“Kërcënimi” për ashpërsim të masave ndaj Kosovës/ Vjen paralajmërimi, ja çfarë pritet të ndodhë ditët në vijim!

Politika

“Kërcënimi” për ashpërsim të masave ndaj Kosovës/ Vjen paralajmërimi, ja çfarë pritet të ndodhë ditët në vijim!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 20 shtator 2023 Në ora: 11:54
Takimi i 14 shtatorit në Bruksel

Takimi i 14 shtatorit solli shumë reagime në opinonin vendor dhe atë ndërkombëtar, për faktin se nuk solli asnjë rezultat.

Një raport që nuk po normalizohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka arritur të angazhoj SHBA-të dhe BE-në, për një zgjidhje sa më të shpejt.

Për këtë Kosova tashmë gjendet nën masat ndëshkuese të BE-së, të cilat ngjallën reagime dhe u konsideruan si të padrejta.

Përfaqësuesi i lartë për Politika të Jashtme të BE-së, Joseph Borrell i ka thënë kryeministrit Albin Kurti se është i gatshëm të rekomandojë heqjen e masave nëse do të raportonte për sukses në takim.

Por, raundi i dialogut dështoi pa një ujdi, pasi siç tha blloku evropian, Kosova nuk pranoi një propozim të BE-së për marrëveshjen për normalizim, andaj nuk pati edhe lëvizje sa i përket masave.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano edhe njëherë ka thënë se Kosova nuk ka marrë hapa të mirëfilltë për shtendosjen e situatës në veri, andaj edhe masat kufizuese vazhdojnë të jenë në fuqi.

“Masat e prezantuara për Kosovën në këtë rast janë masa që janë të përkohshme, masa të miratuara nga vendet anëtare, sepse të gjithë janë pajtuar, prandaj ne tani duhet t`i përdorim jo vetëm karotat por edhe shkopinjtë. Dhe ato do të jenë në fuqi, për aq gjatë sa vendet anëtare mendojnë se janë të nevojshme, mund t`i reduktojmë, por ne po ashtu mund edhe t`i rrisim nëse situata kërkon një gjë të tillë”- shtoi ai.

Kujtojmë që Qeveria e Kosovës ishte njoftuar për masat e BE-së më 28 qershor dhe ato hynë në fillim të korrikut. Ato u vendosën për shkak të mos përmbushjes së kushteve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Tensionet në këtë zonë të banuar me shumicë serbe u rritën në fund të majit.

Por, pse gjithë kjo trysni ndaj Kosovës, a do ishte e padrejtë të shtohen masa të reja, kur po kërkohej largimi i tyre?

Elezaj: Dështimi i këtij takimi nga i cili është pritur shumë

Image
Rexhep Elezaj

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Rexhep Elezaj.

Ai u shpreh se takimi i 14 shtatorit arriti të sjellë krizë të re në dialog.

“Siç dihet, takimi i fundit Kurti-Vuçiq me 14 të këtij muaji në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, përveç se nuk solli ndonjë rezultat konkret në përafrimin e qëndrimeve mes palëve për implementimin e disa pikave të marrëveshjes bazë të 27 shkurtit në Bruksel dhe Aneksit të saj i akorduar në Ohër me 18 mars, përkundrazi ky takim solli krizë të re në dialog, për shkak të refuzimit të palës serbe të propozimit të kryeministrit Kurti për zbatim të sekuencuar të disa pikave të marrëveshjes, por edhe për shkak të mos pranimit nga ana e kryeministrit Kurti të propozimit të BE-së për fillimin e bisedimeve për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri”, u shpreh ai.

Elezaj përmend masat ndëshkuese që sipas tij janë biseduar para takimit, nëse nuk do të kishe asnjë përparim në lidhje me dialogun.

Pra, dështimi i këtij takimi nga i cili është pritur shumë se mes palëve do gjendet kompromis i pranuar për ta çuar përpara procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ka shkaktuar reagime të shumta në Bruksel dhe Uashington, por edhe kritika dhe akuza, se fajtor për dështimin e tij ishte kryeministri Kurti, i cili, gjithnjë sipas ndërmjetësuesit të BE-së, J. Borrell, nuk e ka pranuar propozimin e tij prej 7 pikave, duke deklaruar se pala serbe ka qenë e gatshme që ta pranojë të njëjtin.

Lidhur me dështimin e këtij takimi janë shprehur të zhgënjyera vendet e QUINT-it, sidomos SHBA-të, të cilat hapur kanë dalë në përkrahje të qëndrimit të BE-së, i shpallur një ditë pas takimit, se nëse palët nuk tregojnë gatishmëri për çuarjen përpara të dialogut si dhe zbatimin e marrëveshjes bazë të BE-së (franko-gjerman) dhe asaj të Ohrit, do të ballafaqohen me masa edhe më të rënda ndëshkuese, me theks të veçantë ndaj Kosovës, e cila po refuzon formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe”, shpjegon Elezaj.

Analisti më tej thotë që ky presion ndaj palëve në dialog vije edhe për shkak të luftës në Ukrainë, epilogu i të cilës varet shumë nga 27 vendet anëtare të BE-së.

“Se, pse ndaj Kosovës po bëhet e gjithë kjo trysni kaq e madhe nga ana e Brukselit, mendoj se ka disa shkaqe, por më kryesori është, sepse BE-ja me çdo kusht po dëshiron që brenda këtij mandati të kësaj legjislature të arrihet gjithsesi një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, e cila mbase do konsiderohej si sukses i madh i ndërmjetësuesve Borrell dhe Lajçak, meqë dështimi i tyre në këtë mision do të ishte dështim edhe i BE-së në menaxhimin e krizave dhe situatës së tensionuar në Ballkanin perëndimor. Pastaj, ky presion ndaj palëve në dialog vije edhe për shkak të luftës në Ukrainë, epilogu i të cilës varet shumë nga 27 vendet anëtare të BE-së, të cilat në asnjë mënyrë nuk mund ta pranojnë humbjen e rolit të tyre kryesor në Evropë, siç e kanë treguar këtë fakt nismat dhe angazhimet shumë më intensive të BE-së për përshpejtimin e procesit të zgjerimit të saj me vende të reja, përfshirë dhe 6 vendet e Ballkanit perëndimorë”, potencoi analisti.

Ndër të tjera, ai theksoi që gjëja më e keqe për Kosovën është që mund të zgjatet anëtarësimi në familjen evropiane.

“Në tërë këtë zallamahi politike në Evropë, gjëja më e keqe për Kosovën dhe aspiratat e saj për t’u integruar sa më shpejtë në familjen evropiane si dhe për ta hapë kapitullin e kandidaturës për t’u anëtarësuar në BE, është trajtimi i saj nga ana e BE-së si palë jo bashkëpunuese, mbase dhe fajtore për krizën dhe tensionet në veri të Kosovës. Duke u kthyer kështu nga një vend i privilegjuar i BE-së, në fajtor kryesor për situatën e tensionuar në veri si dhe për dështimin e takimit të fundit në Bruksel”, nënvizoi Elezaj për “Bota sot”.

Shala: Presioni do të jetë edhe më i ashpër në javet në vijim

Image
Drizan Shala

Ndërsa, nëse ky tensionim politik mund të ndikoj në situatën e sigurisë në veri të vendit, për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Drizan Shala.

Ai u shpreh se masat ndëshkuese do të ketë, në momentin që palët nuk respektojnë parimet e një procesi të bisedimeve.

“Në marrëdhëniet ndërkombëtare palët që nuk din të respektojnë parimet e një procesit të bisedimeve atëherë kjo domosdo , të reflekton në vendime të cilat mund të rrënojnë stabilitetin e ndërtuar përgjatë viteve paraprak si pasojë e naivitetit individual dhe që reflekton në procesin politik”, foli ai.

Shala thotë që presion edhe më të madh do të ketë në javët në vijim.

“Presioni do të jetë edhe më i ashpër në javët në vijim bazuar që tani BE/SHBA janë me që të qartë si kristali sa i përket vendimeve të tyre mbi këtë proces të dialogut që ka hyrë në dekadën e dytë duke mos u përmbyll në asnjë formë pozitive sipas pikave orientuese të Bashkimit Evropian”, thotë eksperti i sigurisë.

Në fund, ai përmbyll që sanksionet janë mekanzimat e vetëm që ndërkombëtarët mund t'i bindin palët në tavolinë.

“Të vetmin element /mekanizem që ka faktori ndërkombëtar për t’i bindur palët në tavolinë për një marrëveshje finale janë sanksionet qoftë për njërën apo palën tjetër në ato procese që kanë hyrë më herët me faktorin ndërkombëtar ( politik, ekonomik , siguri, mbrojtje etj. )”, përfundoi Shala për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat