"Kërcënimi" i Macron/ Profesori paralajmëron pasoja të tjera nëse Kosova nuk i kryen detyrat e saj

Politika

"Kërcënimi" i Macron/ Profesori paralajmëron pasoja të tjera nëse Kosova nuk i kryen detyrat e saj

Nga: Q.R Më: 30 gusht 2023 Në ora: 16:01
Emmanuel Macron

Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi, duke komentuar deklaratën e Presidentit francez Emmanuel Macron, i cili paralajmëroi masa të tjera ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse nuk normalizojnë marrëdhëniet, vlerëson se kjo çështje duhet marrë shumë seriozisht.

Sipas tij, një fjalim i tillë mund të sjellë pasoja tutje, prandaj Kosova duhet t’i kryej detyrat e saj.

Derisa thekson se në këtë pikë vendi duhet ta ruaj partneritetin me BE dhe ShBA-të.

Image
Dritëro Arifi

“Duke u nisur nga fjalimi i zotëri Macron ku në një farë mënyre e kërcënon Kosovën dhe Serbinë që nëse nuk ka arritje të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve do të ketë sanksione edhe të nivelit ekonomik, por edhe rishikim të regjimit të liberalizimit të vizave, pra në këtë moment duhet kuptuar se kush po e thotë, pra për momentin presidenti i Francës është personi më i fuqishëm brenda Bashkimit Evropian dhe këtë çështje kur e thotë president i një vendit më të fuqishëm të BE-së duhet marrë shumë seriozisht, pra po besoj që qeveria ka vesh dhe logjikë me kuptu që një fjalim i tillë mund të sjellë edhe pasoja tutje nëse nuk arrin që të paktën Kosova t’i bëjë detyrat e veta, çka bënë pala tjetër për neve nuk është me rëndësi. Me rendësi është që ne ta ruajmë partneritetin me BE dhe ShBA në këtë pikë”, deklaron Arifi për “Bota sot”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se presin që edhe Kosova dhe Serbia të kenë angazhim të qartë për rrugën përpara.

Presidenti francez ka paralajmëruar masa nëse të dyja vendet “nuk sillen me përgjegjësi”.

“Franca dhe Gjermania i kanë bërë premtimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dy palët nuk sillen me përgjegjësi. Ne duhet të jemi tejet të kujdesshëm në këtë drejtim, posaçërisht kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik”, tha Macron.

Komentet e Macronit vijnë në një kohë kur Kosovës i është bërë thirrje vazhdimisht të kthehet në dialog me Serbinë dhe t’i organizojë zgjedhjet e reja në veri të vendit.

Situata në veri të Kosovës u përshkallëzua në maj, kur në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryetarët shqiptarë e morën pushtetin, ndërsa në ndërtesat komunale kanë hyrë me ndihmën e policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat