“Fatmir Limaj me nanë e me babë e me familje mi ka sha”/ Çka dëshmon deklarata e ish kolonelit, Rrahman Sylejmani?

Politika

“Fatmir Limaj me nanë e me babë e me familje mi ka sha”/ Çka dëshmon deklarata e ish kolonelit, Rrahman Sylejmani?

Nga: P.Rudi Më: 23 tetor 2023 Në ora: 08:03
Rrahman Sylejmani

Ish koloneli i Policisë, Rrahman Sylejmani, gjatë një intervistë të dhënë së fundi, ka zbuluar se si kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ia kishte sharë nënën dhe gjithë familjen.

Krejt kjo sipas Sylejmanit, kishte ardhur pasi ai kishte refuzuar që rastit të ndodhur në banesën e kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi, t’ia ndërronte kahjen e hetimit, duke e cilësuar si tentim vrasje të Thaçit.

Sipas Sylejmanit, Limaj e kishte sharë në prezencë të Hashim Thaçit, Hajredin Kuçit, Zenun Pajazitit, Fatmir Xhelilit, Sheremet Ahmetit, Agron Nezës dhe Veton Elshanit.

Qëllimi ishte, unë çka kam marrë vesh pastaj por edhe sa isha aty, t’i japin kahje tjetër hetimit. E them me shumë siguri, ka qenë një ngjarje e rëndë për mua në atë kohë, të prodhojnë diçka të paqenë, psh. në atë kohë kanë qenë raportet e PDK’së dhe AAK’së tepër të elektrizuara dhe tentonin që ta fajësojnë liderin e Aleancës, z. Ramush Haradinaj, se ai qëndron mbrapa këtij sulmi. Dojshin me prodhu diçka të tillë përmes hetimeve të policisë dhe unë u detyrova në takim t’ua them haptas që ‘derisa të jem në krye të atij institucioni hetim të porositur nuk do të keni shancë të merrni, hetimet do të shkojnë vetëm konform dëshmive, fakteve”, tha Sylejmani.

“Pastaj ata nuk kanë bë zë, por mu ka drejtuar Fatmir Limaj, ministër ka qenë në atë kohë, dhe tha ‘zotëri, ti je ardhë me na mbajt ligjëratave këtu neve, po na tregon se çka duhet me bo na a’, unë i thashë ‘kush jeni ju me mu drejtu me këto fjalë, nuk je ministër i policisë as i punëve të brendshme, që ku është ministri, as ky nuk ka të drejtë’. Atëhërë u çu në këmbë dhe me fjalën më banale të mundshme me nanë e me babë e me familje mi ka sha, që nuk është ngjarje e lehtë me përballu. Jom cu edhe unë edhe e kam lëshu atë takim, jam nal te dera edhe iu kam thënë ‘hetimin nuk keni shanca me orientu dikah tjetër se nuk e keni atë mandat dhe nuk iu lejoj’”, zbuloi ish koloneli i Policisë, Rrahman Sylejmani, takim ky i cili kishte ndodhur me 8 qershor 2008.

Image
Nexhat Haziri

E krejt kjo, sipas analistit Nexhat Haziri, është dëshmi se si dhe nga kush ishte qeverisur Kosova.

Deklarata e ish kolonelit të Policisë, Rrahman Sylejmani për ngjarjen të cilës po iu referoheni edhe ju është një dëshmi e qartë , dhe jo e vetmja për atë se si e nga kush është qeverisur Kosova. Pra po flasim për një pjesë të klasës politike që janë identifikuar me të ashtuquajturin "krahu i luftës", për të cilët primarë ka qenë pushteti, nami dhe parat për të cilat ata kanë qenë të gatshëm për ta eliminuar jo vetëm politikisht por edhe fizik çdo oponent të tyre politik”, shprehet Haziri për “Bota sot”.

Dhe në rastin për të cilin është deklaruar kolonel Sylejmani, flitet që përmes imponimit dhe ndërhyrjes në institucionet e sigurisë dhe të gjyqësisë ta godasin një kundërshtar politik. Është për keqardhje që edhe në qeverinë aktuale, konkretisht në partinë që udhëheq sot me institucionet e vendit kemi elemente të tilla, pra tendencën për ta eliminuar oponentin politik me të gjitha format dhe mjetet, deri në asgjësim politik dhe jo vetëm”, shton Haziri.

Më tej, analisti Haziri thotë se kjo është mënyrë e të qeverisurit përmes doktrinave të së majtës ekstreme.

Dhe kjo mënyrë e politikbërjes apo qeverisjes nuk është diçka e re apo që ndodhë vetëm tek ne, është karakteristikë e shoqërive të pazhvilluara në aspektin demokratik e sidomos doktrinave politike të të majtës ekstreme, nga e cila janë indoktrinuar apo formua eksponetë të shumtë në skenën politike të Kosovës”.

Por a duhet tani të merret Prokuroria e Kosovës me Fatmir Limajn?

Sa i përket asaj se a duhet të merret prokuroria me Fatmir Limajn , unë them se prokuroria nuk ka vepruar në atë kohë e nuk do të veprojë as tani. Dhe krejtë përfund thënë se kemi qenë më fat, dhe akoma jemi për shkak të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, përndryshe...”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Nexhat Haziri.

Kujtojmë se në vitin 2008, në shtëpinë e ish kryeministrit Hashim Thaçi në Dragodan, kishte hyrë një person i dyshuar, të cilin më pas garda e sigurisë e kishte plagosur dhe arrestuar.

Ai kishte deklaruar se qëllimi i tij kishte qenë për të vjedhur, pa ditur se kjo shtëpi i përkiste kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat