“Alarmon” analisti: Serbia në veprim për të bashkuar botën serbe/ Ja vendet që rrezikohen

Politika

“Alarmon” analisti: Serbia në veprim për të bashkuar botën serbe/ Ja vendet që rrezikohen

Nga: Naile Ejupi Më: 10 tetor 2023 Në ora: 22:05
Aleksander Vuciq

Kosova dhe Serbia duhet të kthehet në tryezën e dialogut, kjo pasi është mënyra e vetme për normalizim të marrëdhënieve, kështu ka deklaruar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Ai ka thënë se kthimi në dialog është mesazhi i qartë i bllokut evropian dhe të gjitha vendeve partnere për Kosovën e Serbinë.

“Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell në Granada kishte një takim me presidenten Osmani dhe po ashtu edhe me presidentin serb, Vuçiq dhe mesazhi i tij ishte po ashtu mesazh nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe partnerët ndërkombëtarë, që të dyja vendet, Kosova dhe Serbia të kthehen në dialog. Është mënyra e vetme e dukshme për normalizim të marrëdhënieve. Kthimi në dialog është mesazhi i qartë për të dy vendet. Ju duhet të ktheheni në dialog, në të kundërtën nuk do të zgjidhni mosmarrëveshjet. Gjëja e dytë shumë e rëndësishme është thirrja e vazhdueshme për deeskalim”, ka thënë Stano të martën në një konferencë për media.

Bashkimi Evropian këmbëngul se do ta shqyrtojë mundësinë e vendosjes së masave ndaj Serbisë pasi të kenë përfunduar të gjitha hetimet rreth sulmit mbi policinë e Kosovës më 24 shtator.

Stano tha se presion nga Serbia bashkëpunim të plotë dhe pakushte në këtë drejtim.

“Pritjet tona nga Serbia nuk është se ne presim bashkëpunim të plotë, por presim bashkëpunim pa kushte nga Serbia, e kur ka vullnet ka dhe rrugëdalje. Nuk ka nevojë askush të fshihet prapa çështjeve formale si njohja apo mosnjohja e një shteti, ka mjaft mënyra se si mund të ndash të gjeturat tua, si mund të bashkëpunosh dhe të kontribuosh në hetimin e plotë. Kjo ishte diçka aq serioze që ndodhi më 24 shtator duhet të qartësohet plotësisht sepse do të ketë pasoja. Duhet të hetohet plotësisht. Nuk do të hyj në komentime individuale, por pozicioni i BE-së shumë qartë disa herë kemi thënë se presim bashkëpunim të plotë dhe pakushte nga Serbia që hetimi të përfundojë sa më parë dhe të kemi një pasqyrë të qartë se çfarë, ndodhi, si ndodhi, kush mori pjesë dhe bazuar në këtë BE-ja do të vendosë për hapat e ardhshëm”, ka thënë Stano.

Në anën tjetër, analisti politik Muhamet Kelmendi, ka folur rreth synimeve të Serbisë.

Sipas tij, ajo përveç se dëshiron të shtrihet mbi Kosovën, synon edhe territore tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Serbia synon pushtimin e tërë shteteve të Ballkanit Perëndimor, mbi bazën e vendimeve të Versait të vitit 1919 në Paris, si dhe të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër të vitit 1914. Politika raciste e shtetit të madh serb nuk shtrihet vetëm mbi Kosovën, por edhe mbi territoret tjera të Ballkanit Perëndimor, deri edhe mbi Shqipëri për të dalë në Durrës. Sipas Beogradit, kërkohet që Kosova të humb shtetin dhe të futen nën regjimin serbomadh. Po kështu është edhe pikësynimi serb mbi Bosniën e Hercegovinën. Ky shtet konsiderohet nga Serbia një vend serb. Pikësynimi serb pushtues i njëjte është edhe ndaj Malit të Zi dhe shtrihet deri te Maqedonia e Veriut, duke pretenduar që Serbia të dali edhe në Durrës. Politika e tille është bërë në Serbi nga shumë politologë, politikanë, akademikë serbë, akademi dhe neofashist, si Cubrillovici, Ivica Andric, Cosic, Molloshevic dhe po vazhdon nga klika e Vuçiqit”, shprehet Kelmendi.

Ai risjellë deklaratat e disa ndërkombëtarëve pas sulmit terrorist në Kosovë, gjersa shton se pikësynimi serbomadh është shumë i dukshëm.

“Në deklaratën e Kryeministrit kroat, deputetëve në PE, shumë politikologeve gjermanë e austriakë, krahasohet veprimi terrorist në Banjskë të Kosovës me verën e vitit 1990 kur paramilitarët serbë i kishin zënë pritën disa oficerëve policorë kroatë, që i parapriu luftës në Kroaci në qershor të vitit 1991. Këtë mendim e shprehu edhe Aleksandër Rhotert, një politolog dhe autori gjerman, kur me një artikull të botuar, bëri krahasimin e ngjarjes terroriste në Banjskë të Kosovës me ngjarjet në Kroaci. Politikani i njohur boshnjak Jasmin Mujanovic flet për një strategji luftarake të Serbisë që nuk ndalet vetëm në Kosovë, por kalon përtej, edhe në shtetet tjera përreth. Ai thotë: "Mali i Zi është në një rrezik dhe nën presion të ngjashëm nga Serbia, si Bosnia e Hercegovina, përveç Kosovës, ku po vepron me paramilitarët serbë (...). Mali i Zi është pjesë e botës së famshme serbe, të cilën njerëzit si Vulin dhe Vuçiq e imagjinojnë. Imagjinata pushtuese shtrihet mbi Kosovë, mbi Bosnië e Hercegovinë dhe në Maqedoninë e Veriut". Pikësynimi serbomadh është shumë i dukshëm”, thekson Kelmendi.

Ai përmend edhe “faktet” që tregojnë se Serbia është në veprim për të bashkuar botën serbe në një shtet serb.

“Në deklaratën e Ministrit të Ushtrisë serbe, të Punëve të Brendshme, të Ivica Daçiqit dhe të A.Vuçiqit, përcaktohen interesat e botës serbe mbi tërë shtetet për rreth, nga Kroacia, B e H, Kosovë, Mali i Zi dhe mbi Maqedoninë e Veriut. Ky qëllim shtrihet edhe mbi Shqipërinë. Me këtë politikë po udhëhiqet Beogradi. Veprimet terroriste në Banjskë, forcimi i Republikës serbe në BH, angazhimet e larta për fitoren e politikës serbe në Mal të Zi dhe në Maqedoni, tregojnë se Serbia është në veprim për të bashkuar botën serbe në një shtet serb. E tërë kjo mbështetet në politikën serbomadhe të shekullit 19 dhe 20, kur u krijua Serbia e Madhe, me vendimet e Kongresit të Berlinit të vitit 1978, me Konferencën e Ambasadorëve më 1914 dhe në takimin e Versait të vitit 1919 në Paris, kur u krijua Serbia e Madhe. Mbi këtë politikë po ndërtohet agresiviteti terrorist dhe pikësynimi i pushtimit të shteteve në Ballkanin Perëndimor. Serbia e ka forcuar këtë politikë dhe mbi këtë po vepron me forcë”, përfundon analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat