Terroristët serbë të stërvitur me automjete amerikane, mësohet kush do t’i bëjë hetimet dhe dënimi i mundshëm

Politika

Terroristët serbë të stërvitur me automjete amerikane, mësohet kush do t’i bëjë hetimet dhe dënimi i mundshëm

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 11 tetor 2023 Në ora: 14:24
Automjete ushtarake "Humvee"

Hetimet për sulmin terrorist të 24 shtatorit janë duke vazhduar, ndërsa dita e ditës dalin detaje të reja rreth tij.

Ditë më parë është raportuar se grupi terrorist serb ka përdorur automjetet ushtarake të ndara në vitin 2017, si donacion për forcat e armatosura serbe.

Automjetet ushtarake amerikane “Humvee”, ishin 19 në numër dhe iu donacion Serbisë në vitin 2017. Këto automjete që kishin vlerën prej 3.8 milionë dollarësh amerikanë u dorëzuan në një ceremoni në kazermën ushtarake “Stevica Jovanoviq” në Pançevë të Serbisë.

Në paraqitjen publike të vitit 2017, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq tha se këto automjete janë shumë efikase në luftime të afërta dhe antiterroriste dhe se ofrojnë nivel shumë të lartë mbrojtjeje. Por, të njëjtat po dyshohet se u shfrytëzuan edhe për qëllime për të cilat nuk ishin paraparë të përdoreshin.

Rreth këtyre raportimeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se do të shqyrtojnë seriozisht çdo pretendim që ka të bëjë me përdorimin e pajisjeve ushtarake amerikane kudo në botë.

Ndërsa, ekspertët e sigurisë e analistët kërkojnë dënim maksimal nëse vërtetohen që ato automjete janë amerikane.

Tërnava: Nëse kjo vërtetohet, shteti serb do të ndëshkohet nga SHBA

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, thotë se veprimet e tilla si dhurimi i automjeteve donacion, pastaj përdorimi për sulm terrorist mund të ndodh edhe në brendësi të shumë ushtrive të botës.

Sipas tij, nëse vërtetohet se ato automjete janë amerikane, atëherë ShBA do ta dënojë Serbinë.

“Situata e krijuar me invazionin e Serbisë ndaj sovranitetit të Kosovës më 24 shtator 2023 tani e ka shqetësuar botën demokratike sepse është menduar se bisedimet rreth pajtimit me Kosovën, të ndërmjetësuara nga ndërkombëtaret do t’i japin frytet e veta dhe do të vjen deri te një pajtim. Tani kur ndodhi ky sulm dhe u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe dy tjerë u plagosën në brendësi të territorit të Kosovës në fshatin Banjskë, komuna e Zveçanit, dhe për brenda kishës u gjendën dhe u konfiskuan armatim modern në sasi të madhe që vlerësohet rreth 5,000,000 (5 milionë) euro, dhe për këtë armatim në sasi aq të mëdha që janë sjellë në ato pjesë të kishës, ka mundësi se kryesit e atyre veprave kanë përdorur automjete ushtarake me mbishkrime edhe amerikane të përgatitura nga automekanikët specialist që merren me ngjyrosje të automobilave e që i kanë shfrytëzuar ato terrene tokësore që ata i njohin mbas miri. Departamenti Amerikan i shtetit e ka konfirmuar dhe e marrin seriozisht çdo pretendim që përfshin pajisje të ofruara nga SHBA kudo në botë, sepse veprime të tilla për përfitime mund te ndodhin edhe në brendësi të shumë ushtrive të botës. Është për t’u besuar se nëse konstatohet dhe vërtetohet se janë përdorur këto automjete për sulmin terrorist në Kosovë nga ana e Serbisë, shteti serb do të ndëshkohet nga SHBA në mënyrë të ligjeve ndërkombëtare sikur i parashohin ligjet ato dënime ndërkombëtare, sepse ato forca të SHBA-se në ato pjese të veriut janë për ruajtjen e qetësisë si pjesë të KFOR-it, sipas rezolutës të OKB-së 1244 që nga viti 1999 e deri me tani”, deklaron Tërnava.

Image
Hajrullah Tërnava

Serbia ende nuk është ndëshkuar për sulmin e 24 shtatorit, ndërsa ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, duke folur rreth kërkesës së Kosovës për sanksionimin e Serbisë ka thënë se është në dijeni për këtë kërkesë, por sipas tij, analistët dhe ekspertët janë duke i nxjerr përfundimet, por ai thotë se SHBA ka standarde të ndryshme nga Qeveria e Kosovës kur është fjala për përcaktimin se kush është përgjegjës.

“Sa i përket pasojave për Serbinë, mund të them vetëm këtë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për kërkesat e Republikës së Kosovës. Siç e thamë, këto janë çështje serioze, dhe çështja se çfarë ndodhi më 24 shtator, analistët tanë dhe ekspertët tanë po nxjerrin përfundimet e tyre, por ne ndoshta kemi standarde pak më të ndryshme nga ato që ka qeveria e Kosovës për marrjen e vendimeve përfundimtare për atribuimin ose përgjegjësinë.

Ne po e marrim këtë shumë seriozisht dhe besoj se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndryshojnë pikëpamjen e tyre se ata që janë përgjegjës për këtë kërcënim ndaj sigurisë në rajon, ndaj sovranitetit të Kosovës, kërcënimit ndaj banorëve të rajonit, kërcënimit ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë në rajon, ata që janë përgjegjës për këtë do të duhet të japin llogari”, ka theksuar diplomati amerikan.

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka thënë se sa i përket armatimit të ShBA-së, vetë ata do t’i zhvillojnë hetimet.

Sipas tij, dënimi do të jetë i ashpër.

“Tani ndërkombëtaret janë duke i zhvilluar hetimet në tërësi për këto zhvillime të sulmit të sovranitetit të Kosovës në tërësi nga ana e Serbisë, edhe që vetë MPB e Kosovës i ka publokuar dëshmitë e tanishme, por megjithatë kur bëhet fjalë për armatimin e ShBA-së, vetë shteti në fjalë do t’i zhvillojë ato hetime dhe nëse konstaton keqpërdorimin e automjeteve për sulmin terrorist të kryer nga ana e Serbisë, gjithsesi se dënimi do të jetë ashtu si e parashohin ligjet ndërkombëtare e që ato dënime janë rigoroze dhe mjaft të ashpra, edhe që kosovaret duhen ta ruajnë qetësin e tyre sepse miku ynë që na ndihmojë të jemi shtet i pavarur, e kur dihet që Amerika është shtet i fuqishëm i botës, gjithnjë do të na qëndrojë pranë duke na ndihmuar në rindërtimin e shtetit tonë të pavarur të Kosovës”, shprehet Tërnava.

Dyshimet se makinat ushtarake amerikane janë përdorur për stërvitje nga terroristët serbë, i ka shtuar njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare britaniku, Aidan Heir.

Heir ka shpërndarë videon e publikuar nga autoritetet zyrtare të Kosovës ku paraqitën ushtrime të pjesëtarëve të grupit terrorist serb në bazat ushtarake në Serbi 4 ditë para se të sulmonin veriun e Kosovës, duke thënë se departamenti amerikan i mbrojtjes nuk do të jetë shumë i lumtur.

“Departamenti amerikan i mbrojtjes nuk do të jetë shumë i lumtur që Serbia përdori ‘Humvee’ të dhuruara nga SHBA për të trajnuar terroristët. Vuçiq ka shumë për të shpjeguar”, ka shkruar ai.

Burjani: Pas kësaj që ka ndodhur në Banjskë duhet Serbia të kushtëzohet me ndihma, fonde, sanksione ekonomike dhe liberalizimin e vizave.

Në anën tjetër, analisti politik Blerim Burjani thotë se Serbia duhet të kushtëzohet me ndihma.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, ajo duhet të sanksionohet me masa ekonomike, liberalizim të vizave, njohje për Kosovën.

“Ata pra BE dhe SHBA nuk nxitojnë, ngadalë dhe sigurt, përveç masave ndaj Serbisë duhet të mundohen dhe të vendosin masa plus duhet të ndërtojnë opinion më ndryshe në dialog, konsideroj pas kësaj që ka ndodhur në Banjskë duhet Serbia të kushtëzohet me ndihma, fonde, sanksione ekonomike dhe liberalizimin e vizave duhet të ndalojnë për Serbinë me njohje reciproke, pa njohje nga Serbia nuk ka zgjidhje kurrë, pa njohje Serbia gjithmonë do të sillet si mashtruese ndaj BE dhe ShBA-së. Pras sinqeriteti serb në dialog asnjëherë nuk do të ekzistojë, dhe përherë do të mbajë qëllimin e pushtimit të Kosovës, për këtë arsye hyrja në NATO Kosovës përmbys përfundimisht ëndrrën serbe për Kosovën , atëherë Serbia do ta njohë Kosovën, në të kundërtën s’ka gjë prej kësaj marrëveshje të gjymtë të Ohrit”, përfundon Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat