25 vite pa Ahmet Krasniqin/ Akuzat: Vrasja e organizuar nga SHISH dhe SHIK, shpresat te Specialja

Politika

25 vite pa Ahmet Krasniqin/ Akuzat: Vrasja e organizuar nga SHISH dhe SHIK, shpresat te Specialja

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 21 shtator 2023 Në ora: 07:57
Ahmet Krasniqi

Sot janë bërë 25 vite nga vrasja e Ministrit të parë të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqit, vrasja e të cilit, mbetet ende një enigmë e pa zbuluar, ani pse në vazhdimësi janë përmendur emra të ndryshëm të përfshirë në këtë rast.

Kolonel Krasniqi u vra pabesisht më 21 shtator 1998 pak para mesnate, në Tiranë. Ani pse vrasja ka ndodhur në kryeqytetin shqiptar, Shqipëria ka dështuar që ta hetojë dhe ta zbardh vrasjen e Krasniqit. Po ashtu, në këtë drejtim, e pafuqishme është treguar edhe Kosova, ku drejtësia ka dështuar plotësisht në zbulimin e vrasjeve politike.

E tash, nga bashkëpunëtorët dhe njohësit e zhvillimeve politike, Gjykata Speciale po shihet si shpresë për zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit dhe vrasjeve tjera politike që kanë ndodhur në Kosovë.

SHISH dhe SHIK përgjegjës për vrasjen e Krasniqit

Image
Saim Tahiraj

Ish bashkëpunëtori i heroit të kombit, Sali Çekaj, Saim Tahiraj, për vrasjen e Ahmet Krasniqit gishtin e drejton tek dy shërbimet sekrete, atë të shërbimit sekret shqiptar dhe SHIK-ut të Kosovës.

“Me 21.09.2023 mbushen 25 vite që nga vrasja e Ministrit të Mbrojtjes Kolonel Ahmet Krasniqit, në një pritë të organizuar mirë nga SHISH dhe SHIK. Kjo vrasje do të mbetet si vrasja më e turpshme në historinë shqiptare që tradhtisht u organizua nga pushteti i kohës në shtetit Shqiptar. U vra Ministri i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi në kryeqytetin e shtetit mëmë që aq shumë e deshi. Varrimi i Kolonel Krasniqit dhe mbyllja e hetimeve shumë shpejt, duke humbur dhe fshehur faktet dhe gjurmët e krimit, e vërtetojnë plotësisht implikimin e pushtetit aktual të kohës të shtetit shqiptar”, shprehet Tahiraj për “Bota sot”.

Por a do të hapë dosjen e Ahmet Krasniqit shteti shqiptar, vrasja e të cilit kishte ndodhur pikërisht në Tiranë?

“Nuk besoj kurrë se do e rihap dosjen e Ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqi shteti shqiptar, sepse implikimi i tij nuk e lejon këtë. Gjithashtu edhe në Kosovë nuk do të ndodhë një gjë e tillë, për arsye se ishin të koordinuar mirë drejtues të SHPUÇK-së me SHISH-n në organizimin e kësaj vrasje makabre”, thekson Tahiraj.

“Më çudit fakti se pse heshtin ish Qeveria e Kosovës, MMRK, kolegët dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të kolonel Ahmet Krasniqit. Pse nuk angazhuan avokat të njohur ndërkombëtar që të merren me mbledhjen e fakteve dhe dëshmive të dëshmitarëve në mënyrë që të hidhet në gjyq shteti shqiptar dhe bashkëpunëtorët e tij nga Kosova?, shton Tahiraj.

Sipas tij, e vetmja shpresë për zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit tani është Gjykata Speciale.

“Tani e vetmja shpresë ka mbetur Gjykata Speciale për ta trajtuar dosjen Krasniqi, uroj që kjo të ndodhë dhe të zbardhet e vërteta. Të gjithë bashkëpuntorët e Ministrit Krasniqi, ish institucionet e Republikës së Kosovës, pjesë e të cilave ishte Ministri Krasniqi, familjarë, kolegë dhe miq, duhet të mbledhin dëshmi dhe fakte, t’i bashkojnë ato dhe përmes avokatëve ndërkombëtar t’i paraqesin në Gjykatën Speciale”.

“Nëse këtë nuk e bëni dhe Gjykata Speciale nuk e trajton rastin e Ministrit Krasniqi, do bartni përgjegjësi dhe turpi nuk do ju largohet kurrë, por do ju përcjellë tërë jetën dhe pas saj. Deri sa buxheti i Kosovës po paguan shuma marramendëse për ata që Ministrit Krasniqi i thanë: "ME TY DO KRYJ PUNË SHUMË SHPEJT" dhe vërtet e kryen në Tiranë. Ndërsa të njëjtit i thanë Tahir Zemajt "ME TY KAM ME LUFTUE SI ME SHKA" dhe vërtet luftuan në Pejë duke e vrarë në një pritë tradhtisht. Atëherë po ju pyes se pse nuk ka mundësi të paguhen avokat të njohur ndërkombëtarë që të zbardhën dhe të mbrohen këto të vërteta që tani e 25 vite po bërtasin deri në kupë të qiellit "DUAM DREJTËSI"”, përfundon për “Bota sot” Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i Sali Çekajt.

Shpresa te Gjykata Speciale

Image
Nexhat Haziri

Kurse analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Nexhat Haziri për gazetën “Bota sot” fajtor e bën politikën për mos zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqt.

“Mos zbardhja e vrasjes se Kol. Ahmet Krasniqit tash e 25 vite, ka ndodhur për shkak qe nuk ka pasur vullnet politik në Kosovë e as ne Shqipëri ku është vrarë. Pra politika ka qenë ajo që ka vendosur për mos zbardhjen e kësaj vrasje si dhe vrasjeve të tjera politike në Kosovë gjatë dhe pas periudhës së luftës”, deklaron Haziri.

Sipas tij, shteti shqiptar asnjëherë nuk e ka hetuar vrasjen e Ahmet Krasniqit.

Nuk pres qe Shqipëria të hap dosjet e kësaj vrasje, sepse nuk ka çfarë të hap, pasi vrasja e kol. Ahmet Krasniqit nuk është hetuar kurrë dhe nuk iu është kushtuar vëmendje nga institucionet e drejtësisë në Shqipëri, por ajo që dihet është se në këtë vrasje ka qenë e involvuar edhe Tirana zyrtare, sidomos institucionet e sigurisë, siç ka qenë SHISH i udhëhequr në atë kohë nga Fatos Klosi. Por gjykata Speciale, shpresa e vetme që mund të hedhë dritë mbi vrasjen e kol. Ahmet Krasniqit”, përfundon Nexhat Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat