Alarm për Kosovën/ Bytyçi tregon arsyet pse mund të përsëritet 24 shtatori: Vuçiq do ta gjejë një Radoiçiq tjetër për akte terroriste

Politika

Alarm për Kosovën/ Bytyçi tregon arsyet pse mund të përsëritet 24 shtatori: Vuçiq do ta gjejë një Radoiçiq tjetër për akte terroriste

Nga: P.Rudi Më: 12 tetor 2023 Në ora: 08:02
Terroristët serbë në Manastirin e Banjkës, Zveçan

Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se sulmi terrorist serb që ndodhi në Banjskë të Zerqanit në veri të Kosovës, mund të jetë vetëm fillimi i një serie provokimesh nga ana e Serbisë.

“Akti terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zerqanit mund të jetë fundi i pretendimeve serbe për Kosovën. Por mund të jetë edhe fillimi i një serie provokimesh dhe sulmesh të tjera terroriste nga ana e Serbisë, vetë Aleksandër Vuçiq dhe bashkëpunëtorëve të tij si shefi i shërbimeve sekrete serbe, shefi i diplomacisë serbe apo ministri i Mbrojtjes i Serbisë”, shprehet Bytyçi, i cili tregon edhe arsyet pse provokimet dhe sulmet do të vazhdojnë ndaj Kosovës.

“Së pari se Serbia nuk heq dorë nga aleanca, marrëveshjet, bashkëpunimi dhe lidhjet e fuqishme me Moskën e Vladimir Putinit. Nuk heq dorë as Vuçiq. Aq më tepër në kushtet kur opozita serbe po bëhet gjithnjë e më shumë kërcënim për të. Ka shumë gjasa që Aleksandër Vuçiq, nëse le pushtetin, të përgjigjet edhe para Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Ai po kapet me thonj te pushteti që ka. Të tillë janë liderët kleptokratë e arrogantë”, thekson Bytyçi.

Arsye tjetër sipas Bytyçit, është edhe lidhja e fortë e Vuçiqit me politikanë e diplomatë perëndimorë.

“Së dyti, sepse lidhjet e tij me politikanë, liderë e diplomatë rajonalë e perëndimorë pro-serbë janë ende të forta. Shihni se çfarë ka ndodhur: Shefi i ngarkuar për Sigurinë e Diplomacinë Evropiane, pra Borrell, ka guxuar tu thotë autoriteteve kroate se ju nuk guxoni të mbani lidhje me liderët e Kosovës?! E tmerrshme është kjo! Dikush duhet të qëndrojë fort pas kësaj. E kam fjalën për autoritetet e Kosovës. Çfarë do të thotë ky fakt? Se Vuçiq mbështetet edhe në Bruksel për politikat e tij destruktive në rajonin tonë. Në këto kushte çfarë interesi ka ai të tërhiqet e të mos sulmojë sërishmi?!”, shprehet Bytyçi.

“Së treti! Shihni se çfarë ndodh në Shqipëri! Ka një javë që opozita e pozita debatojnë për një rezolutë ku të dënohet akti terrorist i 24 shtatorit në Banjskë. Opozita ka kërkuar të denoncohet ky akt si akt terrorist. Pushteti, Edi Rama, prej një javë e kundërshton formulimin si akt terrorist. Kur shefi i ekzekutivit të Shqipërisë nuk e ka artikuluar asnjëherë tog-fjalëshin „akt-terrorist“ dhe refuzoi me këmbëngulje të mos e shënojë as në rezolutën e parlamentit, atëherë merret me mend se kjo është mbështetje e ushtrimit të mëtejshëm të dhunës serbe në veriun e Kosovës. Ne jemi ku thërret qameti!”, shpjegon profesor Bytyçi për “Bota sot”.

Sipas tij, Vuçiq do ta zëvendësojë Milan Radoiçiqin me një terrorist tjetër.

“Ka edhe arsye të tjera. Por përmenda këto tri arsye, pse mendoj se terrori serb në Kosovë në formën e aktit terrorist të datës 24 shtator 2023 do të vazhdojë. Edhe nëse nuk do të jetë në skenë Milan Radoiçiq, Vuçiq do të gjejë dhe sponsorizojë një Radoiçiq tjetër për akte të tilla terroriste. Mundet që ta bëjë një pauzë. Sepse plaga është ende e freskët. Megjithatë ai nuk heq dorë. Por periudha e pauzës që mund të ndodhë, duhet shfrytëzuar për të vënë rregull e rend të plotë në katër komunat e veriut”, thotë Bytyçi.

Më tej, ai thotë se Serbia nuk do të guxojë assesi që ta sulmojë ushtarakisht Kosovën, përderisa në Kosovë gjendet KFOR-i.

“Nga ana tjetër nuk mendoj se KFOR-i do t’i parandalojë aktet terroriste. Ajo çfarë mund të them me bindje, ka të bëjë me faktin se ushtria e Serbisë mund të vijë 100 ose 1000 herë në kufi dhe zyrtarisht kurrë, sa kohë është KFOR-i në Kosovë, nuk do të guxojë të sulmojë territorin e Kosovës. Serbët do të vazhdojnë të këndojnë atë këngën e ushtrisë serbe në Kosovë, por kjo mbetet thjesht një këngë manipulimi. Nuk guxon Serbia të përballet me KFOR-in dhe NATO-n. Nëse ju kujtohet, në Maqedoninë e Veriut nuk guxoi Milosheviçi të dërgojë ushtrinë e tij, thjesht se në Kumanovë ishin stacionuar nja 200 trupa të NATO-s, kryesisht amerikane”.

“Pikërisht për të parandaluar një sulm ushtarak kundër Kosovës erdhën 200 forca ushtarake të Britanisë si shtesë e forcave aktuale të KFOR-it. Dhe do të vijnë edhe nga vende të tjera, Gjermania ka lajmëruar se në fillim të vitit tjetër do të dërgojë 150 forca shtesë. Sllovenia njoftoi gjithashtu për 100 ushtarakë sllovenë shtesë etj. Ideja është për të dhënë mesazhe te Vuçiç se ai nuk mund ta kapërcejë kufirin Kosovë-Serbi. Por kjo nuk do të thotë se aktet terroriste mund ti ndalojë KFOR-i dhe NATO. Madje nuk do të thotë se me to do të ballafaqohen ushtarët e KFOR-it. Përgjegjës për parandalimin ose asgjësimin e akteve të terrorit në Kosovë, përfshirë edhe veriun, është policia e Kosovës, forcat speciale të saj dhe nëse aktet terroriste janë të papërballueshme nga këto, atëherë vihet në veprim ushtria e Kosovës, FSK”, thekson Bytyçi.

Për fund, ai thotë se është e domosdoshme rritja e mëtejshme e buxhetit të ushtrisë dhe policisë nga ana e qeverisë dhe parlamentit të Kosovës.

“Zoti Kurti tha se ky buxhet këto dy vite është rritur 190 përqind. Por edhe 1000 përqind të rritet, sërishmi ka nevojë për këtë në situatat aktuale. Duhen shfrytëzuar lidhjet me shtetet mike për këtë. Sigurisht që SHBA, Kroacia, Sllovenia, Gjermania, Britania e Madhe dhe Turqia janë adresa të rëndësishme për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes së Kosovës. Terrorizmi është një fenomen që cënon kryesisht rendin e brendshëm të shteteve. Nuk ka të bëjë me shkelje sovraniteti në kuptimin klasik të fjalës. Prandaj dhe kjo armë e rrezikshme e kriminale në ekstrem është e preferuar të përdoret nga Serbia. Sepse ajo ka mundësi ta paraqesë konfliktin si konflikt të brendshëm e të largojë përgjegjësinë e saj. Këtë ka bërë edhe në luftën në Bosnjë-Hercegovinë dhe I shpëtoi dënimit me reparacione lufte!”, përfundon profesor Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat