Strategjia për ndarjen e Kosovës/ “Toka e askujt”, a është ky plani që po synon ta realizojë Edi Rama?

Politika

Strategjia për ndarjen e Kosovës/ “Toka e askujt”, a është ky plani që po synon ta realizojë Edi Rama?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 9 tetor 2023 Në ora: 08:02
Aleksandër Vuçiq, Albin Kurti dhe Edi Rama

Sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, veriu i Kosovës është shndërruar në ‘tokë të askujt”.

Kështu është shprehur Rama në një intervistë dhënë mediumit Financial Times, pjesë kjo e cila së fundi ishte cak i një sulmi terrorist serb, sulm ky që synonte të aneksonte komplet pjesën veriore të Kosovës.

“NATO duhet të rivendosë kontrollin e veriut të Kosovës ose të përballet me dhunën e vazhdueshme midis serbëve etnikë dhe shqiptarëve në rajon. Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve veriu është bërë toka e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”, deklaroi Rama për Financial Times.

Plan për ndarjen e Kosovës

E sipas doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, krejt ky është një plan që synon ndarjen e Kosovës.

Image
Gurakuç Kuçi

Ishte një plan i njohur më herët mes Ramës, Thaçit dhe Vuçiqit, që përfshinte idenë e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, por që në të vërtetë kishte një qëllim të fshehur. Pas ndarjes së Kosovës nga Mali i Zi, ku Kosova humbi një zonë të rëndësishme strategjike në perëndim dhe burime ujore, synimi ishte që Kosova të hendikepohet edhe në pjesën veriore. Përveç rëndësisë strategjike, ky vend ka burime ujore të pasura, energji dhe burime minerale të rëndësishme”, thotë Kuçi për “Bota sot”.

“Kjo do të bënte që Kosova të kishte mungesë në burime kryesore për prodhimin e energjisë elektrike, të humbte burimet natyrore të Trepçës, do ta bënte Kosovën një shtet të dobët ekonomikisht që veç ishte dhe është dhe pastaj Kosova në emër të bashkimit kombëtar do të detyrohej të bashkohej me Shqipërinë për të mbijetuar. Megjithatë, kjo nuk do të ishte një bashkim i barabartë, por Kosova do të ishte si një shtesë për Shqipërinë dhe jo një pjesë integrale e kombit shqiptar”, shton Kuçi.

Siç thotë ai, kjo strategji po vazhdon edhe sot, prandaj Edi Rama po përpiqet që të gjejë mënyra që ta realizojë synimin e tij.

“Kjo strategji vazhdon të jetë aktuale, pasi Serbia pranon ndarjen e Kosovës dhe bashkimin e një pjese me Shqipërinë, por nuk dëshiron të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe synon të shkëpusë zonën veri-lindore të saj. Rama ende ka interes në këtë strategji dhe po përpiqet të gjejë mënyra për ta realizuar. Pas dështimit të bashkëpunimit të tij me Thaçin dhe Vuçiqin, ai provoi të shfrytëzojë Ballkanin e Hapur, por edhe kjo nuk arriti suksesin e dëshiruar. Tani ai po përpjeket që ta bëjë zonën veriore të Kosovës të kontrollohet vetëm KFOR-i, duke e kaluar gradualisht nën kontrollin e Serbisë, dhe të realizohet kjo në një konferencë ndërkombëtare”, shprehet doktor Kuçi.

Për fund, Kuçi deklaron se Edi Rama nuk duhet të merret me çështjen e Kosovës, përderisa veriun e saj e konsideron ‘tokë të askujt’.

Pra, të gjitha këto ngjarje janë një komplot i fshehur, një lloj eklipsi që vazhdon të kërkojë mënyra për të mbizotëruar mbi Kosovën. Kosova nuk është tokë e askujt por është e popullit të saj dhe veriu është pjesë e sovranitetit të Kosovës, kush e mendon të kundërtën duhet të mendohet seriozisht që të i kërkohet të mos merret më kurrë me çështjen e Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

‘Thikë’ pas shpine për Kosovën

E kritika të ashpra ndaj qasjes së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama ka edhe analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri.

Image
Gani Qarri

Në fakt i llastuar nga mbështetja që merr në vijimësi prej ahmakëve të Thaçit dhe opozitarëve pro-serb në Kosovë, si dhe sjelljet e buta e të pavendosura të shtetit të Kosovës, filoserbi më i madh që ka njohur historia e re e shqiptarëve Edvin Kristaq Rama, ka kohë që me çdo mundësi dhe mjet, lufton ti imponohet në çdo rast që ndodhë, me forcë Kosovës si padron, duke folur vend e pa vend dhe fare pa radhë në emër të saj. Është mjaft mirë e njohur për mbarë opinionin, por edhe tepër shqetësuese për shtetin tonë të brishtë, se si vet Edvin Kristaq Rama, në njërën anë ishte i pari, që i vendosi sanksione Republikës së Kosovës kurse në anën tjetër, ishte po ky musketar i padëshiruar dhe shumë i dyshimtë për qytetarët e Kosovës, i cili pa fije turpi, qysh në fillim të qershorit, kokë më vete, dhe pa asnjë komunikim me Qeverinë e Kosovës, dërgoi në Bruksel edhe një draft projekt për formimin e "zajednicës" kundër kushtetuese një etnike serbe në Kosovë”, thotë Qarri.

Sipas tij, edhe sot Edi Rama po vazhdon qasjen e njëjtë anti Kosovë.

“Ndaj ajo që vazhdon ta brengosë fort shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj, është fakti se sivëllai i Vuçiqit, Edvin Kristaq Rama, vazhdon me propagandimin e tij mizantrop anti-Kosovë, dhe shpif, fjalor nga më të ashprit kundër shtetit të Kosovës, duke e quajtur herë Kosovën, si "tokë e askujt" herë veriun e saj, fyerje fundamentaliste e pasaktë dhe pafundësisht poshtëruese, të cilën për mbi një dekadë dilaog, as vet armiqtë më të mëdhenj të Kosovës, nuk e kanë shpifur deri më tani”.

Dhe përderisa ai kritikohet ashpër edhe në Shqipëri, për sjelljet, qëndrimet dhe deklarimet e tij armiqësore, kundër Kosovës, të vetmit që Edvin Kristaq Rama, edhe sot vazhdon ta gëzoj përkrahjen e tyre, mbeten këshilltarët ahmak të të burgosurit të Hagës, të akuzuar për vrasjen e shqiptarëve, nënshkruesin e marrëveshjes dhe miratuesin me mbi 80 vota të deputetëve në Kuvend, të "zajednicës"”, shton Qarri.

Siç thotë Qarri, kjo është edhe një ‘thikë’ pas shpine për Kosovën nga kryeministri shqiptar.

Prandaj nuk do mend se kjo është vetëm edhe një thikë më tepër pas shpine, e jashtëtokësorit Edvin Kristaq Rama në kurriz të Kosovës dhe një tradhti më shumë në koleksionin e tradhtive të mëdha të një kryenarkodileri shqipfolës, ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, i cili nuk synon asgjë më pak, se sa plotësimin e dëshirave të Serbisë dhe realizimin e planit famëkeq të treshes kolaboratore Vuçiq, Thaçi Rama, për ndarjen përfundimtare dhe faljen e veriut me resurset më të mëdha ujore e minerare të Kosovës, Serbisë hegjemoniste, akt të cilin me çdo mjet dhe mundësi, duhet ta pengoj Kosova dhe miqtë e dashamirët e saj, ndërkombëtar, duke ia dhuruar në vend të tokave të Kosovës, me të dy duart si peshqeshin më të qëlluar, Edi Ramën Serbisë!”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat