“Mospajtimet” e Kurtit me Rashiqin, mësohet mënyra më e duhur për zgjedhjet në veri të Kosovës

Politika

“Mospajtimet” e Kurtit me Rashiqin, mësohet mënyra më e duhur për zgjedhjet në veri të Kosovës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 gusht 2023 Në ora: 08:02
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti- ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar ditë më parë se mënyra më e duhur për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri është peticioni.

“Sa i përket zgjedhjeve të reja të parakohshme, ne qysh nga fillimi kemi thënë se nuk jemi të kënaqur me daljen e qytetarëve në zgjedhjet më 23 prill të këtij viti dhe me ato çfarë mësuan si përqindje me 24 prill të nesërmen. Andaj kemi ofruar mundësinë që të kemi zgjedhje të parakohshme, por natyrisht dëshirojmë të mos na përsëritet situata, në të cilën sërish do të kemi bojkot të pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë si votim apo si kandidim.

Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin e kryetarëve aktual. Jemi të hapur për këtë. Është krijuar edhe një grup punues që do të bëjë rregullimin e çështjeve teknike administrative të dispozitave të këtij neni dhe këtij ligji.

Tash ta presim punën e tyre, sa më shpejtë aq më mirë, por edhe një herë po e them nuk besoj se ka arsye më që të ketë ndokush dyshime se Kosova nuk është palë konstruktive. Përkundrazi ne jemi palë konstruktive që është dëshmuar me ide kreative dhe përkushtim për të gjetur zgjidhje”, u shpreh Kurti.

Por, ndryshe mendon ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Rashiq tregoi se preferon mënyrën përmes dorëheqjeve të kryetarëve aktualë, ndërkaq Kurti dëshiron peticion.

Ai tha se i vlerëson përpjekjet e Kurtit “nga ana ligjore”, por tha se në anën tjetër, vetë është “më shumë lokalisht” dhe tha se sheh “nga këndi i bashkëqytetarëve tanë në veri”.

Duke folur për rrugën e duhur për dërgimin e komunave në zgjedhje, analistët politikë thonë se mënyra më e shpejtë do të ishte që zgjedhjet të mbahen pas dorëheqjes së kryetarëve.

Kjo pasi sipas tyre, kryetarët aktualë nuk kanë bërë shkelje që të shkarkohen përmes peticionit.

Burjani: Të dyja metodat janë të papranueshme

Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se si peticion ashtu edhe dorëheqja janë të papranueshme, kjo për shkak se bëhet jo me vullnet të kryetarëve, por me vullnet politikë të tjerëve.

Sipas Burjanit, rruga më e shpejtë për zgjidhjen e “problemit” është dorëheqja.

“Po procesi si në formatin e parë, si në të dytin është jo demokratik. Kurti dëshiron që kjo të bëhet me peticion që tingëllon përmes një procesi demokratik, në anën tjetër kryetarët e katër komunave mund ta dëshirojnë me parë dorëheqjen se sa largimin me peticion. Të dy format janë jo të pranueshme pasi që kjo bëhet jo me vullnet të kryetarëve, por me vullnet politikë të tjerëve, kjo askund në botë nuk ndodhë, si njëra formë si tjetra sjellin dorëheqjen e angazhuar politike, por jo vullnetin e kryetarëve.

Ndoshta rruga më e shpejtë për të zgjidhur problemin është dorëheqja, tash është qysh është gjendja me rëndësi është të hapet rrugë sa më shpejt për zgjedhje”, thekson Burjani.

Image
Blerim Burjani

Duhanaj: Çdo zvarritje në procesin e zgjidhjes së problemit me Serbinë, shkon në dëm të Kosovës

Por, qasje e Kurtit për zgjedhjet në katër komuna në veri për analistin politik Leon Duhanaj, është pak e çuditshme.

Sipas tij, çdo zvarritje në procesin e zgjedhjes së problemit me Serbinë, shkon në dëm të Kosovës dhe favor të Serbisë.

“Për mendimin tim, qasja e Kryeministrit Kurti, edhe në këtë pikë, është pak sa e çuditshme, pasi që nuk e di ku e gjen interesin, në qasjen e zgjedhjeve të ngadalshme, apo të mos zgjidhjen e problemeve fare. Dihet mirëfilli, se çdo zvarritje në procesin e zgjidhjes së problemit me Serbinë, shkon në dëm të Kosovës, respektivisht në favor të Serbisë. Pse z. Kurti, në çdo vendim të marrë gjerë me tani në proces, ka zgjedhur pikërisht të kundërtën e përshpejtimit të procesit, kjo është vërtetë për t'u studiuar. Madje në çdo bllokadë të cilën e ka shkaktuar, ka rezultuar me kthim mbrapa, gjë që sot kemi situatë 100% me të disfavorshme, në krahasim e atë që e kishim para ardhjes së tij në pushtet. Këtu duhet të shtrohet pyetja; për kë punon z. Kurti? Çështja e zgjedhjeve në komunat veriore, është çështje teknike dhe krejtësisht e lehtë për t'u zgjidhur. Kosova, vetëm duhet t'i caktojë prioritetet e veta dhe këto t'ua bëj të qarta ndërkombëtarëve”, shprehet Duhanaj.

Image
Leon Duhanaj

Tutje, Duhanaj thotë se është më e ndershme për kryetarët e zgjedhur të japin dorëheqje, sesa të shkarkohen me peticion kjo pasi që ata nuk kanë bërë asnjë shkelje.

“Ne organizuam zgjedhje të lira, të ligjshme të cilat u pranuan nga të gjithë, por që u bojkotuan nga Serbia. Si rezultat na u kontestua legjitimiteti dhe erdhëm deri tek problemet. Tani kemi kërkesën që t'i shpallim zgjedhjet prapë. Nëse ne shpallim zgjedhje, kush e garanton pjesëmarrjen e serbeve dhe cili do të ishte epilogu, nëse ata prapë i bojkotojnë ato? Nëse Qeveria Kurti i kërkon dhe i merr garancitë ndërkombëtare në këto pika, atëherë le t'u bëj thirrje publike kryetarëve që të japin dorëheqje. Madje është edhe me e ndershme në raport me ta, sepse ata nuk kanë bërë asnjë shkelje që të shkarkohen me peticion.

Edhe nëse shkarkohen me peticion, kush e garanton Kurtin, që ata prapë nuk marrin pjesë në zgjedhje? Përderisa, për deklaratat e Ministrit Rashiq, ato mund të jenë objektive në raport me situatën e që unë e besoj. Por nëse z. Rashiq ndjek interesat e Serbisë, mund ta përdor ketë si mbulesë për Kurtin, në mënyrë që militantët ta kuptojnë si një qëndrim të ndryshëm kundrejt serbeve dhe kështu ta vazhdojnë mbështetjen e vërtetë për të”, përfundon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat