“Siguria në Kosovë në koordinim me KFOR-in”, eksperti tregon “prapavijën” e deklaratës së komandantit Ristuccia

Politika

“Siguria në Kosovë në koordinim me KFOR-in”, eksperti tregon “prapavijën” e deklaratës së komandantit Ristuccia

Nga: Naile Ejupi Më: 20 shtator 2023 Në ora: 16:07
Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Angelo Ristuccia në Beograd.

“Gjithçka që lidhet me sigurinë në Kosovë, duhet të bëhet në koordinim me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR”, kështu ka deklaruar të martën komandanti i këtij misioni, Angelo Ristuccia.

Ristuccia në një konferencë për media në Beograd, u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse duhet kërkuar leja e KFOR-it kur është fjala për dërgimin e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës në veri.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, ka thënë më 7 shtator, pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani se dhjetë vjet më parë, Kosova është zotuar për të mos e angazhuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në veri, pa konsultim paraprak dhe miratim të komandantit të KFOR-it.

Ristuccia ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë është “shumë të paqëndrueshme” dhe që gjendja mund të përshkallëzohet shpejt.

Ai ka vlerësuar se ngjarjet që kanë kërcënuar me dëmtim të sigurisë, janë pasuar me përpjekje të mëdha ushtarake dhe diplomatike për të krijuar një situatë më paqësore dhe të balancuar.

“Ato vetëm e konfirmojnë që zgjidhjet politike mund të rezultojnë me paqe afatgjatë dhe stabilitet në atë zonë. Shumë ngjarje, sidomos ato të 29 majit, e konfirmojnë se zgjidhjet politike janë të nevojshme. Kjo është arsyeja pse NATO-ja dhe KFOR-i e mbështesin plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”.

Ai ka thënë se qasja konstruktive nga të dyja palët është kyçe për t’i krijuar kushtet e nevojshme për siguri të përhershme në Kosovë dhe në rajon, për të mirën e të gjithëve dhe të gjeneratave të reja.

Duke komentuar deklaratën e komandatit Ristuccia, eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se mund të konkludohet që niveli politik në Kosovë ka vepruar në bazë të një skenari.

Sipas tij, institucionet duhet të kenë koordinim në nivel strategjik për të pasur situatën e para vitit 2019.

“Niveli politik në Kosovë tani mund të konkludohet që ka vepruar në bazë të një skenari që nga fillimi i marrjes së vendimit të muajit shtator 2021 ku nga aty ishte rikthyer përherë të parë KFOR si institucione i vetëm duke larguar njësitë speciale nga pjesa veriore si pasojë e vendimit të gabuar në Bruksel. Por problematika vazhdoi edhe përgjatë 2022 dhe 2023 ku tani nga tensionet të majit të këtij viti tani është bërë e qartë që institucioni i vetëm që ka mandat dhe mision ofrimin e sigurisë publike / nacionale nuk mund të ndërmarr veprime andej ndonjë operacion pa pëlqimin dhe lejen e komandantit të KFOR. Institucionet e sigurisë do të duhej të kthejnë vëmendjen dhe komunikimin e koordinimin në nivel strategjik për të pasur një situatë të atillë siç ishte para vitit 2019 e tutje”, deklaron Shala.

Image
Drizan Shala

Situata në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, është tensionuar në fund të majit, pasi disa grupe lokale serbe kanë protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit në veri janë bojkotuar nga serbët lokalë.

Situata në veri, me raste, është përshkallëzuar në dhunë.

Situata më kritike është regjistruar më 29 maj, kur dhjetëra ushtarë të KFOR-it kanë mbetur të plagosur.

Autoritetet e Kosovës janë duke kryer hetime për të vërtetuar se kush është përgjegjës për dhunën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat