“Fundi si duket do jetë lufta”/ Analistët thonë se dialogu Kosovë - Serbi mund të përfundojë “keq” nëse nuk ndërmerret ky veprim

Politika

“Fundi si duket do jetë lufta”/ Analistët thonë se dialogu Kosovë - Serbi mund të përfundojë “keq” nëse nuk ndërmerret ky veprim

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 21 shtator 2023 Në ora: 18:18
Bisedimet Kosovë-Serbi. Bruksel, 14 shtator 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, Miroslav Lajçak se është “pozicionuar” kundër Kosovës.

Kurti ka thënë se gjatë takimit në Bruksel, Lajçak “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve] në veçanti”.

Kurse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, duke folur mbi deklarimet e Kurtit, tha se pohimet e Kurtit, i cili tha se Lajçak është ndërmjetës i njëanshëm, nuk mund të quhen akuza, ashtu siç i cilësoi Bashkimi Evropian.

Ai mbështet deklarimet e Kurti duke thënë se “Së pari, nuk mendoj që ato ishin akuza. Ishin disa konstatime të mënyrës së punës së Lajçakut. Është vërejtur, thënë të drejtën, qysh në fillim që Lajçak qëndrimet të cilat i artikulon, më shumë janë, le të themi, marrje e pozicionit të Serbisë fillimisht, e pastaj përpjekje që përmes mekanizmave të ndryshëm edhe formulimeve që ai i qetë në zgjidhjet që i propozon, të mund të jenë pikënisje e pozicionit të Serbisë, se si të mund të akomodojë në mënyrë sa më të përshtatshme pozicionimin e Serbisë”, tha ai.

Mehazi: Lajçak dhe Borrell po e këndellin Vuçiqin për të rebeluar serbët e Kosovës në veri sesa të bëjnë pajtimin e Vuçiqit me Kurtin

Profesori Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se njëanshmëria e Lajçak-ut është vërejtur edhe në takimin e Kurtit me Vuçiqin në Bruksel, duke shtuar se sjellja e tyre është e papërgjegjshme, që po bëhen dhënës të Serbisë ruse e jo ndërmjetësues të ardhur nga BE-ja.

“Se përfaqësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, hapur përkrah Serbinë u pa gjatë takimit të fundit, Kurti-Vuçiq, të 14 shtatorit në Bruksel dhe me shumë arsye politike, diplomatike e shtetërore kjo anshmëri serbe e emisarit evropian Lajçak u kritikua jo vetëm nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, por edhe nga shumë opinionistë e diplomatë evropianë e amerikanë. Nuk e dimë se pse BE-ja mohon kërkesat e Kosovës paqësore e evropiane duke përkrahur Vuçiqin luftënxitës të Serbisë ruse.

Me të vërtetë jemi duke u habitur me sjelljet e papërgjegjshme të përfaqësuesve të BE-së, Lajçakut, Borrellit, Stone të cilët po bëhen zëdhënës së Serbisë ruse e jo ndërmjetësues të ardhur nga BE-ja, aq sa kanë mbjellë dilema të mëdha se mos ndoshta lobi rus funksionon fuqishëm brenda BE-së për të futur në luftë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, thotë ai.

Për vrazhdësinë e BE-së ndaj Kosovës, profesori ngreh hipoteza duke thënë se ndoshta BE-ja po e bën këtë për ta futur në konflikt Vuçiqin me të gjithë fqinjët rreth e përqark Serbisë: Kosovën, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën, RMV-në, por edhe Shqipërinë, ose mos ndoshta po e nxisin Vuçiqin që ta sulmojnë Kurtin etj.

Image
Profesori Sulejman Mehazi

"Ne nuk mund ta dimë se pse BE-ja me vlera të shumta demokratike, juridike, politike e diplomatike është aq e vrazhdë me Kosovën, kurse shumë mikluese me Serbinë, mos ndoshta BE-ja e SHBA-ja për ta deklasuar Serbinë ruse qëllimshëm duan ta fusin në konflikte Vuçiqin me të gjitha fqinjët rrethepërqark Serbisë: Kosovën, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën, RMV-në, por edhe Shqipërinë që nuk do rri duar-kryq që janë për BE-në e jo për Serbinë ruse, mos ndoshta BE-ja e SHBA-të e nxisin Vuçiqin për të sulmuar Kurtin për një republikë 4% serbe në Kosovë e pas këtij entuziami të fitores së Vuçiqi me asociacionet operative shtetërore në Kosovë ta fusin në luftë edhe Malin e Zi për një republikë 40% serbe brenda Malit të Zi për t'ia shtuar dhe më armiqtë Serbisë që përveç shqiptarëve dhe boshnjakëve armike e Serbisë të bëhen edhe malaziasit.

Mos ndoshta BE-ja e SHBA-të për të shuar apetitet serbe-ruse në Ballkanin Perëndimor do ta fusin Serbinë në luftë me pesë ushtritë e shteteve rreth e përqark saj për të mposhtur njëherë e përgjithmonë kancerin e luftërave të ish-jugosllavisë Serbinë e Rusisë”, deklaron më tej ai.

I revoltuar me dialogun, Mehazi potencon se Lajçak dhe Borrell më shumë ngatërrojnë duke e bërë nyje dialogu sesa që pajtojnë e paqësojnë Kosovën me Serbinë, po ashtu po e këndellin Vuçiqin për të rebeluar serbët e Kosovës në veri sesa të bëjnë pajtimin e Vuçiqit me Kurtin.

“Takimet e pafrytshme të Kurtit dhe Vuçiqin në Bruksel pikërisht rrjedhën e kanë nga dy përfaqësuesit të BE-së, Lajçak dhe Borrell të cilët më shumë ngatërrojnë duke e bërë nyje dialogu sesa që pajtojnë e paqësojnë Kosovën me Serbinë, Lajçaku e Borreli më shumë këndellin Vuçiqin për të rebeluar serbët e Kosovës në veri sesa të bëjnë pajtimin e Vuçiqit me Kurtin, sipas gjithë asaj çfarë shohim del se BE-ja e SHBA-të nuk janë për paqe, por për një luftë të ashpër jo vetëm serbe-shqiptare, por për një luftë në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Siç vërehet e shihet qëllimi BE-së dhe SHBA-së është që për të shkatërruar ëndrrat ndikuese serbe-ruse BE-ja e SHBA-të qëllimshëm duan të futin në luftë Vuçiqin me të gjitha shtetet properëndimor e pro evropiane të Ballkanit Perëndimor, që përveç shqiptarëve, urrejtje ndaj serbëve të kenë edhe boshnjakët, malaziasit, e shqiptaro-maqedonasit për t'ia shtrënguar BE-ja e SHBA-të apetitet serbo-ruse në Ballkanin Perëndimor.

Nëse Serbia me 4 % serbë të Kosovës fiton republikë politike-juridike shtetërore, atëherë pa farë frike Vuçiqi do sulmonte Malin e Zi me 40% e serbëve, kurse RMV-në Serbia e merr pa farë rezistence”, nënvizon ai.

Në fund, ai shprehet se fundi i dialogut me gjasë do të jetë lufta, sepse vetëm me anë të luftës mund të zgjidhet problemi i Kosovës me Serbinë.

“Fundi i dialogut si duket do jetë lufta, vetëm me anë të luftës mund të zgjidhet problemi i Kosovës me Serbinë, edhe deklarata e fundit e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, para mediave figurativisht shprehu se nuk ka dialog me treshen: Vuçiq, Lajçak e Borrell që e ka kuptimin e përgatitjes maksimale të ushtrisë e policisë së Kosovës përballë së keqes serbe.

Për Kosovën më mirë do ishte izolimi total nga BE-ja sesa asociacionet serbe të një "srpske" republike brenda Kosovës.

Jemi të sigurt se dhe BE-ja e SHBA-të e dinë se Serbia nuk do pajtohet vetëm me "srpska" republikën 4% të Kosovës, por do sulmojë edhe Malin e Zi që brenda kësaj republike jetojnë 40% serbë, po dhe RMV-në me 80% serbë.

Pra, BE-ja e SHBA-të ose duan ta fusin në luftë me të gjitha shtetet fqinje Serbinë e cila nuk do mund të përballonte sulmet e ushtarake të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi e Bosnjë-Hercegivinës për ta shkatërruar njëherë e përgjithmonë Serbinë ose BE-ja e SHBA-të i frikohen Rusisë”, përfundon Mehazi për “Bota sot”.

Tërnava: Të ketë një rol më aktiv Amerika për t’i dhënë fund këtyre bisedimeve të pafundshme

Image
Ekspreti i sigurisë Hajrullah Tërnava

Ekspreti i sigurisë Hajrullah Tërnava në një përgjigje për “Bota sot” thotë se Kosova gjendet në situatë konfliktuoze me Serbinë.

Ai thekson se edhe dialogu që po zgjat tash e sa vite po rezulton pa ndonjë sukses.

“Situata politike në të cilën tani ndodhet Kosova, është që kërkon kohë për zgjedhjen e problemit konfliktuoz me Serbinë, sepse po kjo Serbi e cila në vitin 1999 ishte bombarduar nga NATO, si shkak humanitar që ta shpëtojë Kosovën nga ato veprime kriminale që Serbia i kryente masakra dhe gjenocid ndaj popullit shqiptar, edhe që tani kanë kaluar mbi 23 vite dhe Kosova është e lirë me ndihmën e NATO-së, tani sovranitetin e Kosovës e garanton KFOR-i si pjesë përbërëse e NATO-së që është.

Ndërmjetësimet që po i udhëheqin përfaqësuesit e shteteve të BE mes Serbisë dhe Kosovës që nga çlirimi e deri më tani, po nënkuptojnë se janë të vështira dhe pa një sukses të dukshëm.

Ndonëse që pavarësinë e Kosovës e kane njohur 118 shtete të botës, megjithatë një pajtim me Serbinë është shumë i nevojshëm, sepse në ato pjesë të veriut që janë të banuara me serbë, e që Serbia për këtë arsye ka pretendime që ato pjesë t’i bashkëngjiten Serbisë, sepse në ato pjesë shtrihet Trepça si pasuri nëntokësore e Kosovës dhe Ujmani që janë pjesë shumë të vlefshme të Kosovës”, thotë ai.

Më tej, ai shprehet Kosova duhet ta ketë durimin deri në mbarimin e këtyre bisedimeve, duke shtuar se edhe emisarët i kontrollon dikush, megjithëse këto politika duhen të jenë të udhëhequra dhe të ndërmjetësuara në mënyrë profesionale nga Amerika dhe BE .

“Dialogimi që po zgjat tash e shumë vite, të cilin po e udhëheqin dy përfaqësues që shtetet e tyre nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, sikur Lajçak nga Sllovakia dhe Borrell nga Spanja, e që në këto bisedime janë vet ata aktiv dhe herë herë në ato bisedime popullatës së Kosovës iu përngjajnë që Serbisë po ia “mbajnë krahun”.

Pas kritikave që i bëri Kurti Lajçak-ut, edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se Lajçak po e kryen punën në mënyrë të papërgjegjshme. Këto të thëna janë dyshime të shumë kosovarëve, por nëse është definicioni i politikës se “politika është art i të së mundshmes” atëherë kosovarët duhen ta kenë durimin deri në mbarimin e këtyre bisedimeve, sepse edhe këta përfaqësues të këtyre dy shteteve janë nën kontrollin e atyre që i kanë emëruar t’i udhëheqin këto bisedime, e që e kanë për qëllim që Serbinë ta bindin që të mos jetë përkrahëse e Rusisë, e cila mbi një vit e gjysmë e ka bërë agresion ndaj Ukrainës, prandaj këto politika duhen të jenë të udhëhequra dhe të ndërmjetësuara në mënyrë profesionale nga Amerika dhe BE për të arritur ato qëllime që lufta mos të eskalojë dhe mos të zgjerohet, dhe të arrihet një pajtim efikas mes shteteve Serbi-Kosovë.

Është normale që kryeministri Kurti duhet në mënyrë dinjitoze ta mbrojë çdo cep të vendit tonë se për këtë e obligon kushtetuta dhe me mënyrën si është duke i udhëhequr bisedimet në interes të Kosovës e ka përkrahjen e çdo shteti tjetër, sepse populli që ia ka dhanë votën me mbi 51% e ka obliguar që t’ua mbron interesat e shtetit te Kosovës”, thotë ai.

Por, Tërnava në fund thotë se, për t’i ardhur fundi më shpejt dialogut duhet të angazhohet vet SHBA, duke shtuar në këtë situatë të këtyre dialogjeve do të ndikojë edhe situata luftarake e Rusisë dhe e Ukrainës.

“Çështja se a duhet të zëvendësohet Lajçaku, si edhe Borrelli, politikanët tonë nuk duhet të merren me këtë çështje, sepse ata janë në lidhje të vazhdueshme me ata që ju japin urdhra sepse përfundimi i bisedimeve varet se si do të jetë, por ata që i kanë emëruar në ato poste e dinë mirë shkakun dhe pa qenë ata të besueshëm të tyre, ata s’do te emëroheshin në ato poste.

Dialogu do të vazhdohet deri të përfundojnë me sukses ato bisedime për t’u realizuar marrëveshja e Ohrit, por mund të ketë ndryshime dhe angazhime edhe të tjerë ndërmjetësuesve, apo një rol më aktiv mund ta ndërmerr vet Amerika për t’i dhënë fund këtyre bisedimeve të pafundme deri më tani. Por, gjithnjë në këtë situatë të këtyre dialogjeve do të ndikojë edhe situata luftarake e Rusisë dhe e Ukrainës, e që shihet qartë se Ukraina duke e pasur përkrahjen e shumë shteteve të botës në krye me Amerikën, ajo do t’ia arrijë qëllimit të saj, dhe t’i kthej ato vende që ia kishte okupuar Rusia vite më parë Ukrainës, sepse ditëve të fundit po shihet qartë lufta e ashpër e Ukrainës ndaj Rusisë dhe dëmet që është duke ia shkaktuar”, përfundoi Tërnava

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat