“Është vërejtja më serioze publike e bërë ndonjëherë”/ Opozita kritikohet ashpër për mos-votimin marrëveshjeve ndërkombëtare

Politika

“Është vërejtja më serioze publike e bërë ndonjëherë”/ Opozita kritikohet ashpër për mos-votimin marrëveshjeve ndërkombëtare

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 27 tetor 2023 Në ora: 15:54
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka dështuar që të miratojë marrëveshjet ndërkombëtare. Krejt kjo pasi koalicioni në pushtet nuk po arrin që t’i sigurojë numrat për votimin e këtyre marrëveshjeve, pasi për këtë i nevojiten edhe votat e partive opozitare. 

Deri më tani, Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se në Kuvendin e Kosovës nuk do të miratojnë asnjë nismë të qeverisë Kurti, duke përfshirë këtu edhe marrëveshjet ndërkombëtare.  

Kurse edhe dy partitë tjera opozitare, LDK dhe AAK kanë shprehur rezerva, duke mos i  votuar marrëveshjet ndërkombëtare.  

Gazeta “Bota sot” ka kontaktuar deputetë të pozitës dhe opozitës për të marr një qëndrim se kur do të votohen këto marrëveshje, por nga të dy palët kanë refuzuar që të përgjigjen. 

Kurse analistët politikë thonë se ky është një turp i klasës politike në Kosovë, për çka fajin ua hedhin si pozitës, ashtu edhe opozitës. 

Loja pozitë-opozitë 

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri, shprehet se skena politike po luan më fatin e qytetarëve të Kosovës. 

Image
Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri

“Sikur mos të mjaftonin lojërat politike dhe rreziqet terroriste nga Serbia hegjemoniste, që në vazhdimësi i kanosen Kosovës, ka kohë që edhe opozitarët e inkriminuar, luajnë hapur me fatin e qytetarëve dhe çështjen e shtetit të Kosovës, ndaj i shqetësuar tej mase, për mosmiratimin e vazhdueshëm të marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, me shumë rëndësi për Kosovën të cilat do të sjellin miliona përfitime për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, Ambasadori gjerman Jörn Rohde, sqaroi për të gjithë qytetarët, se janë në rrezik të dështojnë projekte të mëdha energjetike dhe bujqësore Gjermani-Kosovë, ndaj dhe kërkojë një qasje më konstruktive nga aktorët e opozitës së inkriminuar”, thotë Qarri për “Bota sot”. 

Sipas tij, opozita duhet t’i jap fund bllokimit të votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. 

“Opozitë e cila, në fakt ka marrë mandatin e popullit, jo t’i bllokojë, por t’i votoj marrëveshjet ndërkombëtare, ndaj dhe e ka për obligim që t’i japë fund bllokadës me të cilën po rrezikon mbarëvajtjen e shtetit dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Kështu që sjellja me kaq papërgjegjësi e opozitarëve të inkriminuar në Kuvend, tanimë i ka neveritur tej mase edhe ndërkombëtarët, të cilët dhe kanë filluar të reagojnë me ashpërsi të panjohur më parë, për injorancën e paprecedent të opozitës me bllokimin e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare, për dëmtimin e qëllimshëm të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës”, nënvizon Qarri. 

“Qëndrimi i opozitës për mos-votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe bllokimi i tyre i qëllimshëm nga PDK, LDK dhe AAK, për ta vënë në vështirësi popullin dhe shtetin e Kosovës, ka bërë që të reagojnë me neveri ambasadat e huaja në vendin tonë, të cilat të zhgënjyera thellë me sjelljet e paprecedent të opozitarëve, janë shprehur jo vetëm shumë të dëshpëruara, por edhe tejet të frustruara  me veprimet adoleshente të  opozitës së inkriminuar, që interesat partiake, vazhdon t’i vendos mbi ato shtetërore. Mos votimi opozitar i marrëveshjeve ndërkombëtare posaçërisht të atyre Gjermani-Kosovë nga PDK, LDK dhe AAK, që me vetëdije kanë vënë në rrezik projekte madhore me shumë rëndësi për shtetin dhe qytetarët e Kosovës në energjetikë dhe bujqësi, ka shty të reagojë me pesimizëm të thellë veçanërisht ambasadorin gjerman Jörn Rohde, si mik i dëshmuar i Kosovës, kundrejt “opozitarëve”, që janë bërë kulmi i turpit, me sjelljet e tyre dhe kanë fytyrë ti shkelin me të dy këmbët, interesat e shtetit, për lojëra të ulëta politike”, shpjegon analisti Qarri. 

Më tej, Qarri deklaron se mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, mund t’i hakmerret në zgjedhje partive opozitare. 

“Opozitë, që populli i Kosovës, pikërisht shkaku i sjelljeve aktuale, mund të mos e votojë më kurrë, të kthehet në pushtet të cilin, po dëshmon vet, se nuk e kanë merituar asnjëherë. Për aq më tepër duke mos ditur se edhe sa do të zgjasë loja e djallit, me të cilën po shërbehet opozita e inkriminuar dhe marr parasysh rëndësinë jetike të këtyre marrëveshjeve, sidomos për qytetarët e Kosovës, thirrja e ambasadorit Rhode është vërejtja më serioze publike e bërë ndonjëherë, nga një përfaqësues evropian dhe ndërkombëtar, si ambasadori i Gjermanisë mike, para të cilës vërtet opozita duhet turpëruar, përderisa edhe ata vet e dinë mirë, se bllokimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, nuk është mjet për të dhënë dorëheqje qeveria dhe as mënyrë për të detyruar, shkuarjen në zgjedhje të reja”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri. 

Fajtor koalicioni qeverisës 

Kurse analisti Nexhat Haziri, fajtor për mos-votimin e këtyre marrëveshjeve e bën koalicionin qeverisës. 

Image
Analisti Nexhat Haziri

“Mos votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare fajtor janë si opozitë, po ashtu edhe pozita, edhe pse përmes këtyre veprimeve opozita po mundohet t’i revanshohet arrogancës së partisë në pushtet e cila opozitën ka filluar ta sheh vetëm si një dekor në kuvendin e Kosovës”, thotë Haziri. 

Sipas tij, kryeministri Kurti po bojkoton punën e Kuvendit të Kosovës. 

“Është e paprecedent që kryeministri Kurti të mos iu përgjigjet pyetjeve parlamentare që vijnë nga opozita, apo edhe të urdhërojë që deputetët e pozitës të mos marrin pjesë në komisione parlamentare, siç ka të bëjë me komisionin për hetim parlamentar ndaj skandalit me rezervat e shtetit. Ky bojkot nga pozita po shpërfaq tendencën e fshehjes së hajnisë që u janë bërë rezervave të shtetit në të cilën janë përfshirë një sekser dhe zyrtar të lartë të qeverisë Kurti”, shprehet Haziri. 

“Por kujtoj se opozita do të duhet të reflektoj dhe t’i votojë këto marrëveshje të cilat janë në interes të vendit dhe të qytetarëve, dhe po ashtu edhe një reflektim nga pozita e cila duhet të iniciojë një dialog parlamentar me partitë opozitare për të dal nga kjo situatë”, përfundon Nexhat Haziri për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat