“Me ministrin e kriminelit Millosheviq nuk priten ndryshime”, ish-zv. ministri i MPB-së deklarohet për dialogun Kosovë-Serbi

Politika

“Me ministrin e kriminelit Millosheviq nuk priten ndryshime”, ish-zv. ministri i MPB-së deklarohet për dialogun Kosovë-Serbi

Nga: Nehat Shaqiri Më: 25 tetor 2023 Në ora: 22:55
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Nesër në Bruksel, me ftesë të Bashkimit Evropian, do të takohen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Tashmë, Kurti dhe Vuçiq e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre ku pritet të mbajnë takime ndarëse me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Në këtë takim, Kosovës do t’i kërkohet ta pranojë draftin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë ta zbatojë pa asnjë kusht marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe aneksin e saj të arritur në fund të këtij viti në Ohër.

Në BE thonë se asnjë ide apo plan që paraqitet nuk e ka për qëllim ta zëvendësojë aneksin për zbatim të arritur në Ohër dhe se ai mbetet në fuqi dhe se zbatimi i të gjitha pikave mbetet obligim.

Në lidhje me këtë, ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava thekson se, këto angazhime të ndërkombëtarëve për zgjedhjen e mosmarrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës, në këto mënyra të veprimeve sikur deri me tani, e që ka kaluar një kohë e tërë mbi 23 vite angazhim, të gjitha gjasat jenë se me këtë udhëheqje të Serbisë në pushtet, nuk mund të ketë sukses dialogu.

Ai shton se është vështirë me Vuçiqin se do të ndryshojnë gjërat.

“Kjo sepse për çdo angazhim nga ana e pushtetarëve serbë që t’i kontribuojnë përafrimit dhe zgjedhjes së problemeve mes këtyre dy shteteve, si fqinjë që janë, asnjëherë deri më tani nuk u arrit një sukses që e bindë popullatën se marrëveshja është në përfundim e sipër, prandaj pa një ndryshim radikal demokratik të tërë ne politikat serbe, nuk mund të pritet ndonjë përparim në drejtimin e duhur të pajtimit që u prit deri më tani, e sidomos kjo udhëheqësi radikale nacionaliste serbe që gjenden edhe më tutje në pushtet, e sikur që dihet se Vuçiq ishte një nga ministrat e qeverisë së Millosheviqit edhe në ato kohërat e luftës, që ishte edhe pjesëmarrës në luftërat që u krijuan deri në shpërbërjen e Jugosllavisë, prandaj pa një ndryshim radikal të njerëzve që e udhëheqin Serbinë, dhe pa demokratizimin e Serbisë vështirë se do të ndryshojnë gjërat në të mirë të regjionit dhe qetësisë në Ballkan”, potencon Tërnava.

Ndryshe, nesër takimet pritet të përfundojnë deri para orës 15:00, kur edhe nis takimi i shefave të shteteve të BE-së.

Në samit do të diskutohet edhe për situatën në veri të Kosovës dhe për raportin mes Kosovës dhe Serbisë.

“Mund të njoftoj, në emër të përfaqësuesit të lartë Borrell, se ai do t’i njoftojë liderët për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, siç ka bërë edhe në takimet e mëparshme”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Më 24 tetor, Stano theksoi se blloku evropian ka bërë “propozim modern evropian” për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Asociacioni është ndër pikat më të nxehta në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në Beograd insistojnë në kompetenca të gjera për këtë asociacion, ndërsa në Prishtinë thonë se të tillat do ta rrezikonin funksionalitetin e shtetit.

Për themelimin e tij, palët kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013, ndërsa më 2015 janë pajtuar edhe për parimet e tij.

Po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se këto parime janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe ka kërkuar që ato të harmonizohen përmes akteve nënligjore.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat