Paralajmëroi arrestime të nivelit të lartë, Naim Miftari i reagon ashpër Daut Haradinajt – Ja çfarë i përmend

Politika

Paralajmëroi arrestime të nivelit të lartë, Naim Miftari i reagon ashpër Daut Haradinajt – Ja çfarë i përmend

Nga: N. Shaqiri Më: 4 gusht 2023 Në ora: 16:44
Daut Haradinaj

Daut Haradinaj nga AAK-ja, ka paralajmëruar arrestime të zyrtarëve nivelit të lartë në Qeverinë Kurti.

Haradinaj kështu është shprehur, por nuk ka treguar detaje se për çfarë bëhet fjalë.

Ai ka theksuar se posedojnë dokumente të cilat do t’ia ofrojnë Prokurorisë në ditët në vazhdim, ku përmendi edhe informacione tjera lidhur me publikimin e fundit të përgjigmeve në ministrinë e Rozeta Hajdarit për çka thotë se në këtë rast janë të implikuar edhe emra tjerë zyrtarësh.

Edhe ne në kohë do t’i marrim materialet e do të ja ofrojmë Prokurorisë. Do të jeni dëshmitarë që në ditët në vijim do të ketë arrestime edhe në nivelin e lartë në ekzekutiv, siç patë zyrtarë të lartë në Mitrovicë, drejtorin e KEK-ut, afera e Berishajt dhe e Rozeta Hajdarit. Për çka unë kam informacione, që janë më shumë se pesë zyrtarë të lartë të implikuar, disa janë edhe zv/ministra të cilët janë me aktakuzë të gatshëm, e që pritet momenti i zbatimit. S’ka në Kosovë njerëz të paprekshëm. Të gjithë duhet me ditë që sot janë në pushtet, nesër s’janë. Të gjithë do të përballen me drejtësinë, sidomos ata që janë të inplikuar me krimë e korrupsion. Dhe s’do të heqim dorë, njësoj si kanë bërë këta (VV)”, ka deklaruar Daut Haradinaj.

Kjo deklaratë e tij ka ngjallur reagime të shumta në spektrin politik në Kosovë.

Reagim ndaj tij, bëri edhe ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Miftari i drejtohet Haradinajt me disa pyetje se pse nuk janë dënuar njerëzit që kanë vra dhe ekzekutuar bashkëluftëtarë të UÇK-së.

Ai thotë se ata janë vra pa asnjë gjyq, ndërsa pas lufte i kanë shpallë dëshmorë.

“Shumë mirë, por kur kanë me u dënua ata njerëz që kanë vra dhe ekzekutuar me revole M57/TT 7.62mm ushtarë e bashkëluftëtarë të UÇK-së? Ata janë vra pa asnjë gjyq dhe asnjë arsye, kurse pas luftës i keni shpallë dëshmorë. Ata janë ekzekutuar vetëm pse nuk ia dolën t’i ndalonin tanket dhe autoblindat serbe, bashkëluftëtarë të armatosur vetëm me nga një kallashnikov dhe disa dhjetëra plumba që as ngjyrën e tankeve dhe autoblindave nuk mundeshin me i dëmtua”, thotë Miftari.

Miftari shton se janë vra e pushkatuar ushtarët e FARK-ut.

“Ata janë vra me duar lidhur të marr nga zyra e atij ‘shkollovanit” sot”, shprehet Miftari, i cili nuk jep detaje se kush është ky ‘shkollovani’.

Miftari tutje reagon edhe për korrupsionin e ish qeverive të kaluara të cilat i quan hajna.

Ai përmend edhe pikapin tashmë të famshëm të cilin e kanë paguar 900 mijë euro ish qeveritë.

Kështu ka njoftuar vet zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

“Paramendo një pikap për tre vite është paguar 900 mijë euro. Prap mirë, se me pas pagu ish pushtetarët ndonjë kamion apo autobus, miliona i kishin kushtuar vendit më të varfër dhe më të izoluar në Evropë”, shprehet Miftari.

Ndryshe, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka kërkuar falje pasi ditë më parë në një intervistë televizive ka ngatërruar shifrën me të cilën shteti ka paguar një veturë për mirëmbajtjen e rrugëve.

Ai duke folur për kontratat për mirëmbajtje të rrugëve regjionale e nacionale, të cilat ishin bërë para ardhjes së Qeverisë Kurti në pushtet, ka treguar një rast se si një automjet “Pick-up” ishte paguar 850 mijë euro, e që siç sipas tij është shifër “marramendëse”.

E në një postim në Facebook, Durmishi ka thënë se ky pozicion nuk i kishte kushtuar buxhetit të shtetit 850 mijë euro, por 900 mijë euro.

“Kërkim falje. Para disa ditëve kam deklaruar se një ‘Pick-up’ (automjet) i cili lëvizte në rrugë për të bërë inspektime se ku ka nevojë të intervenohet me kontratën e mirëmbajtjes është paguar në vlerë 850 mijë euro. Në fakt ky pozicion nuk i kishte kushtuar buxhetit të shtetit 850 mijë euro por 900 mijë euro”, ka shkruar ai.

Tutje, zëvendësministri ka thënë se “sulmet që na bëhen vazhdimisht janë edhe për shkak se nuk ka më pozicione të tilla”.

“Nga 57 milion sa ka kushtuar mirëmbajtja në të kaluarën për tri vite ne e kemi zbritur në 30 milion euro. Vazhdojmë dhe nuk ndalemi asnjëherë”, ka përfunduar Durmishi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat