Sulmi terrorist, këto janë masat që duhet të merren ndaj Serbisë/ “Paralajmërohet” Putini e Vuçiqi, ja çka i pret

Politika

Sulmi terrorist, këto janë masat që duhet të merren ndaj Serbisë/ “Paralajmërohet” Putini e Vuçiqi, ja çka i pret

Nga: Naile Ejupi Më: 9 tetor 2023 Në ora: 23:27
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Kanë kaluar javë që nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ndërsa Serbia e shumë terroristë ende nuk janë ndëshkuar.

Bashkimi Evropian po pret që të përfundojnë hetimet, pastaj të merren masat për Serbinë, Kosovën e dialogun në përgjithësi.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano të hënën, ka theksuar nevojën për bashkëpunim të plotë dhe të pakushtëzuar nga Serbia lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

“Nuk është vetëm se presim bashkëpunim të plotë nga Serbia, por gjithashtu edhe bashkëpunim të pakushtëzuar. Nëse ka vullnet, mund të gjenden edhe mënyrat, por nuk mund të fshiheni prapa formaliteteve si ‘njohja’ ose ‘mosnjohja’”, ka deklaruar ai.

Zyrtari i BE-së ka thënë se ngjarja e 24 shtatorit është diçka shumë serioze dhe duhet të sqarohet plotësisht, pasi do të ketë pasoja të mëdha.

“Ka mënyra të shumta se si mund t’i ndani gjetjet tuaja, si mund të bashkëpunoni dhe kontribuoni në hetim të plotë, pasi ajo që ndodhi më 24 shtator, ishte diçka shumë serioze dhe që duhet të qartësohet plotësisht, pasi do të ketë pasoja”, ka thënë tutje ai në një konferencë për media.

Stano gjithashtu ka thënë se BE-ja nuk do të komentojë fazat individuale të hetimeve ose numrin e personave të ndaluar, por pret bashkëpunim të plotë dhe të pakushtëzuar për të zbardhur ngjarjen.

“Do të ketë pasoja, kështu që do të duhet të hetohet plotësisht dhe nuk do të komentojë fazat individuale të hetimeve, se sa persona janë ndaluar e sa jo. Pozicioni i BE-së, është i qartë tash e disa herë, ne presim bashkëpunim të plotë e të pakushtëzuar nga Serbia dhe kushdo tjetër, që të përfundojnë hetimet sa më shpejt, që të kemi një pasqyrë të qartë se çka ndodhi, pse ndodhi, kush po merrte pjesë, kush po e orkestronte. Dhe duke u bazuar në këtë, Bashkimi Evropian do të vendosë se cili do të jetë hapi i radhës ndaj Serbisë, Kosovës, dialogut dhe rajonit”, ka deklaruar Stano.

Analisti politik, Skënder Mulliqi thotë se Serbia duhet të ndëshkohet me masa ekonomike, madje edhe me izolim të pushtetit kriminal të Vuçiqit.

Sipas tij, BE po e neglizhon këtë çështje.

“Serbia nuk po mëson nga e kaluara e saj gjenocidiale. E dimë të gjithë së çka na solli një logjikë e tillë mesjetare serbe. Edhe sot, Serbia po vepron me të njëjtin mentalitet, me logjikë të njëjtë, me argumente të pa baza. Ngjarja e fundit terroriste në Banjskë, ka shpërfaqur edhe njëherë logjikën shoviniste serbomadhe ndaj tokave shqiptare. Vuçiqi gjithmonë e ka mendjen te dhuna, me të cilin mjet serbet nuk kanë mundësi më t’ia arrijnë qëllimit. Tash Kosova dhe shqiptarët janë në një pozitë krejt tjetër shumë më të mirë. Kemi shtetin tonë, me organet tona, të cilat e mbrojnë çdo pëllëmbë të vendit. A dinë Vuçiqi këtë gjë apo jo, tek e fundit nuk është më rëndësi. Diçka që e dinë mirë është se pas aktit terrorist më të cilin dështoi në ndarjen e veriut të Kosovës, është fakti se do të pësojë edhe më turpshëm në ndonjë agresion tjetër shtetëror ndaj vendit tonë. Ende nuk pamë nga bota perëndimore, që Serbia të ndëshkohet me masa ekonomike, dhe madje me izolim të pushtetit kriminal të Vuçiqit. BE-ja po neglizhon në këtë drejtim edhe pse i është bërë e ditur mirë nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, se nuk do të këtë vazhdim të dialogut nëse Serbisë nuk i vihet embargo ekonomike, e Kosovës t’i hiqen”, deklaron Mulliqi.

Image
Skënder Mulliqi

Ai bën lidhje të akteve terroriste të Hamasit në Izrael, që sipas tij është kundërvënie e Putinit ndaj botës perëndimore.

“Si duket Rusia e Putinit ka sinkronizuar aksionet e agresionit shtetëror të Serbisë në veri në njërën anë, me aktet terroriste të Hamasit mbi Izraelin në anën tjetër. Putin është i interesuar jetikisht që të shpërndajë sa të këtë mundësi flakët e luftës në Ballkan, dhe tash në Izrael, si kundërvënie ndaj botës perëndimore. Rusia pa një shpërthim të ndonjë lufte të re, e ka të sigurt se do të humb luftën në Ukrainë. Me këtë logjikë Putini do të dalë humbës, se lufta e tij është luftë pushtuese ndaj vendeve sovrane. Është iluzion në kokën e tij nëse mendon që bota perëndimore do të heshtë ndaj tendencës së hapur për kthimin e ndikimit të humbur të ish Bashkimit Sovjetik. Atë epokë të errët e ka mbyllë reformisti, Mihael Gerbaqov”, thekson analisti.

Tutje, ai presidentin serb e quan “Putini i vogël i Ballkanit”, gjersa shton se apetitet e serbëve janë shtuar.

“Edhe Putini i vogël i Ballkanit, Vuçiq është duke përdorë logjikën e diktatorit rus për bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet, apo realizimin e idesë për botën serbe. Serbisë iu kanë shtuar apetitet sidomos pas invazionit rus në Ukrainë. Ardhja në pushtetin e Malit të Zi të Millatoviqit, në Bosnjë Republika Serpska, po e kërkon pa reshtur shkëputje nga Millorad Dodik, kurse në veri të Kosovës , presidenti serb, po vepron që më dhunë të ndanë veriun e Mitrovicës nga jugu. Këto nisma serbomëdha në rajon nuk do të lejohen të realizohen nga NATO, kur dihet për interesat gjeopolitike dhe gjeostrategjike të BE-së, dhe veçmas të Amerikës në Ballkanin Perëndimor. Ka ardhur koha që të bëhen hapa konkret nga BE-ja , e cila shumë e ka përkëdhelur Serbinë në maratonën e dialogut me Kosovën .Është iluzion nëse kjo strukturë evropiane nëse mendon se regjimi i Vuçiqit do të diferencohet nga regjimi i Putinit, kur dihet për lidhjet e tyre tradicionale miqësore e vëllazërore. Agresioni serbomadh i ushtrisë serbe, Putinit, VOA,BIA, policisë, Listës Serbe, edhe pse Vuçiqi po e mohon, kanë dështuar në këtë ngjarje tragjike për ndarje të Kosovës. Këto formacione të Serbisë, në krye me Vuçiqin dhe Radoiçiqin të cilin e ka shpallur Serbia hero, do të thyhen edhe më turpshëm, sa herë që do të pretendojnë të pushtojnë Kosovën. Realizmi i elaborateve shfarosëse qubriliqiane , dhe Memoradumi e SANU i vitit 1986, kanë vdekur”, shton Mulliqi.

Kujtojmë se më 24 shtator, një grup terrorist sulmoi njësinë patrulluese të Policisë së Kosovës në një rrugë në fshatin Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Më pas, grupi i terroristëve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë.

Gjatë përleshjeve, sipas Policisë së Kosovës, janë vrarë tre sulmues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat