Polarizim i skenës politike mundësi për “luftë civile”: Kurti i vetëm kundër të gjithëve

Politika

Polarizim i skenës politike mundësi për “luftë civile”: Kurti i vetëm kundër të gjithëve

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 5 gusht 2023 Në ora: 08:06
Kryeministri, Albin Kurti

Zhvillimet e fundit në veri kanë ndarë në dysh si ekspertët ndërkombëtarë, ashtu edhe ata në Kosovë, herë duke kritikuar BE-në e ShBA-në për “përkëdhelje” ndaj Serbisë, e tjerë duke kritikuar qeverinë Kurti si përgjegjëse e “trazirave” në veri.

Në anën tjetër, vendimi i ministrisë për ta mbyllur një nga mediat televizive në Kosovë, përveç analistëve i ka ndarë në dysh edhe mediet, disa duke kritikuar qeverinë për vendimin sipas tyre “diktaturial”, e tjerë duke përkrahur atë për “mos ta lejuar as media me licencë në Serbi”.

Një ndarje mendimesh kanë edhe qytetarët, kjo shihet përmes komenteve e intervistave, e kjo ndarje nuk shihet mirë nga analistët politikë që kërkojnë të respektohen argumentet në mënyrë që të mos arrihet deri te “lufta civile”.

Sipas tyre, në Kosovë po bëhet një luftë polarizuese e së keqes së korruptuar në një anë dhe të mirës e drejtësisë qeverisëse.

“Qeveria e Kosovës po sulmohet si nga Serbia, BE-ja, po ashtu edhe nga partitë opozitare”

Image
Sulejman Mehazi

Analisti politik, Sulejman Mehazi, thotë se në Kosovë po bëhet një luftë e ashpër politike e mediatike.

Sipas tij, qeveria po sulmohet përveç nga Serbia e BE-ja edhe nga partitë opozitare.

“Në Kosovë bëhet një luftë e ashpër politike e mediatike si brenda dhe jashtë Kosovës, një luftë polarizuese e së keqes së korruptuar në një anë dhe të mirës e drejtësisë qeverisëse të kryeministrit Kurtit, në anën tjetër, në mes të poshtërve e të korruptuarve politik e mediatik dhe drejtësisë e lirisë së shprehjes brenda kornizave kushtetuese të Kosovës. Vërehet hapur e qartë se Qeveria e Kosovës po sulmohet si nga Serbia, BE-ja, po ashtu edhe nga partitë opozitare e mediat e korruptuara e të devijuara që luftojnë hapur principet kushtetuese të drejtësisë e lirisë së shprehjes vetëm pse kryeministri Albin Kurti ka ngushtuar e frikësuar jo vetëm kriminelët serbë të veriut, por edhe mediat brenda Kosovës që veprojnë kundër ligjeve mediatike të Kosovës, sikurse që është media më e korruptuar pro serbe, Klan Kosova”, shprehet Mehazi.

Sipas tij, Kurtin nuk e do askush dhe ai po lufton i vetmuar kundër të gjithëve që nuk ia duan të mirë Kosovës.

“Kosova me ngjarjet e fundit është bërë arenë teatrosh e dramash të Shekspirit ku të gjithë personazhet e zinj dhe të errëta politike e mediatike janë bërë tog për të mposhtur punën e organeve të drejtësisë së qeverisë së Kosovës në krye me Albin Kurtin. Ne si vëzhgues të ngjarjeve na duket se askush nuk e do Kosovën, përveç Albin Kurtit, dhe se kryeministri i Kosovës para qytetarëve duket si hero i mbrojtjes së drejtësisë e kushtetutës së Kosovës, na duket sikur Albin Kurti ka mbetur i vetmuar e lufton kundër të gjithëve që nuk ia duan të mirën Kosovës. Kjo situatë aktuale mund të tejkalohet vetëm duke mbrojtur drejtësinë që prezanton kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vetëm me respektimin e ligjeve të Kosovës mund të kalohen këto polarizime të marrëzishme që dëmtojnë, gryjnë, e bryejnë themelet e Republikës së përvuajtur të Kosovës. Shkurt e qartë, Kosova mbrohet me Albin Kurtin në krye të qeverisë e jo me Klan Kosova, PDK, LDK e AAK të asociacioneve serbe, të Çakorrave, "Gjakovicave" e "Peçave" mediatike serbe”, shprehet Mehazi.

Zhvillimet e fundit në Kosovë kanë filluar ta “nxisin” opozitën edhe për paralajmërime për zgjedhje të reja, ata kritikojnë qeverinë dhe kërkojnë të përkrahet mocioni për rrëzimin e saj.

“Një gjuhë e tillë më së pakti i konvenon Kosovës”

Në anën tjetër, analisti politik Visar Xani, thotë se ky polarizim i skenës politike nuk i konvenon interesit nacional.

Image
Visar Xani

Sipas tij, në shoqëri nuk është e mirë se ardhur gjuha që nuk mbështetet në argumente, gjuhë akuzuese dhe jo faktuese.

Polarizimi i skajshëm i skenës politike në Kosovë në asnjë mënyrë nuk i konvenon interesit nacional për shkak se ka shumë projekte të rëndësishme dhe të ndjeshme që duhet unitet, duhet gjuhë e besimit dhe argumentuese, prandaj tash për tash duket që mos besimi është në çdo skaj të shoqërisë, ballafaqimi është si me media, po ashtu kemi një gjuhë jo unike dhe jo në bllok edhe të vetë opozitës, prandaj kjo në asnjë mënyrë nuk i konvenon Kosovës, krijon shumë pa siguri, mos besim edhe te qytetarët e Kosovës dhe një gjuhë e tillë është jashtëzakonisht e rrezikshme edhe e gërditshme. Kuptohet që profesionalizimi dhe debatet demokratike janë të mirë se ardhura në shoqëri, por në asnjë mënyrë gjuha që nuk është e mbështetur në argumente, gjuhë e cila është akuzuese dhe jo faktuese dhe një gjuhë e tillë më së pakti i konvenon Kosovës dhe më së shumti i konvenon njerëzve që punojnë kundër Kosovës”, thekson Xani.

Tejkalim të situatës së krijuar në Kosovë, Xani e sheh respektimin e mendimit ndryshe, respektimin e argumentit dhe ballafaqimin profesional.

Sipas tij, kriza e probleme të tilla janë të rrezikshme dhe mund të prodhojnë luftëra civile.

“Tejkalimi i situatës mund të ndodh vetëm nëse kemi ulje të gjakrave dhe kemi respektim të mendimit ndryshe, kemi respektim të argumentit dhe ballafaqim në mënyrë profesional dhe secila shtyllë shtetërore të kryejë punën e vet dhe mos të ketë teke personale, mos te ketë akuza personale por të ketë qëllime me integritet profesional që janë të argumentueshme, që janë të lira qofshin për të paraqitur, denoncuar apo qoftë për t’u mbrojtur dhe për të dëshmuar të kundërtën deri atëherë nëse ne si shoqëri nuk e tolerojmë debatin, nuk e respektojmë mendimin ndryshe, mund të kemi kriza, mund të kemi probleme të tilla që mund të jenë të rrezikshme jashtëzakonisht këto për shkak se këto debate mund të ndikojnë edhe te shoqëria edhe te polarizimi i saj në përgjithësi dhe kjo mund të jetë rrezik edhe më i madh sepse në shumë vende kanë ndodhur edhe luftëra civile, e probleme më të mëdha, Unë nuk them që Kosova është aty, por nëse ne nuk vazhdojmë të ndërtojmë një kulturë demokratike me arsyetim të ndërthorët të njërit tjetrit ne rrezikojmë si shoqëri dhe rrezikon demokracia dhe një gjë e tillë nuk mund të ndodh në një vend që ka synime euro atlantike”, përfundon Xani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat