“Tani po shihet “lufta” e vërtetë e Borrellit”/ Analistët komentojnë mbi deklaratën e presidentit kroat!

Politika

“Tani po shihet “lufta” e vërtetë e Borrellit”/ Analistët komentojnë mbi deklaratën e presidentit kroat!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 13 tetor 2023 Në ora: 08:04
Albin Kurti- Joseph Borrell- Aleksander Vuciq

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka qëndruar për vizitë në Kroaci dhe është pritur nga homologu i saj, Zoran Milanoviq.

Të dy ata ishin të mendimit të njëjtë se ishte faji i Serbisë për ndodhitë e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Por, më kritik ky doli karshi krye-diplomatit evropian, Josep Borrell, derisa bëri thirrje që të hiqen sanksionet ndaj Kosovës.

“I ftoj shtetet që t’i bojkotojnë ato masa që i ka ndërmarrë Komisioni Evropian, nga zoti Borrell, i cili shpresoj që së shpejti të shkojë në pension, pra nuk janë masa të ndërmarra nga Këshilli i Ministrave, por masa të ndërmarra nga Borrelli dhe ekipi i tij, të cilat na kërcënojnë të gjithë ne që takohemi me përfaqësues të Kosovës në nivel të lartë”, ka thënë Zoran Milanoviq, president i Kroacisë.

Mehazi: Milanoviq, ia bëri me dije BE-së se Borelli është me Serbinë e Rusinë e jo për Kosovën evropiane

Profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se koordinimi diplomatik i Vuçiq-it me dyshen e BE-së, Borell dhe Lajçak, nuk është i rastësishëm.

Sepse, siç thotë ai duke analizuar deklaratën e presidentit kroat, Borelli paska qenë më serb e më armiqësor ndaj Kosovës sesa vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Sipas deklaratës së presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviqit, se përfaqësuesi i Sigurisë evropiane, Borreli, ka kërcënuar krerët e Kroacisë dhe disa shtete të tjera që të mos takohen me përfaqësuesit e lartë të Kosovës për ta izoluar Osmanin e Kurtin, se Borelli paskësha qenë më serb e më armiqësor ndaj Kosovës sesa vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, dhe për këtë shkak përfaqësuesi i lartë i sigurisë evropiane, Borelli si e qysh duhet të ndiqet e zbulohet nga gjykata e Hagës se kush e cili e ka porositur që të agjitojë për Serbinë dhe nga i mori dëshirat serbe kundër Kosovës për të ju kërcënuar shteteve që do takoheshin me përfaqësuesit e lartë të Kosovës, nga BE-ja, Rusia apo mos presidenti i Serbisë, Vuçiqi ka korruptuar rënde me euro e dollarë jo vetëm Borellin, por edhe Lajçakun për të izoluar Kosovën me shtetet që e kanë njohur Kosovën, siç është Kroacia.

Nuk është i rastësishëm ky koordinim diplomatik i Vuçiq me dyshen e BE-së, Borell dhe Lajçak që hapur e pa farë etike politike e diplomatike, pa fije turpi përkrahin Serbinë terroriste e luftënxitëse”, shprehet ai.

Image
Sulejman Mehazi

Tutje, ai shton se vizita e presidentes në Koraci zbuloi se terroristët serbë paskan qenë të organizuar dhe koordinuar edhe nga Borrell e Lajçak.

Në fund, Mehazi shprehet se gjatë asaj vizite presidenti kroat, bëri me dije BE-së se Borelli është me Serbinë e Rusinë e jo për Kosovën evropiane.

"Vizita e presidentes së Kosovës në Kroaci dhe takimi me presidentin e Kroacisë, Zora Milanoviq zbuloi se terroristët serbë në Banjskë të Kosovës paskan qenë të organizuar dhe të koordinuar jo vetëm nga terroristët serbë Vuçiqi e Radoiçiqi, por edhe nga terroristët e BE-se, Borell e Lajçak, deklarata e presidentit të Kroacisë, Milanoviqit tregoi se Borelli e Lajçaku së bashku me Vuçiqin janë fajtorët kryesor të sulmit të terroristëve serbe në Banjske ndaj policisë së Kosovës dhe se Gjykata e Hagës duhet gjykuar e dënuar këtë rrjet të rrezikshëm terroristë: Borel –Lajçak – Vuçiq - Radoiçiq.

Shkurt e qartë, presidenti i Kroacisë, Milanoviq, ia bëri me dije BE-së se Borelli është me Serbinë e Rusinë e jo për Kosovën evropiane”, përfundon ai.

Qarri: Musketarët Borell, Lajçak dhe Eskobar, duhet të largohen!

Ndërkaq, analisti Gani Qarri në një bashkëbisedim për “Bota sot” ka thënë se veprimet e Borrellit janë të turpshme dhe raciste që duhet denoncuar nga SHBA, por si duke edhe vet Escobari ka qenë i informuar me kohë dhe si duket qenka në një linjë me Borrellin.

Më tej, thotë se Kosova para se të shkojë në bisedime duhet të kërkojë nga SHBA që ta ndërrojë Escobarin me një diplomat tjetër më të arsyeshëm, e më real.

“Duket se Serbia hegjemoniste me ndihmën e Rusisë dhe miqve të saj filo-sllav ndërkombëtar, ka arritur, t’i blejë me sukses, përveç Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Edvin Kristaq Ramës edhe Mirosllav Lajçakun, plakushin Josep Borell dhe vet emisarin Eskobar, bashkëshortja e të cilit, duket se është dashamirëse e veçantë e Serbisë, madje është shumë e habitshme dhe pashpjegueshme se si, ka shkuar puna deri atje, sa që vet përfaqësuesi më i lartë i BE-së, Josepp Borell, t’i kërcënojë publikisht shtetet si Kroacia, e ndoshta edhe vende tjera, në rajon e më gjerë, që të mos takohen me përfaqësuesit e nivelit të lartë të Kosovës dhe udhëheqës të tjerë qeveritar e institucional të Republikës së Kosovës!

Madje veprimet e turpshme dhe raciste, do të thoja të Borellit, jo vetëm që nuk janë denoncuar e as kritikuar kurrë, as nga SHBA, por duket se edhe vet emisari Eskobar ka qenë i informuar me kohë dhe plotësisht i një mendje dhe në të njëjtën linjë me Borellin, që përveç vendosjes së masave të padrejta shtrënguese, të kërcënohen edhe vendet evropiane dhe ballkanike, për ndërprerjen e kontakteve me udhëheqjen e shtetit e të institucioneve të vendit tonë dhe izolimin total të Republikës së Kosovës.

Ndaj tani kur kanë filluar të dalin në shesh të gjitha komplotet stigmatizuese të përfaqësuesve arrogant të BE-së, si dhe të emisarit të dyshimtë të SHBA-ve, Kosova para se të shkojë në bisedime të reja me Serbinë hegjemoniste, paraprakisht, duhet të kërkojë nga SHBA, që pikësëpari ta zëvendësojnë emisarin Eskobar me një diplomat tjetër më të arsyeshëm, real dhe njohës më të mirë të krimeve e gjenocidit serb, nga forcat policore e ushtarake të Serbisë fashiste në Kosovë e cila edhe 24 vjet pas lufte, vazhdon ti mbajë peng mbi 1600 trupa të shqiptarëve të vrarë e të kidnapuar dhe ka lënë familjet shqiptare në Kosovë, të presin me varre të hapura, kthimin e bijve të tyre në atdhe, për të pas një vend ku ti kujtojë e nderojë”, deklaron ai.

Duke u habitur nga veprimet e tij, Qarri thotë se Kosova duhet të kërkojë llogari sidomos nga Gjermania e Franca se si një emisar arriti deri në këtë mënyrë aventureske për t`iu kundërvënë popullit dhe shtetit të Kosovës.

“Dhe duke qenë se, vet përfaqësuesi më i lartë i BE, Josepp Borell, jo vetëm ka tentuar, por edhe qenka përpjekur jashtëzakonisht fort, duke bërë edhe presion në mënyrë të hapur, vet ai personalisht edhe te vendet tjera, deri në fqinjësinë tonë më të afërt, që ta izolojë tërësisht Kosovën, shteti ynë duhet të kërkojë nga BE dhe shtetet kryesore të Bashkimit Evropian, veçanërisht Gjermania dhe Franca, të cilat edhe e kanë përpiluar planin e dakorduar franko-gjerman të marrëveshjes Kosovë-Serbi, se si guxon, përveç emisarit Lajçak edhe vet përfaqësuesi për politikë të jashtme i BE-së, të veprojë deri në këtë mënyrë aventureske për t`iu kundërvënë popullit dhe shtetit të Kosovës”, thotë ai.

Image
Gani Qarri

Në fund, ai ngrit edhe pikëpyetje, se nëse këta persona nuk largohen nga ndërmjetësimi i Kosovës me Serbinë në bisedime, atëherë cila është prapavija e gjithë kësaj çështje dhe çfarë marrëveshje mund të arrijë këta njerëz jo kredibil.

“Dhe po nuk u larguan musketarët Borell, Lajçak dhe Eskobar, pas aferës tanimë të bërë publike, kundër Republikës së Kosovës, cila është prapavija e gjithë kësaj farse të ashtuquajtur “ndërmjetësim” dhe çfarë marrëveshje kredibilie, realisht mund të ndërmjetësojnë, njerëz kaq jo kredibil si Borell, Lajçak dhe vet i dërguari amerikan Eskobar.

Ata duhet të largohen medoemos, ngase Kosova dhe asnjë shtet serioz, përveç Serbisë, më nuk beson te këta njerëz, përndryshe largimi i tyre, duhet të vendoset kusht nga Kosova, nëse bashkësia ndërkombëtare, vërtetë është e interesuar për dialog, ngase Borell, Lajçak dhe Eskobar, përveçse ndikuan në sabotimin e lidhjeve të natyrshme vëllazërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, duke përdorur Edvin Kristaq Ramën si pion dhe pykë ndarëse, tani po shihet hapur, se Borell paska bërë luftë të vërtetë, madje tërësisht hapur dhe në mënyrë publike, duke i kërcënuar direkt edhe vendet si Kroacia, që të evitojnë jo vetëm ndonjë aleancë të supozuar shqiptaro-kroate në Ballkan, por edhe takimet e nivelit të lartë të përfaqësuesve të dy shteteve Kroaci-Kosovë, akt vërtetë i padëgjuar dhe tmerrësisht i paprecedent, i cili nuk guxon të kalojë pa një vendim adekuat!”, përfundon analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat