“Kriminelë të luftës, që bëjnë thirrje për luftë”, analisti i jep “argumente” BE-së për Serbinë e Vuçiqin

Politika

“Kriminelë të luftës, që bëjnë thirrje për luftë”, analisti i jep “argumente” BE-së për Serbinë e Vuçiqin

Nga: Naile Ejupi Më: 16 gusht 2023 Në ora: 14:54
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Dialogu Kosovë- Serbi dhe takimet mes të dyja shteteve tashmë janë në “pushim”, kjo pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës.

Gjersa, Kosova po kritikohet nga BE-ja për shkak të sjelljes dhe mos përmbushjen e obligimeve, Amerika thotë se kërkesat për Kosovën nuk janë presion.

Sipas ambasdorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, synimet e ShBA-së për Kosovën nuk mund të realizohen pa bërë përparim në dialog.

“Kosova nuk do të mund të bëhet anëtare e BE-së; Kosova nuk do të jetë në gjendje të tejkalojë Partneritetin për Paqe për t'u bërë anëtare e NATO-s - dy synimet themelore që SHBA-ja pret që ajo t’i realizojë - pa bërë përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, deklaroi Hovenier.

Në anën tjetër, tashmë nuk “ledhatohet” as Serbia e presidenti i saj, Aleksandër Vuçiq. Në një javë, presidenti serb Aleksandar mori kritika të ashpra nga mediat përkatëse perëndimore, ndërsa politikanët perëndimorë dërguan një letër ku kritikonin Vuçiqin për qasjen e tij ndaj problemit të Kosovës.

Ndërsa, një përshkrim të Vuçiqit, e ka dhënë të mërkurën edhe analisti serb, Aleksandër Popov, i cili thotë se Vuçiqi ua kujton perëndimit situatën me Millosheviçiqn, i cili ishte faktor stabiliteti në rajon dhe u bë kasap i Ballkanit.

“Vuçiq tregoi arrogancë dhe inat ndaj Perëndimit, që nga disa vende interpretohet si prishje e marrëdhënieve në rajon, gjë që padyshim i sjell përfitim Rusisë. Kjo të kujton situatën me Millosheviçin, i cili ishte faktor stabiliteti në rajon dhe u bë kasapi i Ballkanit. Ky mund të jetë një paralajmërim për Vuçiqin se atij i vjen fundi i mënyrës që ka krijuar politikën e tij. Sanksionet që pamë ndaj Vulin mund të vendosen në përgjithësi ndaj Serbisë, sepse SHBA-ja dhe BE-ja kanë mundësi shumë të mira për ta dëmtuar Serbinë nëse kjo vlerësohet si zgjidhje”, shpjegon Popov.

Kurse, të çuditshëm i konsideron “evropianët” analisti Skënder Mulliqi, për shkak të mos përmendjes së krimeve dhe gjenocidit serb në ish- Jugosllavi.

Mulliqi thotë se kriminelët e luftës, edhe bëjnë thirrje për luftë të re.

“Është e çuditshme se si askush nga evropianët nuk po i përmend krimet dhe gjenocidin serb në ish-Jugosllavi. Serbia edhe sot po bashkëjeton me politikat e ultranacionalizmit millosheviqian dhe sheshelian. Ky nacionalizëm primitiv i Dobrica Qosiqit ishte shkaktar i luftës dhe më këtë retorikë luftë nxitëse po shërbehet edhe presidenti, Aleksandër Vuçiqi. Nga kriminelët e luftës po krijohen idealet dhe heronjtë, të cilët sot e kësaj dite figurojnë në bustet dhe në muralet e shumë qyteteve në Serbi, Bosnjë dhe Mal të Zi. Me slloganet dhe ikonografinë e këtyre kriminelëve po kërkohet kthimi i ushtrisë serbe në Kosovë, që është thirrje për luftë të re”, thotë Mulliqi për “Bota sot”.

Image
Skënder Mulliqi

Sipas tij, urrejtja ndaj shqiptarëve ruhet, gjersa shton se ende vlen “thënia” se nuk guxon të preket asnjë serb.

“Urrejtja ndaj shqiptarëve me kujdes po ruhet e propagandohet si në vitet e 90-ta, të shekullit të kaluar, të organizimit të spastrimeve etnike. Kush ishte dhunues më i madh me frekuenca ultranacionalisite nga serbët? Millosheviqi, Shesheli, Mladiqi, Karagjiqi, Vuçiqi etj. Nuk mund të harrohen siç po i harron BE-ja, varrezat masive të masakrës së Srebrenices me mbi 8000 të vrarë, masakrës që u shkaktua nga rrethimi i Sarajevës, ku vdiqën 1601 fëmijë të nacionalitetit boshnjak, dhe shumë e shumë masakrave të tjera në Bosnje dhe në Kosovë, ku ndër shumë të vrarë, masakruar e gra te dhunuara kemi edhe mbi 1200 fëmijë shqiptarë. Edhe kjo Serbi e pas luftës po ju premton serbëve atë që iu kishte premtuar në vitin 1989 Millosheviqi në Gazimestan, se “asnjë serbi nuk guxon t’i mungojë një fije floku”, ideja e botës serbe. Këto dhe shumë argumente të tjera ishte dashur ta kthjellojnë më në fund strukturën e BE-së, që të reagojë ndaj hegjemonizmit të hapur serbomadh në rajon, dhe për pushtimin ushtarak të Kosovës, siç po e kërkon në fjalimet e tij shovenisti, Aleksandër Vuçiq”, shton Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat