që e ka bërë ndër vite lobi shqiptar-amerikan në SHBA, ka filluar të zbehet dhe s'mund ta bëjnë të rinjtë shqiptar në SHBA. Pjesa dërmuese e miqve siç ishte Bob Dol, Lantosh etj. ose kanë shkuar në botën tjetër ose janë të lodhur në moshë, kurse shteti i jonë nuk lodhet për të bërë miq të rijnë në SHBA, që për një të afërme mund të humbim edhe simpatinë që e kemi patur nga miqtë amerikan”, thekson Latifi.

Ai thotë se është shqetësuese situata e Kosovës përballë lobimit serb tek ndërkombëtarët.

“Është për keqardhje, ku ne si popull më pro Amerikan mendojmë se nuk na duhet lobimi, duke u thirr në miqësinë e mirë që kemi me SHBA-të, mirëpo, historia po tregon se diplomacia serbe është duke e kopjuar intelegjencën e veprimtarëve shqiptarë të viteve të 90-ta, ku i madh e i vogël ka lobuar dhe kontribuar për Kosovë në çdo mënyrë për të realizuar synimet tona kombëtare. Tani kemi ardhur në një situatë ku, Serbia po fokusohet me lobim në mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të serbëve brenda Kosovës, serbët lobojnë për t’i informuar ligjvënësit amerikan se ‘po ndodhin padrejtësi për komunitetin serb në Kosovë dhe për gjëja lidhjet historike, kulturore dhe fetare që kanë me Kosovën’”.

Për fund, Latifi deklaron së të gjitha këto tentativa të Serbisë, synojnë destabilizimin e Kosovës.

“Të gjitha këto aktivitete lobuese kanë veç një synim; destabilizimin e Kosovës. Serbia vazhdimisht përpiqet të krijoj konfuzion sa ma shumë tek ligjvënësit në SHBA kjo kontratë e dëshmon gjendjen aktuale. Kosova patjetër duhet të jetë më aktive në këtë drejtim dhe duhet një qëndrim më i shpejt dhe më pozitiv i qeverisë aktuale të Kosovës për ti rregulluar mardhënjet me administratën e Presidentit Amerikan z.Biden”.

“Është e rëndësishme që Kosova të ketë një qëndrim të vendosur ndaj këtij fenomeni dhe të shmangim manipulimin nga faktorë të jashtëm. Kjo do të na ndihmojë të kuptojmë rolin pozitiv të SHBA-ve dhe të përqendrohemi në forcimin e marrëdhënieve tona me miqtë dhe aleatët tanë të fortë. Kritika e ashpër ndaj atyre që përhapin frymën anti-amerikane është e nevojshme për të ndaluar përhapjen e ideve të armiqësisë dhe për të promovuar bashkëpunimin dhe dialogun në rajonin tonë dhe në arenën ndërkombëtare”, përfundon analisti politik, Haki Latifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat