Analisti politik për deklaratën e Haradinajt: Nëse ka prova nuk duhet të hesht, jo të kamuflojë gjëra të paqena

Politika

Analisti politik për deklaratën e Haradinajt: Nëse ka prova nuk duhet të hesht, jo të kamuflojë gjëra të paqena

Nga: Q.R Më: 4 gusht 2023 Në ora: 16:52
Daut Haradinaj

Analisti politik, Hidajet Ahmeti, duke komentuar deklaratën e zyrtarit të AAK-së, Daut Haradinaj, i cili ka paralajmëruar arrestime të zyrtarëve të nivelit të lartë në Qeverinë Kurti, thotë se nëse Haradinaj ka prova nuk duhet të hesht. Por, sipas tij, jo të kamufloj gjëra të paqena për të mbuluar krimin dhe korrupsionin që kanë shkaktuar partitë politike që kanë qeverisë.

Ai në një prononcim për “Bota sot” shton se, nëse dyshimet e Haradinaj vërtetohen si të bazuara, Kurti duhet të marrë vendim mbi largimin e atyre zyrtarëve.

“Në politikë mund të flasësh edhe fraza boshe të cilat nuk kanë përmbajtje objektive. Çdo parti politike, person fizik e juridike nëse ka prova materiale për korrupsion mund t'i bëj publike. Rrjedhimisht t'i dërgoj në institucionet e drejtësisë. Por, duhet ta kemi të qartë që çdo e pavërtetë duhet të ketë përgjegjësi nga personi. Nëse Haradinaj  ka prova për një gjë të tillë nuk duhet të hesht, por jo të kamufloj gjëra të paqena për të mbuluar krimin dhe korrupsionin që kanë shkaktuar partitë politike që kanë qeverisë. Nëse dyshimet vërtetohen si të bazuara, Kurti duhet të marrë vendime mbi largimin e atyre zyrtarëve që bashkëpunojnë me të", thotë ai.

Image
Hidajet Ahmeti

Ndryshe, Daut Haradinaj ka paralajmëruar arrestime të zyrtarëve të nivelit të lartë në Qeverinë Kurti.

Haradinaj pa përmendur rast specifik se për çfarë bëhet fjalë, tha se posedojnë dokumente të cilat do t’ia ofrojnë Prokurorisë në ditët në vazhdim.

Madje ai përmendi edhe informacione tjera lidhur me publikimin e fundit të përgjimeve në ministrinë e Rozeta Hajdarit, për çka ka thënë se në këtë rast janë të implikuar edhe emra tjerë zyrtarësh.

“Edhe ne në kohë do t’i marrim materialet e do të ja ofrojmë Prokurorisë. Do të jeni dëshmitarë që në ditët në vijim do të ketë arrestime edhe në nivelin e lartë në ekzekutiv, siç patë zyrtarë të lartë në Mitrovicë, drejtorin e KEK-ut, afera e Berishajt dhe e Rozeta Hajdarit. Për çka unë kam informacione, që janë më shumë se pesë zyrtarë të lartë të implikuar, disa janë edhe zv/ministra të cilët janë me aktakuzë të gatshëm, e që pritet momenti i zbatimit”, tha Haradinaj.

“S’ka në Kosovë njerëz të paprekshëm. Të gjithë duhet me ditë që sot janë në pushtet, nesër s’janë. Të gjithë do të përballen me drejtësinë, sidomos ata që janë të inplikuar me krimë e korrupsion. Dhe s’do të heqim dorë, njësoj si kanë bërë këta (VV)”, tha tutje ai.

Po ashtu theksoi se pavarësisht vërejtjeve ndaj Klan Kosovës, institucionet do të duhej të kenë kujdes, e të mos përsëritet historia e Z-Mobile e cila përfundoi në Arbitrazh dhe si dëmshpërblim Kosova i dha rreth 30 milionë euro kësaj kompanie për shkak të ndërprerjes së kontratës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat