Serbia “lakuriq” para botës, me skenar të ri për destabilizimin e Kosovës/ Çfarë rreziku paralajmëroi Kurti?

Politika

Serbia “lakuriq” para botës, me skenar të ri për destabilizimin e Kosovës/ Çfarë rreziku paralajmëroi Kurti?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 13 tetor 2023 Në ora: 16:18
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se ka rrezik në rritje të përsëritjes së sulmeve të dhunshme nga “strukturat kriminale të Serbisë në Kosovë”.

Ai madje tha se qëllimi kryesor i tyre është “ta fajësojnë Policinë e Kosovës dhe ta paraqesin atë si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës”.

Kjo deklaratë vije pas sulmit që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Kurse, nga ana tjetër Serbia është ajo që po mundohet të shfajësojë veten për diçka që të gjitha provat për sulmin dërgojë tek ajo.

Madje, përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, nënkryetari i deriatëhershëm i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.

Bajqinovci: Serbia assesi nuk po pajtohet me faktin që është zhveshur lakuriq para botës

Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, për “Bota sot” thotë se Kurti ishte shumë i qartë duke thënë edhe ai se institucionet e sigurisë dhe inteligjencës kanë vërejtur një rrezik në rritje të sulmeve të mundshme nga ana e terroristëve serbë në veri.

Image
Mefail Bajqinovci

Kurti ka qenë i qartë sot në adresimin e tij. Siç tha edhe ai, janë institucionet e sigurisë dhe inteligjencës kanë vërejtur një rrezik në rritje të sulmeve të mundshme të inskenuara nga strukturat ilegale të Beogradit zyrtar. Por në të njëjtën kohë, ai po ashtu ka bërë thirrje për kujdes, maturi dhe vetëpërmbajtje, meqë qëllimi i atyre skenarëve është që të shkaktojnë eskalim të situatës”, thotë ai.

Sipas tij, Serbia nga sulmi i 24 shtatorit është zhveshur lakuriq dhe tani po mundohet ta shfajësojë veten dhe ta fajsojë Kosovën, por që kjo nuk do të ndodhë, edhe pse rrezikun ekziston.

Serbia assesi nuk po pajtohet me faktin që është zhveshur lakuriq para botës me përfshirjen e dokumentuar të saj në sulmin e 24 shtatorit. Dëshiron rikuperim që në njërën anë të shfajësohet për veprimet e veta dhe anën tjetër të fajësojë Kosovën. Por kjo nuk do të ndodhë, sado që rreziku ekziston. Vetëdija qytetare është e lartë. Policia jonë është profesionale. Ne duhet t'i besojmë institucioneve tona”, deklaron deputeti Bajqinovci.

Elezaj: Vuçiq po tenton në çdo mënyrë që veriun me çdo kusht t'ia bashkëngjisë Serbisë fashiste

Image
Rexhep Elezaj

Ndërsa, analisti Rexhep Elezaj ka thënë se kryeministri ka informata të dorës së parë rreth këtyre zhvillimeve, duke shtuar se sulmi i 24 shtatorit ishte dështimi i Serbisë, dhe këtë po e dëshmon edhe vet Vuçiq me deklarata e tij të përditshme.

Deklarata e kryeministrit Albin Kurti, se ka rrezik në rritje të përsëritjes së sulmeve të dhunshme (terroriste, v. i.) nga strukturat kriminale të Serbisë, paraqet shqetësim si dhe nevojën për kujdes të shtuar që organet e sigurisë së Kosovës duhet të kenë në rast të ndonjë sulmi eventual, kur dihet se kryeministri i ka informatat e dorës së parë, se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, kur dihet se grupet kriminele serbe vazhdojnë të ushtrohen në Rashkë dhe gjetiu, për ta sulmuar veriun e Kosovës, siç bënë me 24 shtator në fshatin Banjskë afër Zveçanit.

Se, regjimi fashist i Beogradit zyrtar, është i dërrmuar nga dështimi i skenarit të 24 shtatorit ndaj Kosovës, ku pësoi humbje të mëdha në njerëz dhe armatim, këtë e dëshmojë deklaratat e vazhdueshme patetike dhe plotë vajë në buzë të racistit A. Vuçiq, si dhe vetë shpallja e ditë-zisë në Serbi për tre terroristët e vrarë, që kjo nuk ka shembull në botë që për kriminelë dhe terrorist të vrarë në një agresion ndaj një shteti tjetër, vendi nga ata vijnë të shpallë zi për vrasjen e tyre.

Pra, një turp dhe marri e tillë ndodhë vetëm në Serbi, ku kreu i shtetit është urdhërdhënësi dhe mbështetësi kryesorë i grupit terrorist, mbase udhëheqësin e të cilit, kriminelin M. Radojçiq, e ka mik dhe bashkëpunëtor të ngushtë!”, thotë ai.

Më tej, Elezaj thotë se pas atij sulmi, asnjëherë nuk duhet hequr nga mendja se Serbia mund të përdorë skenarin e tyre të hakmarrjes ndaj policisë dhe qytetarëve shqiptarë të Kosovës.

Kështu që, duke marrë parasysh faktin, se dështimi i skenarit terrorist serb me 24 shtator në Banjskë kundër Kosovës si dhe vrasja e disa terroristëve serb nga policia e Kosovës, nuk ka dyshim, se strukturat shtetërore të Serbisë i ka goditur rënd, por edhe opinion në Serbi, ndaj asnjëherë nuk duhet hequr nga mendja skenarin e tyre të hakmarrjes ndaj policisë dhe qytetarëve shqiptarë të Kosovës. Pra, nuk duhet përjashtuar mundësinë dhe rrezikun për sulme tjera në veri, por edhe në Anamoravë, me qëllim që të hakmerren duke vrarë sa më shumë shqiptarë”, deklaron analisti.

Ai thotë se nuk mund të përjashtohet asnjë sulm i mundshëm terrorist dhe të befasuar, që armiku ynë siç e quan ai, shekullor mund ta përdorë kundër Kosovës.

Si arsye tjetër e veçon edhe dialogun për të cilin thotë se Vuçiq nuk është i interesuar dhe ka më shumë interes të nxisë sulme të armatosura në veri të Kosovës dhe gjetiu për të sjellë tensione të mëdha.

“Natyrisht, se shteti ynë i ka shërbimet e veta informative dhe të inteligjencës, si dhe organe tjera të sigurisë, të cilat 24 orë e vëzhgojnë situatën në kufijtë me Serbinë, por kjo nuk nënkupton se grupet kriminale serbe nuk mund të përdorin metoda dhe mjete tjera për ta goditur Kosovën, siç po ndodhë këto ditë në Izrael dhe Palestinë, ku nga të dyja anët po përdorën raketa si dhe armë tjera të sofistikuara, duke vrarë civilë dhe banorë të pafajshëm. Unë, nuk e përjashtoj asnjë sulm të mundshëm terrorist dhe të befasuar, që armiku ynë shekullor mund ta përdorë kundër Kosovës, kur dihet, se sa shumë i urrejnë shqiptarët si popull dhe si qenie njerëzore, dhe të cilët gjatë shekujve kurrë nuk janë ngopur me gjakun e shqiptarëve.

Arsyeja tjetër, që regjimi kriminal i Serbisë mund ta sulmojë prapë Kosovën, qëndron në faktin, se kreu i Serbisë, A. Vuçiq, nuk është fare i interesuar që ta vazhdojë dialogun me Kosovën, kështu që mënyra dhe mjeti më efikas për të blerë kohë si dhe për ta prolonguar çfarëdo marrëveshje me Kosovën, është nxitja e sulmeve të armatosura në veri të Kosovës dhe gjetiu, duke krijuar tensione sa më të mëdha, kinse po i mbrojnë serbët lokalë nga “terrori” i Albin Kurtit. Të gjitha këto veprime manipuluese të A. Vuçiqit, nuk janë tjetër veçse zbatim në vepër të politikës dhe hegjemonisë serbe ndaj Kosovës, veriun e të cilës po tenton që me çdo kusht t'ia bashkëngjisë Serbisë fashiste, mbase si parakusht për realizimin e skenarit ogurzi për krijimin e “Botës serbe” në Ballkan”, përfundon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat