Skenarët e Serbisë ndaj Kosovës – Analisti parashikon fundin e dialogut, kështu mund të jetë epilogu!

Politika

Skenarët e Serbisë ndaj Kosovës – Analisti parashikon fundin e dialogut, kështu mund të jetë epilogu!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 7 gusht 2023 Në ora: 15:25
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Nuk është fare lehtë, sado që të jesh vrojtues i mirë i ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës si dhe pas ngecjes së procesit të dialogut Kosovë-Serbi, që të parashikohet me saktësi, ose të thuhet konkretisht, se çfarë rrjedhe do të ketë dialogu pas kësaj krize dhe tensioneve në veri, të shkaktuara ekskluzivisht nga pala serbe.

Kështu është shprehur analisti politik, Rexhep Elezaj, i cili thotë se, regjimi i Beogradit prej që kanë filluar bisedimet në vitin 2011, nuk ka zgjedhur mjete dhe as metoda për ta manipuluar dialogun në dobi të Serbisë, me qëllim të vetëm që të mos arrihet asnjë rezultat, veçse arritjen e ndonjë marrëveshje eventuale ta shtyjë në kohë të pacaktuar, duke shpresuar se do vijnë ditë më të mira për Serbinë.

“Se pala serbe është fajtore kryesore për çdo dështim në dialogun e deritanishëm për 12 vite rresht, për këtë mund të sjellim me dhjetëra fakte dhe dëshmi që flasin se Beogradi kurrë nuk ka bërë dialog të mirëfilltë me palën shqiptare të Kosovës, përveçse atë e ka keqpërdorë politikisht për të blerë kohë për interesa puro serbe, si dhe duke e manipuluar poshtërsisht pakicën dhe Listën serbe në veri të Kosovës, pra duke i nxitur që të shkaktojnë trazira në veri, sa herë që në dialog është shënuar ndonjë përparim i vogël”, thotë Elezaj për gazetën “Bota sot”.

Analisti pohon e Vuçiqi ka për qëllim rrënimin e dialogut me Kosovën.

“Pra, presidenti serb, A. Vuçiq, edhe si shef i delegacionit serb në dialog me Kosovën, me sjelljet, deklaratat dhe qëndrimet e tij prej racisti ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, duke i ofenduar dhe quajtur liderët politikë shqiptarë me lloj-lloj etiketimesh pezhorative dhe ofendime të rënda, etj., ai, qëllim kryesor ka pasur rrënimin e dialogut dhe atyre moszbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, siç veproi edhe me marrëveshjen e BE-së për Kosovën, Planin franko-gjerman, të cilën deklarativisht e pranoi në Bruksel me 27 shkurt dhe me Aneksin e implementimit të saj, i akorduar në Ohër me 18 mars, por të cilën marrëveshje, posa arriti në Beograd të nesërmen e shpalli të pavlefshme për Serbinë”, pohon ai.

Sipas tij, këto janë taktika dhe diplomaci subversive të njohura serbe, qysh nga koha e Mesjetës (shek. 12-13-të) e deri më sot, të zbatuara në praktikë sipas thënies së babait të kombit të tyre, D. Çosiqit; “Ne rrejmë, se rrenën e kemi në gjene, sepse gënjeshtrën e kemi mjet të nacionalizmit tonë, se rrena i ka shpëtuar serbët, se ne rrejmë në mënyrë inovative..”, kështu deri në infinit..!?

“Pra, jam i bindur thellë se dialogu Kosovë-Serbi për palën serbe ka qenë dhe vazhdon të jetë vetëm një farsë politike, se gjoja Serbia është për dialog, ndërsa në anën tjetër ka ndërmarrë çdo masë dhe veprim të kundërt që t’i dëshmojë popullit serb, se gjoja në fakt “vodza” i tyre nuk po bisedon me separatistët shqiptarë, meqë “Kosova është krahinë jugore e Serbisë” dhe se, në asnjë mënyrë ne nuk flasim dhe as bisedojmë me një “bebë” të perëndimorëve, pra gjithnjë sipas tyre, se për Beogradin zyrtar kurrë nuk do të ketë një shtet i ashtuquajtur Kosovë e pavarur..!?”, vlereson Elezaj.

Tutje, analisti thotë se, fundi i dialogut Kosovë-Serbi mund të jetë shumë larg.

“Duke i pasur parasysh këto fakte që u cekën më lartë si dhe një mori tjerash që nuk u cekën, për shkak të vendit dhe hapësirës, mendoj se fundi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë shumë larg, i paqartë dhe i pa ndonjë marrëveshje finale, me të vetmin përjashtim po qese SHBA-të e detyrojnë A. Vuçiqin dhe qeverinë serbe që ta pranojë nënshkrimin e marrëveshjes, siç është quajtur para dy viteve, gjithëpërfshirëse, njohje reciproke, e qëndrueshme dhe juridikisht e obligueshme për ë dyja palët”, thotë ai.

Elezaj në fund thekson se dialogu me Serbinë do të zgjatë me dekada, kjo pasi dihen skenarët e Serbisë ndaj Kosovës.

“Përndryshe, dialogu me Serbinë do zgjatë me dekada, kur dihet se cilët janë skenarët e Serbisë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, së pari aneksimi i veriut dhe më pas pushtimi i plotë i saj, sidomos nëse Rusia dhe Putini e fitojnë luftën në Ukrainë. Meqë nga kjo ëndërr fashiste dhe raciste serbët kurrë nuk heqin dorë..!?”, përfundon Rexhep Elezaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat