“Beteja e fituar”/ Kjo taktikë e Kurtit e ‘goditi’ rëndë Vuçiqin – kërkohet të nënshkruhet një marrëveshje me Listën Serbe!

Politika

“Beteja e fituar”/ Kjo taktikë e Kurtit e ‘goditi’ rëndë Vuçiqin – kërkohet të nënshkruhet një marrëveshje me Listën Serbe!

Nga: A.M. Më: 4 gusht 2023 Në ora: 21:56
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri është pikë e marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të arritur më 10 korrik, për shtensionim të situatës në zonën veriore.

E për këtë, Qeveria e Kosovës tashmë është duke bërë hapa konkret drejt shpalljes së zgjedhje të reja.

Bazuar në këtë, mbetet të shihet nëse Bashkimi Evropian (BE) do t’i largojë sanksionet e vendosura ndaj vendit tonë.

Për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.

Fillimisht, ai e vlerësoi si domosdoshmëri mbajtjen e zgjedhjeve në komunat, derisa tregoi dy arsyet për këtë gjë.

“Zhvillimi i zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut të Kosovës është domosdoshmëri. Kjo për disa arsye: Së pari, sepse të zgjedhurit janë legalë, ligjorë, por jo edhe legjitim, për shkak të votuesve të paktë në zgjedhje. Së dyti, sepse është kërkesë e SHBA-ve dhe BE-së. Ato do të bëhen. Dhe ditët e fundit qeveria e Kosovës ka shpallur se kjo do të ndodhë shpejt, ndoshta në shtator, e shumta në fillim të tetorit.

Për t’u realizuar këto zgjedhje do të ishte mirë që ato të kërkohen me peticion nga zgjedhësit. Nëse do ndodhte kjo do të ishte garanci se serbët si shumicë në këto komuna do të marrin pjesë në këto zgjedhje. Sepse për mua ende nuk është e sigurt nëse serbët do të jenë pjesë e procesit. Edhe pse policia po tërhiqet nga godinat e komunave, edhe pse gjykata i liroi të arrestuarit me akuza për dhunë dhe nxitje konflikti në veri, sërishmi Beogradi dhe Lista Srpska bëjnë presion për lëshime që cënojnë sovranitetin e Kosovës në këtë pjesë. Kjo do të thotë se kriza e zgjedhjeve u krijua nga presidenti i Serbisë, me qëllim që të legalizonte sovranitetin serb në këtë territor”, deklaroi profesori.

Image
Profesori Enver Bytyçi.

Gjithashtu, Bytyçi tha se vendimi i Kurtit për zgjedhjet e reja në veri duhet vlerësuar shumë, derisa potencoi se ky rast ishte betejë për sovranitet dhe jo për kryetarë komunalë.

Mirëpo, ai përmendi edhe një çështje që mund të bëhet ‘mollë sherri’ për një konflikt të ri.

“Për këtë arsye duhet çmuar akti i zotit Kurti në këtë betejë. Ishte betejë për sovranitet, jo për konstituimin e kryetarëve. Kush e interpreton si çështje të katër kryetarëve, bën gabim, është idiot ose bën shërbime ndaj Serbisë. A ia arriti qëllimit qeveria, institucionet dhe kryeministri me rezistencën edhe ndaj faktorit euro-amerikan? Unë besoj se në masën më të madhe qëllimi u arrit. Për herë të parë sot në këto komuna ka një kontroll shumë më të plotë të tij sa i përket zbatimit të ligjit. E dëmton bojktoi i serbëve këtë aksion të Kurtit. Por serbët kanë qenë në bojkot gjithë jetën. Vetëm kur u është dhënë kontrolli i territorit ata nuk kanë krijuar konflikt.

Shpallja e zgjedhjeve të reja do të ndodhë ndoshta shpejt. Kjo pas dorëheqjes ose tërheqjes së kryetarëve të komunave. Por a do të japin dorëheqjen edhe anëtarët e këshillave të këtyre komunave?! Nëse anëtarët e këshillit nuk japin dorëheqjen, atëherë zgjedhjet duhen bërë vetëm për kryetarët. Po a do të pranojnë serbët të marrin vendime me anëtarë të këshillave të zgjedhur nga komuniteti shqiptar dhe i minoriteteve të tjera?! Nuk besoj se ata e pranojnë diçka të tillë. Por askush nuk flet për këtë temë, ndërkohë që dorëheqja e anëtarëve të këshillave komunalë mund të bëhet mollë sherri për një konflikt të ri”, theksoi ai.

Tutje, profesori tregoi se çka fitoi Kosova me rezistencën e Kurtit për vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore.

Po ashtu, ai konsideroi se Kurti me taktikën e tij e ka vënë në presion Vuçiqin dhe Listën Serbe.

“Megjithatë shtrohet pyetja? Çfarë fitoi Kosova me këtë rezistencë të zotit Kurti, qeverisë së tij me mbështetjen e moderuar edhe të presidentes Osmani? Unë besoj se ka fituar jo pak. Ambasadori amerikan në Prishtinë u detyrua t’ia tregojë Listës Srpska se ku është kufiri i Kosovës. Po kështu ambasadori gjerman shkoi në një nga zyrat e këtyre komunave dhe vendosi aty hartën e Kosovës me kufijtë aktual. Këto janë simbolika shumë të rëndësishme. Presioni që zhvilloi Kosova, përkatësisht Kurti, Osmani, Konjufca e të tjerë politikanë në qeverisje e dha efektin pozitiv të mundshëm. Ndërkaq policia dhe forca të tjera të sigurisë do të vazhdojnë të kontrollojnë territorin, ndonëse nga komunat ata do të reduktohen e ndoshta do të hiqen.

Kjo taktikë e ve nën presion Beogradin gjithashtu. Tani as Vuçiç, as Lista Srpska nuk kanë më alibi që të injorojnë institucionet e Kosovës. Kurse integrimi i policëve të rinj të komunitetit erb në strukturat e policisë së Kosovës ishte një lëvizje e mrekullueshme për të forcuar besimin se Kosova është një, unike dhe e pandarë. Të gjitha lëvizjet e zotit Kurti në këto kohë, deri te blerja e dronëve Bajraktar, ishin kalkulime të suksesshme. A kishte dobësi dhe gabime? Sigurisht që po. Sidomos në retorikë. Por retorika ikën, kalon, edhe mund të harrohet. Aktet, veprimet, aksionet lenë gjurmë”, nënvizoi Bytyçi.

Ndër të tjera, profesori kërkoi nga Bashkimi Evropian largimin e paralajmërimeve për sanksione.

Derisa, shtoi se qeveria e vendit tonë duhet të kërkojë nga ndërkombëtarët që të nënshkruhet një marrëveshje me Listën Serbe për zgjedhjet e reja.

“Në kushtet kur të shpallen zgjedhjet në katër komuna, atëherë edhe BE do të jetë e detyruar të heqë paralajmërimet për sanskione. Në medie flitet për sanksione. Por nuk ka patur sanksione kundër Kosovës. Ka patur paralajmërime dhe pezullim të përkohshëm të disa fondeve. Ndërkohë unë besoj se do të ketë vende, shtete që do ta shfrytëzojnë këtë rast për ta dëmtuar Kosovën. Me ka lënë një shije shumë të keqe deklarata e ambasadorit francez për këto të ashtuquajtura sanksione. Franca ende, edhe sot pas gati 16 vitesh pavarësi, nuk po e respekton aktin e saj të njohjes së kësaj pavarësie të Kosovës. Më shumë po anon nga qëndrimet e pesë vende që nuk e kanë njohur, sepsa nga qëndrimet e 22 vendeve që e kanë njohur atë.

Megjithatë qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme. Duhet t’i kërkojë BE-së e SHBA-ve që të nënshkruhet një marrëveshje me Listën Srpska para shpalljes së zgjedhjeve. Kosova nuk e ka luksin që të shpallë zgjedhje, më pas t’i shtyjë ato, pastaj të kalojë kriza e konflikte të tjera, pse për të tilla kriza e konflike është i interesuar Serbia dhe presidenti i saj, Aleksandër Vuçiç”, përfundoi profesor Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat