Ish zv. ministri vjen me akuza të rënda për opozitën, paralajmëron ndëshkimin e dyfishuar në zgjedhje – jep disa arsye të forta!

Politika

Ish zv. ministri vjen me akuza të rënda për opozitën, paralajmëron ndëshkimin e dyfishuar në zgjedhje – jep disa arsye të forta!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 19 shtator 2023 Në ora: 23:13
Ramush Haradinaj, Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi

Shumë qytetarë të Republikës së Kosovës, që prej vitit 2014, nuk kanë të ndalur duke u larguar nga vendi.

Shpresa e tyre ishte vrarë nga instalimi i krimit të organizuar në qeverisjet e kaluara. Shpresa e shumë prej tyre edhe tash është e vrarë, pasi largimet nga Kosova vazhdojnë edhe sot.

Krejt kjo si pasojë e zhgënjimit të akumuluar ndër vite nga qeverisjet e kaluara, të cilat nuk punuan për të ndërtuar vendin, ekonominë, shëndetësinë, arsimin e secilin sektor. Tashmë, ky akumulim i problemeve po vazhdon edhe me qeverisjen aktuale, e cila si duket nga problemet e shumta, nuk po mund që ta nxjerrë Kosovën nga situata e cila është krijuar nga ish-pushtetarët.

E ndalimi i trendit të migrimit merr kohë dhe mund për të kthyer besimin dhe shpresën për zhvillimin e vendit.

Kështu shprehet ish-zëvendësministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, i cili shton se, duke i pasur parasysh premtimet mashtruese të ish qeverisjeve është absurde akuza në adresë të Qeverisë Kurti, kur thuhet se Kosova po zbrazet.

Image
Hajrullah Tërnava

“Dukuria për të migruar në shtete tjera, si të BE-së është e kahershme, e sidomos që nga paslufta e deri më tani, prandaj tani është qesharake për ta akuzuar këtë qeveri në pushtet për migrime të tilla, se kjo qeveri i paska fajet për migrimin e të rinjve në shtete tjera. Tani opozita përdorë metodat më të ndryshme si akuza për paaftësitë e kësaj qeverie, që të rinjtë po ikin nga vendlindja e tyre”, thotë Tërnava i cili shton se këto akuza të opozitës janë hipokrite dhe mashtruese të adresuar Qeverisë aktuale për trendin e largimit të qytetarëve jashtë vendit.

“Si po harrojnë ish pushtetarët, qeveritarët e djeshëm që janë mbetur në opozitë, sepse populli i mashtruar shumë herë në të kaluarën, tani me votë e ka ndëshkuar opozitën, se zbrazja masive pati filluar dhe nuk është ndaluar kurrë që nga koalicioni i quajtur i shpresës, PDK dhe LDK, në zgjedhjet e vitit 2013, pra para plot 10 vitesh, që solli koalicionin famëkeq, me kryeministër brenda natës Isa Mustafën, zëvendës të tij Hashim Thaçin dhe pas një kohe më pazarin e dakorduar edhe në pozitë presidenti i avancuar. Në debatin parlamentar, për dy vjet të qeverisjes Kurti, koalicioni që fitoj mbi 51% te votave është kritikuar për qeverisje totale të dështuar, duke u fokusuar edhe tek trendi i zbrazjes që vazhdon dhe asnjëherë nuk ka pushuar, pavarësisht pse është një vazhdimësi e cila është trashëguar nga qeverisja e kaluar. A po harrojnë brenda natës, ish pushtetarët e korruptuar, se ishin pikërisht ata që patën premtuar që do t’i hapin me qindra mija vende pune, dhe kur i morën votat për ta qeverisur vendin, e mashtruan elektoratin”, thekson Tërnava.

Sipas tij, qytetarët me shpresën e vrarë nga instalimi në qeverisje të krimit të organizuar, në mënyrë masive patën vendosur për t’u larguar të papenguar, prandaj shton se, ai kaos dhe zhgënjim i krijuar nga qeverisja e kaluar nuk është lehtë për tu ndaluar.

“Opozita është në rrjedha të rrezikut që i kanoset në zgjedhjet e radhës kurdo që mbahen, me një ndëshkim të dyfishuar, sepse populli nuk harron kush ishin ata që e zhytën vendin në korrupsion e krim të organizuar. Qeveria e tanishme që po ballafaqohet me ndërmjetësime edhe nga ndërkombëtarët për një pajtim me Serbinë, duhet të jetë më aktive për sjellje të investitorëve të huaj në Kosovë, për hapje të vendeve të reja të punës, dhe nëse ia arrin këtij qëllimi, edhe shumë vite tjera radhazi tani ka me e qeverisur vendin tonë”, përfundon Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat