‘Përplasjet’ e Qeverisë me sistemin prokurorial – ngritje e aktakuzave dhe arrestime, pse kjo pakënaqësi!

Politika

‘Përplasjet’ e Qeverisë me sistemin prokurorial – ngritje e aktakuzave dhe arrestime, pse kjo pakënaqësi!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 29 gusht 2023 Në ora: 17:02
Qeveria e Kosovës

Ditëvë të fundit, kemi pasur një ‘përplasje’ në mes sistemit prokurorial dhe ministrave të qeverisë Kurti.

Disa prej ministrave të qeverisë aktuale, kanë ngritur akuza e dyshime për çështje dhe persona të caktuara, por që sipas tyre Prokuroria po i shpërfill ato.

Ka qenë e para ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila ka publikuar një video në llogarinë e saj në Facebook, ku ka folur për ish-ministrin Vesel Krasniqi të cilin e ka akuzuar se ka krijuar monopol në fushën e kontrollit të cilësisë së karburanteve në Kosovë.

“Janë bërë më shumë se dy vite, prej kur kemi parandaluar një keqpërdorim multimilionësh dhe kemi dorëzuar kallëzimin penal. Ka kaluar po aq kohë dhe askush nuk është thirrur në përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë”, ka shkruar ajo mbi videon e publikuar.

E ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka bërë të ditur se ka marrë vendim për lirimin e të gjitha objekteve nga pronat që janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme.

Me anë të një video-adresimi nga Rugova, Peci ka reaguar lidhur me ndërtimin e 25 vilave në Stankaj të Pejës në pronën e Institutit Bujqësor të Kosovës.

Ai ka deklaruar se pavarësisht veprimeve të ndërmarra administrative, pritja për ndërmarrjen e masave nuk është realizuar.

Si Ministri, përkundër që kemi marrë të gjitha veprimet administrative, një veprim i tillë nuk është shoqëruar edhe me ndërmarrjen e veprimeve nga instancat e drejtësisë, në këtë rast nga Prokuroria e Shtetit. Si duket, pritja jonë ka qenë e kotë andaj si ministër, sot kam marr vendim për lirimin e të gjitha objekteve nga pronat që janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme. Pres nga mekanizmat ekzekutiv dhe instancat shtetërore që ky vendim që ka baza ligjore të implementohet ditëve në vijim”, është shprehur Peci.

E këtë ‘betëjë’ të sistemit prokurorial me kabinetin qeveritar të Kryeministrit Albin Kurti, e kanë komentuar juristët për gazetën “Bota sot”.

Musliu: Prokuroria është aktivizuar sipas denoncimeve të disa portaleve, që prodhojnë lajme të rreme dhe të dyshimta duke paraburgosur shumë persona, nën dyshimin se lidhen me Qeverinë Kurti

Së pari, juristi nga Belgjika, Skënder Musliu, në një bashkëbisedim u shpreh se deri më tani nuk ka qenë praktikë të kritikohen insititucionet e drejtësië.

Image
Skënder Musliu

Mirëpo, ai këto i ndërlidhi me disa premtime të LVV e Listës Guxo gjatë fushatës së fundit zgjedhur, e që ishin luftimi i korrupsionit dhe miratimi i Vetting, e që këtë sipas tij po e bllokon opozita.

Duke u nisur nga fakti se, nuk është praktikë e shpeshtë që pushteti t’a kritikojë punën e institucioneve të drejtësisë, kohëve të fundit kjo po ndodh. Prandaj edhe shtrohet pyetje se, pse kryeministri dhe ministrat e Qeverisë Kurti, kritikojnë punën e prokurorisë, në veçanti të Këshillit Prokurorial dhe gjyqësorin, e të gjitha niveleve, duke përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese!? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, duhet të kthehemi në retrospektivë, respektivisht gjatë fushatës së fundit zgjedhore, LVV-ja dhe Lista Guxo, kishin premtuar se, nëse vijnë në pushtet, përveç tjerash, do t’a luftonin korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe do të miratonin Ligjin për Vettingun, Ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme…. Me ardhjen në pushtet, Qeveria Kurti II, që nga fillimi i mandatit filloi procedurat për përgatitjen e reformave në drejtësi, mirëpo, edhe pse e ka shumicën në Kuvend, fatkeqësisht, menjëherë hasi në rezistencë antiqeveritare rrjedhimisht antishtetërore nga opozita, e cila përmes obstrukcioneve të ndryshme filloi pengimin e reformave të premtuara nga kryeministri Kurti”, deklaroi juristi.

Bazuar në këtë, Musliu kritikoi ashpër partitë opozitar, ku sipas tij duke e ditur se një ditë mund të kapen nga drejtësia për veprimet e së kaluarës, ata infiltruan njerëzit e tyre në sistemin prokurorial dhe gjyqësor në të gjitha nivelet.

Opozita e sotme, pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, në kohën e Hashim Thaqit, Isa Mustafës dhe Ramush Haradinaj dhe klaneve të tyre, instaluan të keqen, korrupsionin, nepotizmin dhe krimin e organizuar në Kosovë, duke krijuar ambient të frikës tek qytetarët dhe në emër të UÇK-ës u bënë të pandëshkueshëm dhe të paprekshëm. Dhe duke e ditur se një ditë mund të kapen nga drejtësia për veprimet e tyre mafioze, ata përmes pronto mafisë dhe Shik-ut krijuan një « siguresë » duke vendosur, infiltruar dhe përzgjedhur bashkapartiakët, militantët, familiarët dhe njerëzit e tyre në sistemin prokurorial dhe gjyqësor në të gjitha nivelet, të cilët në vend që t’a luftonin korrupsionin dhe krimin e organizuar, ata bashkëpunuan, bashkëjetuan dhe u bënë pjesë integrale e kësaj mafia politike. Prandaj, edhe përkundër kurrupsionit masiv, krimit të organizuar dhe vjedhjeve industriale të pasurive të Kosovës, këta politikan që vepruan si gangstera të vërtetë, nuk u ndëshkuan asnëherë”, theksoi ai.

Krahas kësaj, juristi përmendi faktin se shumë ministra të qeverisë Kurti kanë proceduar lëndë të ndryshme në prokurori, po që ka mungesë të ngritjes së aktakuzave.

Sipas tij, këto lëndë janë lëne me qëllim të “pluhërosen nëpër sirtarët e prokurorëve dhe gjyqtarëve të pronto mafisë”.

Vlenë të theksoj se me ardhjen në pushtet të kryeministrit Kurti, shumë ministri kanë proceduar me qindra lëndë në prokurori për vjedhjet dhe keqpërdorimet e pozitës zyrtare të qeverive të kaluara, që dëmet shifrohen me dhjetra ose qindra miliona euro, mirëpo edhe pas dy vite e gjysmë, ende asnjë aktakuzë nuk është ngritur, sepse këto lëndë janë lëne me qëllim të pluhërosen nëpër sirtarët e prokurorëve dhe gjyqtarëve të pronto mafisë. Kurse kohëve të fundit prokuroria është aktivizuar sipas denoncimeve të disa portaleve, që prodhojnë lajme të rreme dhe të dyshimta duke paraburgosur shumë persona, nën dyshimin se lidhen me Qeverinë Kurti. Nuk i kundërshtoj këto procedime, por pse këta prokurorë nuk kanë vepruar për dosjet me vepra të rënda penale që datojnë shumë vite më parë, duke i lënë qëllimisht që lendët të përshkruhen-vjetërsohen, duke aplikuar një drejtësi selektive.

Dihet mirëfilli që në Raportet e DASH-it, Këshillit të Europës dhe shumë Organizatave serioze joqeveritare ndërkombëtare, është kritikuar Kosova për drejtësi selektive dhe gjyqësor të kapur nga politika. Por në dy vitet e fundit këto raporte kanë vlerësime pozitive për Qeverinë Kurti në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, mirëpo rezultatet janë mediokre, pikërisht për shkaktë rezistencës, obstrukcioneve dhe sabotimit të prokurorisë dhe gjyqësorit të Kosovës”, shpejgoi Musliu.

Juristi nga Blegjika: Opozita deri sa ishte në pushtet, ka bërë punësime masive të militantëve nëpër shërbimet profesionale të institucioneve të ndryshme

Në vazhdim, ai tha se drejtësia është kapur nga ish-pushtet e kaluara, dhe nga frika se Kurti me ministrat e tij do ua zbulojë keqpërdorimet e së kaluarës, ata po bëjnë ç’mos që t’a largojnë nga qeveria.

E gjithë kjo po ndodh kundër një Qeverie e cila filloi t’ua nxjerr në shesh keqpërdorimet, vjedhjet, manipulimet, korrupsionin, krimin e organizuar, nepotizmin dhe strukturën kriminale të qeverisjes, dhe tani nga frika se do të dalin para drejtësisë, ata po bëjnë ç’mos që t’a largojnë Qeverinë më me integritet që ka patur ndonjëherë Kosova.

Përveç drejtësisë së kapur, opozita deri sa ishte në pushtet, ka bërë punësime masive të militantëve nëpër shërbimet profesionale të institucioneve të ndryshme, të cilët tani janë bërë pengesë, po ashtu, për zbatimin e reformave në drejtësi duke vështirësuar punën e Qeverisë në përgjithësi”, nënvizoi juristi.

Gjithashtu, ai radhiti tre shembuj juridik për të vërtetuar deklaratat e tij, e që në njërin nga ta është edhe shkelja që iu bë Kushtetutës me rastin e formimit të qeverisë Hoti.

Madje edhe Gjykata Kushtetuese, si institucioni më i lartë juridik në sistemin e drejtësisë, e cila është garant për ruajtjen e Rendit Kushtetues, ndarjes së pushteteve dhe zbatimin e ligjshmërisë, fatkeqësisht, në disa raste është shndërruar në instrument politik, nga politikan të inkriminuar dhe të shantazhuar. Me këtë rast, sa për ilistrim do të përmendi vetëm tri shembuj, që nuk duan kurfar komenti, aq më pak jurudik.

Së pari, me një vendim të kundërligjshëm, Qeveria e Serbisë në vitin 1997, gjatë masave të dhunshme në Kosovë, kur ishin suspenduar të gjitha institucionet e Kosovës, ia fali 24 hektarë tokë dhe pyll Manastirit të Deçanit. Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016, ende pa u konsumuar procedurat në gjykatat e rregullta, vendosi t’ia jep 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, me çka legalizoi dhe legjitimoi vendimin e kundërligjshëm të Qeverisë së Serbisë që ishte marrë pikërisht në kohën kur institucionet kushtetuese të Kosovës ishin suspenduar. Këtë Vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, edhe përkundër presioneve të vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar, Qeveria Kurti nuk po e zbaton, sepse kjo do të krijonte një presedan të rrezikshëm për zbatimin edhe të shumë vendimeve tjera të kundërligjshme.

Së dyti, formimin e Qeverisë Hoti, e mundësoi Hashim Thaqi duke shkelur Kushtetutën, edhe pse LVV-ja e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese, ajo në shkelje të Kushtetutës, i dha arsye vendimit të Thaqit, duke formuar një Qeveri prej partive humbëse bashkë me Listën serbe, me ç’rast Goran Rakiqi u emëruan si zëvendë kryeministër kurse Dalibor Jeftiq, ministër për kthim.

Së treti, në Gjykatën Kushtetuese te Kosovës, opozita ka proceduar disa ligje që lidhen ngushtë me reformën në drejtësi, sikurse Ligji për Këshillin Prokurorial dhe ai për Byron shtetërore dhe amandamentet kushtetuese lidhur me vetingun, që presin vlerësimin e kushtetutshmërisë. Mirëpo edhe pse kanë kaluar gjashtë muaj, kjo gjykatë ende nuk është prononcuar, edhe pse këto janë ligje që duhet trajtuar me prioritet dhe urgjencë”, potencoi ai.

Më tej, Musliu tha se rastet e lartpërmendura nuk do kishin ndodhurr nëse nuk do kishte ndërhyrje politike.

“Me bindje të thellë, mund të them se këto veprime të Gjykatës Kushtetuese nuk do të kishin ndodhur kurrë, sikur mos të kishte patur ndërhyrje politike nga politikan të shantazhuar dhe inkriminuar.

Këto veprime të prokurorisë, gjyqësortit por edhe të Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm që n’a shtyn të dyshojmë në punën e tyre të ndikuar nga politika, por këto veprime po e vërtetojnë faktin se pjesa dërmuese e prokurorëve dhe gjyqtarëve janë pa integritet, pa kredibilitet dhe joprofesionaj, të vendosur nga pronto mafia dhe pjesë e korrupcionit dhe krimit të organizuar”, u shpreh juristi.

Në fund, tha se kritikat e qeverisë ndaj sistemit prokurorial janë të justifikuara dhe në interest ë qytetarëve.

Ai tha se nuk është kjo ndërhyrje në drejtësi, por kërkesë për bashkëpunim në luftimin e korrupsionit dhe zbatimit të ligjit.

Dhe nëse e marrim parasysh ate që ceka më lartë, vërtetë shtrohet pyetja se, a janë me vend dhe të arsyeshme kritikat e Qeverisë ndaj sistemit të drejtësisë. Unë kisha thëne se këto kritika justifikohen sepse ato janë në interes të qytetarëve, këto nuk janë kritika për pazare të pista politike, por për reforma që do t’a avancojnë dhe forcojnë shtetin e së drejtës. Prandaj, konsideroj se kritikat e Qeverisë ndaj sistemit të drejtësisë, nuk janë ndërhyrje në drejtësi, por kërkesë për bashkëpunim në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe zbatimin e ligjshmërisë.

Vlenë të theksoj se opozita edhe kur ishte në pushtet por edhe tani, asnjëherë nuk ka kritikuar sistemin e drejtësisë, kjo nga fakti se ky sistem ende është argat i tyre, prandaj reformat në drejtësi, të cilat po i bllokon opozita, janë mase të domosdoshme”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.

Dyshime për punën e Prokurorisë Speciale ka hedhur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo ka folur për një pronë në Vushtrri që sipas saj i takon dikasterit që udhëheqë, por që i është dhënë për 10 vite në shfrytëzim një personi fizik nga ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-drejtori i burgjeve.

Haxhiu ka thënë se auditori i brendshëm i ministrisë ka gjetur se kontrata është lidhur pa asnjë bazë ligjore dhe kushtetuese.

Për çfarë dhe për kë po punon Prokuroria Speciale?”, ka shkruar Haxhiu, duke akuzuar Prokurorinë e Shtetit se ka krijuar precedent të rrezikshëm, meqë nuk e ka konsideruar vepër penale rrënimin e objektit të ish-hotelit Vicianum.

Haxhiu ka thënë se në Prokurori dhe Polici kanë bërë edhe shumë denoncime të tjera, por që nuk është ndërmarrë asnjë veprim.

Burjani: Prokurorët duhet në mënyrë aktive të angazhohen në arrestimin e shumë njerëzve të politikës, në krime ekonomike

Image
Blerim Burjani

Kurse, juristi tjetër Blerim Burjani në prononcimin e tij për “Bota sot” foli mbi këtë temë, derisa potencoi se në të kaluarën asnjë politikan, deputet apo lider politik nuk është arrestuar.

Krahas kësaj, ai përmendi disa raste të keqpërdorimeve, e që fatkeqësisht, askush nuk ka dhënë përgjegjësi apo është dënuar për ato.

Po arrestime dhe punë ka pasur dhe më herët, është luftuar krimi individual, por jo edhe ai politik korruptiv dhe kur ishin përfshirë deputetë, liderë politikë dhe familjarë, nepotzimi, korrupsioni, punësimi familjar dhe partiak nëpër ndërmarrje publike, lidhjet me sektorin privat, mjafton të përmendet rasti ‘Toka’, rasti ‘Hade’, rasti ‘Stenda’, liderët politikë kanë blerë toka nga privatizimi korruptiv, ose më shkurt sa politikanë në Kosove janë dënuar me burg për veprat e lartpërmendura, asnjë hiq”, deklaroi juristi.

Gjithashtu, ai shtoi se prokurorët duhet të angazhihen më shumë në arrestimin e shumë njerëzve politikë që kanë keqpërdorur pozitat zyrtare, për përfitimet personale.

VV ishte e përndjekur sipas tyre nga prokurorët dhe janë dënuar nga gjyqtarët, e keqja është se tash ka revanshizëm nga politika për prokurorë dhe gjyqtarë, por prokurorët duhet në mënyrë aktive të angazhohen në arrestimin e shumë njerëzve të politikës, në krime ekonomike, në mënyrë direkte dhe indirekte, pra të ishte angazhimi aktiv i prokurorëve nuk do të ishte kjo që shihet sot, milionerë pa bazë ligjore, pasuri e vendosur në persona të tretë apo katërt nga lidrët politikë dhe të tjerë”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat