Eksperti tregon metodën që përdori Serbia për sulmin terrorist në veri të Kosovës, kjo është thirrja e tij

Politika

Eksperti tregon metodën që përdori Serbia për sulmin terrorist në veri të Kosovës, kjo është thirrja e tij

Nga: P.Rudi Më: 25 shtator 2023 Në ora: 22:14
Foto ilustrim

Të dielën pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku u vra dhe disa u plagosën në përleshjet me një grup terrorist serb të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, gjegjësisht në fshatin Banjskë.

Nga 30 terroristët sa ishin pjesë e këtij grupi, 4 kanë mbetur të vdekur ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.

Kurse sipas Ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, anëtarët tjerë të grupit terrorist janë arratisur në Serbi, për çka ka kërkuar nga shteti serb dorëzimin e tyre tek autoritet e Kosovës.

“Asnjë person civil s’është lënduar nga ky aksion, e sipas informatave të deritashme, 6 terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi pazarit. Kërkojmë nga Serbia që ata t’ua dorëzojë menjëherë autoriteteve të Kosovës që t’i përgjigjen drejtësisë për aktet e tyre terroriste. Poashtu, edhe çfarëdo pjesëtari i këtij grupi që ka arritur të ikën në Serbi, kërkojmë nga Serbia të dorëzojë”, ka thënë Sveçla.

Pas këtij sulmi terrorist, eksperti i sigurisë Drizan Shala thotë se tani është e qartë se agresori i vetëm është Serbia.

“Situata politike në arenën ndërkombëtare për palën e Kosovës është tani e qartë që agresioni i vetëm në drejtim të institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare është Beogradi dhe politika zyrtare e tij. Dhe kjo domosdo do të reflektojë edhe të faktori ndërkombëtar që duhet presionin ta paraqesin të Serbia, e jo siç është duke ndodhur tani”, shprehet Shala.

Image
Drizan Shala

Sipas tij, terroristët ishin të kontraktuar nga shteti i Serbisë.

“Në aspektin e sigurisë mund të thuhet që tani struktura uniformuese e Beogradit që ka vepruar në territorin e Kosovës ka fytyrën e saj dhe shihet që këtu shteti i Serbisë ka vepruar përmes kësaj metode që duke përdorur mercenarë apo kontraktorë si Wagner, të kryejnë veprime kriminale terroriste në territorin e Kosovës”, thekson Shala për “Bota sot”.

Për fund, Shala ka një thirrje publike drejtuar skenës politike në Kosovë.

“Institucionet e Kosovës duhet të ulen në nivelin politik për të gjetur një unitet edhe me grupet tjera brenda Parlamentit të Kosovës për të dalur si një trup përball sfidës se radhës që është përmbyllja e dialogut dhe procesit me Serbinë por edhe me BE”, përfundon për “Bota sot” eksperti Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat