Njohja de-facto e Kosovës, a do zmbrapset Vuçiqi nga presioni i liderëve evropianë

Politika

Njohja de-facto e Kosovës, a do zmbrapset Vuçiqi nga presioni i liderëve evropianë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 1 nëntor 2023 Në ora: 08:05
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Gjatë javës së kaluar, në qendër të vëmendjes kanë qenë takimet në Bruksel në kuadër dialogut Kosovë-Serbi. 

Përveç takimit të kryeministrit Albin Kurti me liderët evropianë, të premten kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni përmes një letre kanë dalë me kërkesa të drejtpërdrejta për Kosovën dhe Serbinë. 

Në letrën publike të tre liderëve evropianë të lëshuar të premten thuhet: 

Me qëllim të arritjes së progresit të shpejt në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç përshkruhet në draftstatut, ndërsa Serbisë që të jetësojë njohjen de-facto. Formalitetet, përfshirë ato ndërlidhur me adoptimin, nuk duhet të qëndrojnë në rrugën e progresit për këtë çështje”. 

Ajo çka ishte e re në këtë letër, kishte të bënte me kërkesën e liderëve perëndimor ndaj Serbisë për njohjen de-facto të Kosovës. 

Kjo kërkesë u mirëprit mjaftë mirë, derisa një gjë të tillë nuk e kishin përmendur as Borrell e as Lajçak, ndonëse janë tash e sa kohë ndërmjetësues të negociatave Prishtinë-Beograd. 

Mirëpo, Vuçiq me deklaratat e tij po tregon se nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga politikat e tij fashiste. 

Megjithatë, mbetet të shihet nëse do mund t’i bëj ballë presionit liderëve të mëdhenj të BE-së. 

Mulliqi: Kjo letër e fundit publike dërguar këtyre ditëve nga Scholz, Macron dhe Meloni, ka karakter më ndryshe 

Image
Skënder Mulliqi

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli njohësi i çështjeve politike, Skënder Mulliqi. 

Së pari, ai tha se letra e fundit e udhëheqësve të shteteve të BE-së, ka një karakter të veçant dhe është ndryshe nga letra e mëparshme. 

Edhe një vit më parë Vuçiq kishte pranuar një letër nga kancelari gjerman Scholz dhe nga presidenti francez Macron lidhur me draft marrëveshjen e Ohrit. Kjo letër e fundit publike dërguar këtyre ditëve nga Scholz, Macron dhe Meloni, ka karakter më ndryshe, se nga Vuçiqi kërkohet që të pranon pavarësinë e Kosovës, pasi që kryeministri i Kosovës ka pranuar të nënshkruaj marrëveshjet me Serbinë. Pas takimeve të së enjtës në Bruksel, treshja evropiane ka kërkuar që Kosova të nisë procedurat për themelimin e Asociacionit sipas draft statusit të propozuar me 21 tetor nga pesëshja perëndimore, ndërsa nga Serbia dhe Vuçiqi kanë kërkuar njohjen de fakto të Kosovës”, vlerësoi analisti. 

Mulliqi u kthye pas në kohë dhe kujtoi kohën se si presidenti serb në vazhdimësi refuzonte të nënshkruante marrëveshje me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, derisa nuk e pranonte ankesin e marrëveshjes së Ohrit. 

Mirëpo, pavarësisht kësaj, ai potencoi se takimi i fundit në Bruksel ka qenë korrekt dhe i barabartë. 

“Ne duhet të kthehemi pak mbrapa në retrospektivë të procesit, ku Vuçiqi në mënyrë permanente refuzoi të firmos marrëveshjet e paraqitura nga Borrell dhe Lajçak, si marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit, dhe e gjithë kjo kalonte pa reperkusione politike nga ndërmjetësit e BE në bisedime. Vuçiqi po refuzon të nënshkruajë aneksin e marrëveshjet të Ohrit, se aty në një pikë të planit franko-gjerman, pikërisht nëse nuk gabohem në pikën 7, përfshihen të gjitha atributet e pranimit të pavarësisë të Kosovës, gjë të cilën Vuçiqi e ka kundërshtuar edhe në takimin e fundit me pesëshen evropiane. Kur jemi këtu të theksojmë se takimi i fundit ishte shumë më ndryshe për Vuçiqin, i cili është mësuar të gjej përkrahje në dialog me Kosovën nga Borrell i cili po mban ende qëndrim statik dhe pro, Serbisë dhe çekun Lajçak. Takimi i zhvilluar në Bruksel kësaj here ka qenë korrekt mbi baza të barazisë së dialogut”, theksoi ai. 

Më tej, analisti, tha se Kurti e luajnw lojën politike me mjeshtri duke ia gjuajtur ‘topin’ Vuçiqit, pasi ky i fundit nuk do të nënshkruaj pa përfunduar zgjedhjet në Beograd. 

Vuçiqi nuk po e pranon aneksin e marrëveshjes së Ohrit, duke deklaruar se Serbia nuk është e gatshme të pranon inkuadrimin e Kosovës në OKB, dhe as në organizmat e tjerë relevant ndërkombëtar. Ai e përsëriti edhe pas takimit të fundit me pesëshen e Evropës, se nuk do të pranon pavarësinë e Kosovës. Kryeministri ynë e luajti lojën politike me mjeshtri duke ja gjuajtur topin përfundimisht në fushën e Serbisë të pareformuar. Mendoj, se BE dhe Amerika tashmë e kanë të qartë sidomos pas ngjarjes tragjike të aktit terrorist serbe të sponsorizuar nga Vuçiqi, se kush është fajtori dhe se Serbia duhet të ndëshkohet nëse Vuçiqi nuk i përgjigjet letrës dhe nuk firmos përfundimisht marrëveshjet ku pranohet edhe pavarësia e Kosovës, apo deklarimi i hapur i tij që pranon pavarësinë. Unw mendoj, që kjo nuk do të ndodhë pa u mbajt zgjedhjet e paralajmëruara në Serbi”, nënvizoi Mulliqi. 

Ndër të tjera, shtoi se është e vështirë të parashikohet nëse Vuçiq do dorëzohet para presionit ndërkombëtarë për njohjen e Kosovës. 

Pas këtyre zhvillimeve pritet të shohim se çfarw do të ndodhë në Serbi, dhe se a do të kemi zhvillime të tjetra të procesit që të kemi marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve të cilën me ngulm po e kërkon BE, kur dihet se kemi luftën në Ukraine dhe luftën ndërmjet Hamasit dhe Izraelit. BE dhe Amerika janë të interesuara të mbyllin sa më parë kapitullin e procesit të dialogut maratonik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është vështirë të parashikohet se me Vuçiqin në pushtetin e Serbisë i cili rregullisht po refuzon të pranoj pavarësinë, të kemi më shpejt marrëveshje finale”, përfundoi Skënder Mulliqi për “Bota sot”. 

Duhanaj: Letra në fjalë, ka për qëllim të konfirmojë një formë presion 

Kurse, analisti politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” letrën e liderëve evropianë e cilësoi si një presion për të dy palët. 

Image
Leon Duhanaj

Sipas tij, njohja de-facto ka ndodhur me përfundimin e luftës dhe nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës. 

“Për mendimin tim, letra në fjalë, ka për qëllim të konfirmojë një formë presioni, i cili me siguri u është bërë të dyja palëve në takimet e fundit. 

Njohja de-facto, nëse mund ta quajmë njohje, ka ndodhur me përfundimin e luftës, gjegjësisht me marrëveshjen e Kumanovës, ku Serbia u detyrua t'i tërheq të gjitha trupat dhe t'u qëndroj larg kufijve të Kosovës”, deklaroi analisti. 

Duhanaj vlerëson se ndërkombëtarët po e përdorin termin njohje de-facto për dy qëëlime, e që njëri ka të bëjë me paralajmërimin e Serbisë se nuk është e lejueshme ndërhyrja dhe agresioni në Kosovë. 

“Për mendimin tim, arsyeja pse tani me njohja de-facto po përdoret si term, ka dy qëllime. 

Në njërën anë t’i dërgojnë sinjalet Serbisë, se ndërhyrja e drejtpërdrejtë në Kosovë, siç e ka bërë vazhdimisht, e posaçërisht me 24 shtator ku pati një agresion terrorist të sponsorizuar nga Serbia, është e papranueshme dhe nuk guxon të përsëritet. 

Dhe në dyta mendoj është si mesazh mbështetës për Kryeministrin Kurti në mënyrë që t'i shes me lehtë lëshimet që i ka bërë në ketë proces. Sepse z. Kurti me paaftësinë apo destruktivitetin e tij, kontribuoj që në vend të njohjes de-jure, sot të flitet për njohje de-facto, dhe për autonomi të serbëve në Kosovë”, u shpreh ai. 

Në fund, analisti komentoi edhe qasjen e kryeministrit Kurti në raport me dialogun me Serbinë. 

Pra z. Kurti për dy dekada, luftoj çdo gjë dhe çdokënd, për të ardhur në fund në konkluzionin se ky e mbajti Kosovën peng për ta rritur pazarin serb brenda shtetit tonë. Për ketë jam i bindur se në një vend tjetër do të ndodhte hataja, por për ne shqiptarët, nuk përbën as lajm, sepse nëse do të përbënte, atëherë sigurisht që historikisht do kishim qenë me mirë. 

Për mendimin tim, është fatkeqësi që kemi në mentalitet të tillë, e që jemi preh e lehtë për manipulime. Uroj të jem gabim, po frikësohem që koha do ta dëshmoj se çfarë dëmesh dimë t'i bëjmë vendit dhe kombit tonë, duke u thirrur në karten e "patriotizmit" dhe nacionalizmit të pa bazuar”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat