Analisti politik për deklaratën e Macron: Franca mund të ndikojë në BE që të pezullohet edhe për një kohë liberalizimi i vizave

Politika

Analisti politik për deklaratën e Macron: Franca mund të ndikojë në BE që të pezullohet edhe për një kohë liberalizimi i vizave

Nga: Q.R Më: 30 gusht 2023 Në ora: 20:21
Emmanuel Macron

Analisti politik Arbnor Sadiku, duke komentuar deklaratën e Presidentit francez Emmanuel Macron, i cili paralajmëroi masa të tjera ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse nuk normalizojnë marrëdhëniet, thotë se “kërcënimi” i tij duhet marrë seriozisht, për faktin që sipas tij, Franca mund të ndikojë në BE që të pezullohet edhe për një kohë liberalizimi i vizave.

Tutje, ai potencon se për shkak të gabimeve të Qeverisë, qytetarët do t’i bartin pasojat.

“Po kërcënimi tij është real dhe duhet marrë seriozisht, pasi që nëse nuk zbatohet plani franko-gjerman dhe marrëveshja e Ohrit, nga pala serbe dhe ajo shqiptare në bisedime, Franca do të mund të ndikoj në BE që të pezullohet edhe për një kohë pas janarit 2024 liberalizimi i vizave. Pasojat për këtë do t’i bartin qytetarët për shkak të gabimeve të qeverisë, të udhëhequr nga z.Kurti”, thotë ai për “Bota sot”.

Image
Arbnor Sadiku

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se presin që edhe Kosova dhe Serbia të kenë angazhim të qartë për rrugën përpara.

Ai ka paralajmëruar masa nëse të dyja vendet “nuk sillen me përgjegjësi”.

“Franca dhe Gjermania i kanë bërë premtimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dy palët nuk sillen me përgjegjësi. Ne duhet të jemi tejet të kujdesshëm në këtë drejtim, posaçërisht kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik”, tha Macron.

Komentet e Macronit vijnë në një kohë kur Kosovës i është bërë thirrje vazhdimisht të kthehet në dialog me Serbinë dhe t’i organizojë zgjedhjet e reja në veri të vendit.

Situata në veri të Kosovës u përshkallëzua në maj, kur në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryetarët shqiptarë e morën pushtetin, ndërsa në ndërtesat komunale kanë hyrë me ndihmën e policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat