Haziri paralajmëroi “rrezik” për Vetëvendosjen, por merr disa kundërpërgjigje/ Analistët ia kujtojnë të kaluarën

Politika

Haziri paralajmëroi “rrezik” për Vetëvendosjen, por merr disa kundërpërgjigje/ Analistët ia kujtojnë të kaluarën

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 27 tetor 2023 Në ora: 13:49
Albin Kurti dhe Lutfi Haziri

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, pak ditë më parë ka deklaruar se ditët e ardhshme do të jenë "shokante" për besimtarët e të majtës së Albin Kurtit.  

“Nga vizita e djeshme e pesëshes, Qeveria e Albinit dhe Vjosës duhet me i organizuar zgjedhjet në 4 komunat veriore të Mitrovicës dhe me shkrua draft-statutin e Asociacionit (Zajednicës së VV-së).  Kur? Menjëherë. Ndërkaq, me 8 nëntor duhet me i kallxu Këshillit Evropian. Para tij, duhet me i kallxu popullit të Republikës pse po ndodhë, se je ardhë në Zyrën e Kryeministrit tue kundërsht, protestu e lëndu policë, tue djegë e ataku edhe familjen e Kryeministrit të Kosovës atëherë. Po ashtu, duhesh me i kallxu popullit përse u desh që t’i bësh këto veprime banditeske para shtatë vitesh, duke ua pamundësua qytetarëve lëvizjen pa viza! Zhvillimet e ditëve të ardhshme, kanë me qenë shokante për besimtarët e të majtës së Albin Kurtit, por nuk ka asgjë më fantastike se realiteti!”, kishte deklaruar Haziri në një status në Facebook para disa ditësh.  

Ndaj deklaratës së tij ka pasur shumë reagime edhe nga disa zyrtarë të Vetëvendosjes. 

Gazeta ka kontaktuar edhe deputetë nga Vetëvendosja, por që nuk e kanë komentuar këtë çështje. 

Ndërkaq njohësi i çështjeve politike, Skender Mulliqi thotë se, nuk është hera e parë, që Haziri deklarohet kështu. E sipas tij, kjo nuk është asgjë e re, pasi "Lutfi Haziri është shumë kontradiktor në paraqitjet e tij publike".  

Mulliqi: Po të ishin dëgjuar deklarimet politike të Lutfti Hazirit e kompanisë, moti Serbia do të kishte gllabëruar pjesën më vitale të Kosovës 

“Nënkryetari i LDK-së gjithmonë ka komentuar më PDK-në e Hashim Thaҫit, madje edhe idetë politike i kanë pasur të përbashkëta. Luta është personi i cili e ka përkrahë idenë shoviniste të Aleksander Rankoviqit famëkeq, për t’i falë Serbisë veriun e Kosovës. Lutfi Haziri, ka përkrahur moti idenë e ndarjes së Kosovës, apo thënë më mirë të shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të sqarojmë këtu pak për lexuesit se si është bërë pazari shumë i keq, i atyre të cilët kanë parë ëndërr më sy qelë, së Serbia në këmbim më veriun do të jap Luginën e Preshevës, apo vetëm disa katunde. Luta dhe të gjithë mendimtarët si ai, e dinë mirë së Serbia historikisht është zgjeruar katër herë me territoret e huaja dhe më së shumti më terrritorët shqiptare, dhe se nga kjo ide e Qubriloviqit dhe Rankovit, as Vuҫiqi nuk ka lëvizur për asnjë milimetër. E treguan që shumë kohë ngjarjet për destabilizim në veri të Mitrovicës dhe ngjarja tragjike terroriste e pushtetit të Vuҫiqit në Banjskë. Po të ishin dëgjuar deklarimet politike të Lutfti Hazirit e kompanisë, moti Serbia do të kishte gllabëruar pjesën më vitale dhe më të pasur të Kosovës”, thekson Mulliqi. 

Ndërkaq sa i përket deklarimit të fundit të Hazirit, Mulliqi rikujtoi se çdo zhvillim që ka të bëjë më Serbinë, e që do të ishte në dëm të Kosovës, është shokues për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për Albin Kurtin, i cili sipas tij, është i pari që po i vë  bazat e barabarësisë të dialogut me Serbinë. 

“Kurti së bashku me presidenten Osmani kanë qenë të qartë së pas ngjarjes së fundit në veri, dialogu duhet të këtë  strukturë të re politike. Nëse BE-ja mendon që të vazhdohet më avazin e vjetër të dialogimit, vetëm sa procesin e fusin në qorrsokak. Ndryshe nga  Lufti Haziri, kryeministri Kurti nuk do të pranon asnjë lojë politike të Vuҫiqit dhe të BE-së, në dëm të Kosovës, siҫ është tema e Asociacionit me kompetenca ekzekutive. Asociacion të ndonjë forme tjetër po. Dhe, akuza së LVV para së më qenë në pushtet e ka dëmtuar vendin dhe  ka frenuar liberalizimin e vizave, siҫ pohon Haziri, janë fabrikime, janë propagandime për të shfajësuar ish pushtetet, të cilat punuan më shumë keq edhe kur bëhet fjalë për liberalizmin.  Shumë e dëmtuan procesin e dialogimit me palën serbe,  e cila u faktorizua, dhe arriti që përmes Thaҫit dhe Mustafës, të nënshkruaj marrëveshjet më të dëmshme të pasluftës për Kosovën dhe të ardhmën e saj-Asociacionin më kompetenca ekzekutive të vitit 2013 dhe 2015, të cilin asociacion më ngulm e pati kundërshtuar edhe para shtatë vitesh LVV me Albin Kurtin. Ai  e dinë mirë së ҫfarë pasojash politike kanë marrëveshjet e tilla të cilat si të ratifikuara në kuvend marrin legjitimitet ndërkombëtar, e që ju lënë barrë e rëndë klasës të re politike në pushtet, në krye më Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, për t’i delegjitimuar marrëveshjet e tilla”, vlerëson ai. 

Tutje, Mulliqi thekson se, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti prej se e ka marrë pushtetin ua ka bërë të qartë ndërmjetësve ndërkombëtar, se dialogu duhet të zhvillohet mbi baza të barabarta. 

“Tjetër, ka kërkuar që t’i hiqen sanksionet e padrejta Kosovës, dhe se këto masa duhet të bartën mbi pushtetin shovinist e terrorist të Vuҫiqit, i cili jo që po ulet në dy karrige të BE-së e të Rusisë, por edhe në atë të Kinës. Nëse Luta po mendon që Kurti ndryshon kursin politikë në dëm të vendit si paraardhësit e tij në pushtet, gabohet rëndë. Ai nuk shantazhohet me asgjë se nuk ka shkelë në dërrasa të kalbura. Luta si njëri ndër politikanët më përvojë në LDK, nuk i ka hije të paraqitet më deklarimet të tilla skandaloze, por të paraqitet me deklarime unifikuese,  me opozitarët e tjerë, se në pyetje është Kosova dhe e ardhmja e shqiptarëve në rajon”, thotë ai. 

Duhanaj kritikon Vetëvendosjen 

Analisti i ҫështjeve politike, Leon Duhanaj duke komentuar deklaratën e Hazirit, është treguar kritik ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka thënë se nuk ka edhe një projekt të vetëm, të cilin nuk e ka bastarduar duke e bërë "prioritet" të vetin. Por prioritet për ta dështuar, e jo për ta avancuar.  Nisur nga bashkimi kombëtarë e deri tek lufta "kundër" asociacionit, që tashmë po del projekt i mirë, por të cilin po e shndërron në Asociacion +. 

“Për me tepër do supozoja që duke parë përzierjen e panatyrshme të VV-së, në një konglomerat grupesh të interesit, e që unë mendoj që një masë solide mund të jenë edhe grupe përfaqësuese të agjenturave në Kosovë. Nëse ka me duar që do të ndodhë ndonjë zbulim i ndonjërës, nuk do befasohesha fare. Për ndryshe, hapje e dosjeve të shërbimeve, kishte me qenë shpëtim për Kosovës, sepse do të mund që njëherë e mirë, të  ndahet shapi prej sheqeri. Njerëz me hipoteka, mendoj që ka gjithandej, në të gjitha organizatat, qofshin apo politike apo edhe të tjera”, thotë Duhanaj. 

Këtë deklaratë e ka komentuar edhe profesori universitar dhe zyrtari i Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja përmes një postimi në rrjetet sociale ka deklaruar se 

“LDK-ja, nënkryetar i së cilës sot është Lutfi Haziri, kryetari i së cilës Isa M., në cilësinë e kryeministrit, ka dialoguar për dokumentin e titulluar "Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë - Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore", duke e nënshkruar në fund më 25 gusht 2015”. 

Ramabaja më tutje ka shkruar se ‘marrëveshjen e parë të prillit  2013, e cilësuar si Marrëveshje e parimeve, e kishte nënshkruar ish kryeministri Hashim Thaçi, ndërkaq ajo ishte ratifikuar në Kuvend si marrëveshje ndërkombëtare, duke u shndërruar në ligj. 

Lutfi Haziri ishte njëri nga nënshkruesit e asaj marrëveshje, që do të shndërrohej në ligj, siç ishin të gjithë deputetët e LDK-së”. 

Ramabaja: Këto janë marrëveshjet e dëmshme për Kosovën që kishte nënshkruar Lutfi Haziri 

“Marrëveshjen e parë të prillit  2013, e cilësuar si Marrëveshje e parimeve, e kishte nënshkruar ish kryeministri Hashim Thaçi, ndërkaq ajo ishte ratifikuar në Kuvend si marrëveshje ndërkombëtare, duke u shndërruar në ligj. Lutfi Haziri ishte njëri nga nënshkruesit e asaj marrëveshje, që do ët shndërrohej në ligj, siç ishin të gjithë deputetët e LDK-së”. 

“Marrëveshja e vitit 2015 përbëhej nga 22 pika, të cilat specifikojnë kornizën ligjore, objektivat, strukturën organizative, marrëdhënien me autoritetet qendrore, buxhetin dhe mbështetjen. Por, Haziri para se ta nënshkruante atë marrëveshje për krijimin e Asociacionit me aq kompetenca ekzekutive, që de fakto, e shndërronte atë në Republika Srbska 2, kishte kontribuar fuqishëm, në kuadër të delegacionit gjatë arritjes së Marrëveshjes së Vjenës {2007] dhe më tej në të ashtuquajturin proces të decentralizimit të Kosovës, përmes të cilit, sidomos harta e Anamoravës qe shndërruar në lëkurë leopardi”, ka shkruar Ramabaja. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat