Kurti përmendi “zhdukjen” e opozitës - analistët i japin të drejtë/ Ja si u “katandis” PDK, LDK, AAK ndër vite

Politika

Kurti përmendi “zhdukjen” e opozitës - analistët i japin të drejtë/ Ja si u “katandis” PDK, LDK, AAK ndër vite

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 19 shtator 2023 Në ora: 11:54
Ramush Haradinaj, Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi

Kreu i Qeverisë, Albin Kurti, përmes një konference për medie, ka dhënë detaje për takimin e fundit në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.  

Por, ai nuk foli vetëm për dialogun. 

Kurti u pyet edhe për opozitën e cila tash e sa kohë po synon rrëzimin e tij nga posti i të parit të Qeverisë.  

Ai i është kundërpërgjigjur opozitës duke thënë se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk i konvenojnë as qeverisë dhe as opozitës.  

“Kam ndëgju që opozita herë kërkon dorëheqjen time, herë kërkon shkarkimin tim, e herë kërkon zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk i konvenojnë as qeverisë dhe as opozitës. Opozitës nuk i konvenojnë zgjedhjet sepse i humbë. Qeverisë nuk i konvenojnë zgjedhjet sepse zhduket opozita! Unë jam i interesuar që ta mund në zgjedhje opozitën por jo që ta zhduk!”.  

Batusha: Pajtohem me deklaratat e kryeministrit  

Deputeti Agon Batusha për gazetën “Bota sot”, ka thënë se opozita duhet të jetë e qartë duke ofruar edhe zgjidhje e jo bllokada sepse ndryshe del ajo çfarë ka thënë Kurti.  

Image
Agon Batusha

“Pajtohem me deklaratat e kryeministrit. Opozita duhet të punojë më shumë, të jenë më të qartë dhe të ofrojnë zgjidhje e jo tentativa për bllokada. Në të kundërtën del ajo çka ka thënë kryeministri e për të cilën opozita është në dijeni të matjeve te fundit”, deklaron ai .  

Mehmeti: Kurti e ka komoditetin edhe për t’u tallur me opozitën, e di hallin e saj andaj edhe nuk ka frikë nga konkurrenca  

Image
Faton Mehmeti

Analisti Faton Mehmeti ka thënë se Kurti e di hallin dhe frikën e opozitës andaj edhe e ka komoditetin për t’u “tallur” me të.  

Derisa për “zhdukjen” ai thotë se është deklaratë simbolike, kurse opozita aktualisht po i lanë gabimet e së shkuarës.  

“Kurti e ka komoditetin edhe për t’u tallur me opozitën, e di hallin e saj andaj edhe nuk ka frikë nga konkurrenca. Sa për "zhdukjen" e opozitës natyrisht se është simbolike, opozitë ka pasur dhe do të ketë gjithnjë. Në këtë kuptim opozita e sotme po "lanë" gabimet e së shkuarës e kështu ndodh me këdo që keq-qeverisë. Opozita duhet të reformohet ndryshe nuk këndellet, duke qenë veç simbolike në skenën tonë politike”, shprehet ai.  

Tali: Opozita është në një situatë groteske  

Image
Driton Tali

Analisti Driton Tali për “Bota sot” shprehet se deklarata e Kurtit nuk është që nuk ka edhe të vërteta, sepse opozita nuk po mundet ta marrë veten akoma.  

Sipas tij, kjo opozitë e ka përjetuar shumë rëndë humbjen e vitit 2021, duke shtuar se PDK dhe LDK edhe pse kanë udhëheqës të rinj, vazhdojnë të identifikohen me të kaluarën, për të mos harruar AAK, Nisma e AKR-në për të cilat parti thotë se nuk kanë kurrfarë gjasa për reforma.  

Deklaratën e z. Kurti lidhur me "zhdukjen e opozitës" unë e morra me humor - besoj që edhe opozita ashtu e ka marrë me sportivitet, si shaka.  

Ndonëse, nuk është që nuk ka edhe të vërteta në atë deklaratë, thënë me cinizëm. Sepse opozita sikur nuk po mundet me marrë vetën.  

Reformat i kanë të ngadalshme për mos të thënë të "pa qena".   

Janë në një situatë groteske - e dinë që humbjen e shkurtit të 2021'ës e kanë kryekëput për shkak të liderëve të tyre të atëhershëm dhe mënyrës udhëheqëse të tyre, e nga ana tjetër edhe më tutje vazhdojnë të identifikohen me ata. Pra, flas për LDK-në e cila u përgjysmua dhe PDK-në, të cilat ndonëse kanë "udhëheqës të rinjë" por edhe më tutje vazhdojnë të identifikohen me të kaluarën.   

Gjersa AAK, Nisma dhe AKR mendoj se ato nuk kanë kurrfarë gjasa për reforma. Me liderë si z. Ramush Haradinaj, z.Fatmir Limaj dhe z. Behgjet Pacollin unë nuk po shoh si do të mund të ecin më tutje ato parti”, thotë ai.  

Më tej, thotë se opozita sikur po pastron të kaluarën e tyre me këtë qasje nga pozitës.  

Në fund, shton se nëse opozita nuk mundet të dali nga ky rreth vicioz mbase edhe këto parti do të zhbëhen dhe në vend tyre të dalin parti të reja.  

“Pastaj, qasja opozitës ndaj negociatave me Serbinë, për mendimin tim, është e gabuar. Ma japin përshtypjen sikur tentojnë ta "pastrojnë të kaluarën e tyre".  

Prandaj, them unë, sa ma shpejtë që të ndahen nga e kaluara dhe të mos identifikohen me liderët e kaluar, për këta udhëheqësit e rinj dhe partitë e tyre, është shumë më mirë.   

Betejën politike duhet ta orientojnë kryesisht në çështjet e brendshme, qoftë për reformat në arsim, shëndetësi, drejtësi apo ekonomi etj, për çka ka nevojë shumë Kosova dhe ku unë shoh shumë hapsirë. Për faktin se Qeveria (Kurti 2) sikur e ka humbur hapin dhe është e hutuar”, ka theksuar Tali.  

Ai ka thënë se edhe në negociata me Serbinë opozita do të duhej t’ia mbante anën Qeverisë. 

“Natyrisht edhe ndaj negociatave të jenë kritikë por të vijnë me alternativa dhe t'i ndërpresin këto "kundërshtime kontraveze", ku Qeverinë në mëngjes e kritikojnë se "se e ka pranuar Asociacionin", në drekë e kritikojnë se "do ta pranojë Asociacionin", e në darkë e kritikojnë "se nuk po e pranon Asociacionin dhe po na prish me miq"....  

Thënë ndryshe, në konotacion me deklaratën e z. Kurti, nëse opozita nuk mundet të dali nga ky rreth vicioz mbase edhe këto parti do të zhbëhen dhe në vend tyre të dalin parti të reja”, përfundon ai për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat