U la i lirë nga Serbia, eksperti paralajmëron rikthimin e Radoiçiqit në Kosovë?

Politika

U la i lirë nga Serbia, eksperti paralajmëron rikthimin e Radoiçiqit në Kosovë?

Nga: P.R Më: 8 tetor 2023 Në ora: 10:09
Milan Radojçiq

Udhëheqësi kryesor i grupit terrorist serb, i cili sulmoi Policinë e Kosovës në veri të Kosovës më 24 shtator, Milan Radoiçiq është lënë i lirë nga gjykata në Beograd, ku është arratisur pas sulmit në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vdekur polici Afrim Bunjaku.

E lënia e lirë e Radojeçiqit po shihet si një rrezik për Kosovën. Këtë po e paralajmëron eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

“Procesi është duke marrë epilogun i cili është ditur që në fillim nga aktivizimi i organeve të ndjekjes në Beograd , duke arsyetuar çdo veprim të grupit terrorist ushtarak si veprim të ndërmarrë vetëm të pjesa e posedimit të armatimit e assesi të elementi kryesor që është veprimi diversant terrorist në territorin shtetëror të Republikës se Kosovës”, thotë Shala.

Sipas tij, lirimi i menjëhershëm i Radoiçiqit, dëshmon fuqinë që ai ka në Serbi.

“Lirimi më masa të sigurisë (që janë qesharake) dëshmon që influenca e Radoiçiqit brenda sistemit shtetëror është i pakontestueshëm dhe që arrin deri te Aleksandër Vuçiq dhe klani i Zemunit, përmes veprimeve kriminale që i ka shërbyer në vazhdimësi këtij projeksioni”, shprehet Shala.

Më tej, ai u bën thirrje institucioneve në Kosovë që të marrin masa kundër rikthimit të Radoiçiqit në Kosovë.

“Institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprime konkrete që rikthimi i tij në një format tjetër është i pa kontestueshëm, prandaj duhet të ndërmarrim veprime edhe të ndjekjes ndërkombëtare”.

“Rikthimi i tij do të jetë gjithmonë opsion dhe potencial në rast që nuk jemi të vëmendshëm në terren, atëherë skenarët mund të na rrezikojnë dukshëm sigurinë nacionale”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat