“Pas terrorit, Serbia të dënohet”/ “Alarmon” profesori: Të rishikohen këto dy marrëveshje – Dialogu të pësojë ndryshime!

Politika

“Pas terrorit, Serbia të dënohet”/ “Alarmon” profesori: Të rishikohen këto dy marrëveshje – Dialogu të pësojë ndryshime!

Më: 7 tetor 2023 Në ora: 12:26
Foto ilustrim

Në samitin që është mbajtur në Spanjë është diskutuar edhe për raportet e tensionuara mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe sulmin ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh në veri të Kosovës më 24 shtator.

Disa nga liderët kanë kërkuar që BE-ja “të reagojë patjetër për atë që ka ndodhur“, dhe duke kërkuar që të ulen tensionet dhe palët t'i kthehen procesit të normalizimit.

Profesori Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se zërat që u dëgjuan në Parlamentin e Evropës ishin të qartë se Serbia duhej sanksionuar në mënyrë që të ruhej paqja në Ballkan.

Ai shton tutje, se faktet po tregojnë se rasti i agresionit të terroristëve serbë ka bërë kthesë pozitive në raportet dhe pozitën e Kosovës dhe të Serbisë.

“Zërat që dëgjohen në Parlamentin e Evropës janë në vijën e ruajtjes së paqes dhe të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Në parlament kishte mendime se nuk duhet lejuar ndonjë autonomi për minoritetin serb në Kosovë. Arsyeja e diskutimit të tillë mbështetej në rrezikimin e shtetit, duke u vu kjo autonomi nën komandën e shtetit serb. Deputeti kroat, z.Ilcic Ladislav tha: "Duhet thënë qartë se pas sulmeve të fundit terroriste serbe, asnjë autonomi serbe në Kosovë nuk është e mundur. Do të ishte thjesht një faktor paqëndrueshmërie në telekomandën e Beogradit. Le t’i japim shansin një Kosove demokratike, dhe kjo bëhet e mundur vetëm me prerjen e të qarave të oktopadit të Serbisë së madhe".

Mendim të përafërt kanë shprehur edhe disa deputetë të tjere austriakë dhe gjermanë, shumë socialdemokratë evropian në Parlamentin e UE-së. Disa udhëheqës të shteteve në takimin në Spanjë kërkuan dënimin e shtetit serb. Kryeministri kroat kërkoj për shkak të aktit agresiv e terrorist në Banjskë të Zveçanit sanksione ndaj shtetit serb. Kjo, në mënyrë që të kuptohet pozita dhe detyrat e Serbisë. Reagime pati edhe nga Ministrja e Punëve te Jashtme të Gjermanisë, nga deputetët anglezë, senatorë e kongresmen amerikan. Pritet edhe një Rezolutë e Parlamentit të Unionit të Evropes të nxirret mbi gjendjen e krijuar në Kosovë nga shteti serb. Faktet tregojnë se rasti i agresionit të terroristëve serbë ka bërë kthesë pozitive në raportet dhe pozitën e Kosovës dhe të Serbisë. Kjo gjendje e krijuar nga Serbia rrezikoi tërë strukturën e sigurisë në rajon.

NATO po dërgon forca të reja në veri me kufirin serb. Anglia po e rritë numrin e ushtarëve në KFOR në 600. Edhe Turqia ka dërguar forca të reja. Pritet që edhe RF e Gjermanisë të dërgon ushtarë të tjerë në Kosovë”, shprehet profesori.

Më tej, Kelmendi thotë se Serbia bëri terror në Kosovë dhe u pa se ajo e përdor minoritetin serbë vetëm për veprime terroriste.

Sipas tij, qëllimi i gjithë këtij sulmi ishte ndajra e veriut.

“Gjendja po vihet nën kontroll.

Por, pa e bërë të qartë dhe pa dënuar shtetin serb nuk ka paqe. Këtu mendoj në marrjen e sanksioneve ndaj Serbisë dhe përgjegjësëve në Serbi. Natyrisht se kërkohet të rishikohet edhe Marrëveshja e vitit 2013 dhe 2015, sikundër edhe plani Franko-Gjerman, ku shihet një lloj autonomie për minoritetin serb në veri të Kosovës.

Terrori i bërë në Banjskë është shembull se si Serbia e keqpërdor këtë minotitet në veprime terroriste kundër Republikës së Kosovës. Shteti serb u tregua shtet terrorist që angazhohet kundër çdo parimi të UE, NATO-së dhe të Evropës si kontinent. Serbia e futi në zbatim metodën e njejtë të agresionit terrorist, si rusët në Krime, në Donesk, në Luhansk dhe në vendet tjera të Ukrainës.

Pushtimi i veriut të Kosovës ishte programuar dhe planifikuar në Beograd. U veprua me një agresivitet të theksuar terrorist. Shteti i Kosovës ishte në rrezik. Qëllimi është pushtimi dhe ndarja e veriut. Terroristët ikën. Ikën në Serbi. Disa shkuan në spitale dhe të tjerët u kthyen tek shteti terrorist serb. Mbeten edhe tre terroristë të vrarë. Serbia nuk i kapi. Nuk po i kthen në vendin e terrorit. Mbajti si shtet edhe ditë zie për të terroristët e rënë e Banjskë të Kosovës”, deklaron ai.

Në fund, ai shton se u tregua një Serbi që nuk është vend paqësor, duke potencuar se terroristët kërkohen të ekstradohen në Kosovë dhe dialogu të pësoj ndryshime edhe nga ndërmjetësit.

“Kështu doli në shesh një Serbi terroriste dhe tregoi se është organizatore dhe komanduese e terroristëve në Ballkan. Thjesht u tregua se Serbia nuk është vend paqësor dhe nuk punon për fqinjësi të mirë. U pa terrori.

Këtej duhet të pësoi ndryshim dialogimi dhe ndërmjetësit. Paraprakisht kërkohen të vihen masa ndaj Serbisë. Terroristët kërkohen të ekstradohen në Kosovë dhe kuptohet se tërë plani i deritashëm i dialogimit të pësojë ndryshime.

Bazë e dialogimit kërkohet të jetë njohja reciproke dhe respektimi i shtetësisë; garantimi i paqes dhe i intergritetit territorial. Në Kosovë nuk duhet lejuar autonomi, shtet në shtet; sistem federativ a konfederativ. Kosova është dhe duhet të mbetet shtet dy shkallësh”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat