“E turpshme”, Zeqiraj ‘shpërthen’ ndaj KFOR-it pas sulmit terrorist në Banjskë – ka disa fjalë për bandat e Vuçiqit e Radoiçiqit

Politika

“E turpshme”, Zeqiraj ‘shpërthen’ ndaj KFOR-it pas sulmit terrorist në Banjskë – ka disa fjalë për bandat e Vuçiqit e Radoiçiqit

Nga: A.M. Më: 20 tetor 2023 Në ora: 22:17
Foto ilustrim

Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj ka komentuar zhvillimet dhe ngjarjet e fundit në Banjskë, më saktësisht në komunat veriore.

Ai në një prononcim për “Bota sot” tha se ngjarjeve të përgjakshme të shtatorit, iu paraprinë disa provokime të vazhdueshme të bandave serbe.

Madje, tha se për disa vrasje të pasluftës në veri, nuk kishin ndërmarrë asgjë disa liderë.

"Krimi i pandëshkruar rrezikon të përsëritet". Dhe, kjo dëshmohet me dosjet e jurisprudencës. Ngjarjes së përgjakshme të 24 shtatorit, i kanë paraprirë provokimet, në vijimësi, të bandave serbe në veriun e Kosovës. Kronologjia e ngjarjeve banditeske, nismon në shkurtin e viti 2000. Vrasja e një duzinë shqiptarësh etnik, tej lumit Ibër dhe dëbimi i mijëra të tjerëve, nga vatrat e tyre lindake, u bë në prezencën e KFOR-istëve francezë, me praninë edhe të SHTAB-istëve të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Agim Çeku me shokë.

Dhe, të gjitha këto krime u tejkaluan në heshtje, pa hetime, pa zbulime dhe pa asfarë ndëshkimi. Arsyeja ishte dhe është e njohur: Komandantët pa ushtarë, por me banda të fuqishme, u zhytën në krime monstrume, gjatë dhe pas luftës. Thjeshtë, kidnapuan, burgosën, torturuan, deri në vrasjen e shumë qindra shqiptarëve, kundërshtarë politikë. Ndërkombëtarët dhe Serbia, nga provat faktike, hartuan dosjet penale, të cilat i përdorën dhe vazhdojnë t`i përdorin si shantazh, për të përfituar favore të ndryshme Serbia, madje deri në gadishmërinë për të dhënë pjesë nga territori i Kosovës”, deklaroi publicisti.

Image
Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj

Ai tha se agresioni i 24 shtatorit, vjen si pasojë e mosndëshkimit të Serbisë, në dy dekadat e fundit, ku edhe u nxit nga kjo gjë.

“Sulmi terrorist i Serbisë agresore, me bandat e saj të specializuara, i 24 shtatorit, është rrjedhojë logjike i lëshimeve të bëra Serbisë, përgjatë tej dy dekadave. Vrasja e policit të Kosovës, Enver Zyberi, tashmë, Heroi i Kosovës, në Doganën e veriut dhe bllokimi i policëve tjerë atje, i shpëtoi KFOR-i kroat, askush nuk dha përgjegjësi, askush nuk u penalizua për krimin e bërë”, theksoi Zeqiraj.

Po ashtu, publicisti nga Gjermani kritikoi edhe qasje e KFOR-it dhe EULEX-it, duke thënë se slloganet e tyre nuk po merren më parasysh.

Kësisoj, tha se trupat e tyre u turpëruan nga bandat e udhëhequra nga Vuçiq dhe Radoiçiq.

“Barrikadat e përsëritura të bandave serbe në veriun e Kosovës, me kohë-zgjatje deri një muaj, Policia e Eulex-it dhe KFOR-i, edhe pse përsërisnin slloganin bajat, "jemi këtu për të mbrojtur të drejtat e njëriut dhe lëvizjen e lirë të njerëzve". Ndërkohë që edhe makinat e tyre ishin bllokuar dhe ata lëviznin në këmbë, në rrugët mushkatore e dhiare! E turpshme, deri në pakufi!

Më 29 maj 2023, në Zveçan, bandat serbe, me urdhër të Vuçiqit dhe Radoiçiqit, goditën me gurë, stupca, e plumba kundër policisë, ushtarakëve të KFOR-it, gazetarëve, popullit vendorë, duke turpëruar EULEX-in dhe KFOR-in”, vlerësoi ai.

Më tej, Zeqiraj u tregua i ashpër edhe me Borellin dhe disa përfaqësuesë ndërkombëtarë, ku tha se edhe reagimet e tyre ishin të turpshme.

"Të ndëshkohen protestuesit e dhunshëm",- tha Borrell dhe ndërkombëtarët tjerë. Dhe, pas 3 apo 4 arrestimeve, po ky Borrell me shokë, reagoi, thekshëm e turpshëm, se "qeveria e Kosovës po i provokon serbët!"  Njëjtë vepruan edhe për barrikadimet e rrugëve, kur thanë se "serbët kanë të drejtë të vënë barrikada!" Dhe, për këmbët e amputuara, të dy ushtarëve të KFOR-it hungarezë, nga plumbat e banditëve protestues serbë, pjesë e krimit të drejtëpërdrejtë, krahas bandave serbe, janë edhe ndërkombëtarët ndërmjetësues, të cilët, në vijimësi, ishin palë me Serbinë, duke i përligjur krimet e saj”, nënvizoi publicsti.

Në fund, ai shprehu mirënjohje për policët e Kosovës, derisa tha se ishte fatkeqësi vrasja e heroit, rreshterit Afrim Bunjaku.

“Është fat në fatkeqësi, që sulmi që i organizuar terrorist në Banjskë, më 24 shtator, përfundoi me vrasjen e rreshterit policor, Afrim Bnjaku, tani, Hero i Kosovës dhe plagosjen e dy kolegëve të tij, duke pasur parasysh gamën e armatimit dhe shumësinë e banditëve. Dhe, kjo falë burrave dhe djemëve trima e profesionistë të Policisë të Kosovës, të cilët kanë një përkushtim atdhetar e heroik në mbrojtjen e Atdheut-Kosovë”, përfundoi Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat