Zbulohet plani i Serbisë/ Profesori zbardh prapaskenat, ja pse Vuçiq nuk po e pranon njohjen e Kosovës!

Politika

Zbulohet plani i Serbisë/ Profesori zbardh prapaskenat, ja pse Vuçiq nuk po e pranon njohjen e Kosovës!

Nga: M.Haziri Më: 1 nëntor 2023 Në ora: 10:01
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka vazhduar vizitën në Beograd, ndërsa pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq ka ripërsëritur qëndrimin e saj dhe të KE-së, se njohja “de fakto” e pavarësisë së Kosovës, nënkupton zbatimin e marrëveshjes së rënë dakord në Ohër.

Bëhet fjalë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila parasheh hapa të ndryshëm që përfshijnë njohjen e dokumenteve dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia, dhe ajo që shkon bashkë me themelimin e Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, që duhet të zbatohet nga Kosovë”, tha Von der Lelyen në një konferencë të përbashkët për medie me presidentin Vuçiq.

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar Dr. Enver Bytyçi.

Ai u shpreh zhvillimet e fundit kanë filluar të marrin kahje të ndryshme dhe për këtë ka ndikuar suksesi i policisë së Kosovës më 24 shtator.

“Zhvillimet e fundit në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë duket se kanë marrë një kahje të ndryshme nga ajo që ishte më parë. Eshtë e sigurt se në këtë skemë tani më të favorshme për Kosovën, ka ndikuar suksesi i policisë dhe institucioneve të Kosovës në përballjen dhe menaxhimin e aktit terrorist serb në Banjskë të Zveqanit të datës 24 shtator”, u shpreh ai.

Image
Enver Bytyçi

Deklaratat e Aleksandër Vuçiç janë krejtësisht në kundërshtim me rekomandimet e BE-së

Në bised e sipër profesori vazhdon të flas për takimin e fundit të Kurtit me Vuçiqin, duke theksuar që pranimi i Asociacionit do të sjellë edhe njohjen de facto.

Ndërsa sa i përket vizitës së Ursula von der Leyen, profesori thekson që deklaratat e Aleksandër Vuçiç janë krejtësisht në kundërshtim me rekomandimet e BE-së dhe se ai nuk e pranon Kosovën shtet të pavarur, sepse është në fushatë zgjedhore.

“Takimi javën e shkuar në Bruksel i Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç me gjashtë përfaqësuesit më të spikatur të BE-së, përfshirë kancelarin Scholz, presidentin Macron dhe kryeministren Meloni, bëri të qartë se formula e zgjidhjes tashmë është që Kosova të pranojë asosacionin dhe Serbia njohjen de facto. Kryeministri Kurti mori përsipër të pranojë asosacionin e komunave me Shumicë Serbe në Kosovë bazuar në një projekt modern europian. Unë e lexova atë, nëse është i plotë. Por dyshoj se nuk është i gjithë statuti. Sepse pashë vetëm kritere dhe parime. Nuk pashë se cilat jane funksionet konkrete dhe kompetencat e këtij asosacioni, drejtuesve dhe kuvendit të tij. Kështu që rezervoj të shprehem për të.

Megjithatë, presidenti i Serbisë nuk e pranoi as në Bruksel, as gjatë vizitës së zonjës Ursula von der Leyen obligimin për njohjen faktike të pavarësisë së Kosovës. Ai vazhdon të justifikohet se “nuk mund ta shkelë kushtetutën e vendit të tij”! Deklaratat e Aleksandër Vuçiç janë krejtësisht në kundërshtim me rekomandimet e BE-së. Ai nuk e pranon Kosovën shtet të pavarur, sepse është në fushatë zgjedhore. Por nuk e pranon edhe për faktin se nuk dëshiron që të ketë një asosacion për komunat me shumicë serbe me një status që nuk çon në ndarjen e Kosovës. Kur thotë se “nëse njoh Kosovën e pavarur dhe e pranoj anëtarësimin e saj në OKB, atëherë unë shkeli kushtetutën e Serbisë”, në thelb Vuçiç shpreh hapur synimet e tij për ndarjen e katër komunave të veriut dhe bashkimin e tyre me Serbinë”, shton ai.

Kur zihen ngushtë liderët serbë bëjnë rolin e viktimës

Bytyçi shpjegon ndër të tjera që zgjedhjet e planifikuara në dhjetor në Serbi kanë sjellë këto vendime të Vuçiqit, që Serbia të mos pranojë pavarësinë e Kosovës, dhe kjo vetëm për alibi.

Ai më tej potencon që pas zgjedhjeve, nëse presioni i Perendimit nuk do të rritet do të ketë euro-amerikanë që do ta mbështesin.

“Zgjedhjet e planifikuara për në dhjetor si dhe zgjedhjet parlamentare në Serbi, të cilat ka shumë gjasa të bëhen pas dhjetorit, përdoren si alibi e qeverisë dhe presidentit serb. Alibia është e tillë: – Ne kemi zgjedhje dhe në kohë zgjedhjesh nuk mund të bëjmë kompromise për njohjen de facto të Kosovës si shtet të pavarur. Por në të vërtetë ata duan të fitojnë kohë. Mendojnë se ndoshta ndryshojnë balancat në favor të Serbisë e të Rusisë dhe më pas të munden të diktojnë zgjidhjen që ata duan vetë, bazuar ne konceptin e “Botës Serbe”! Këtë taktikë e ka përdorur Serbia vazhdimisht në dy dekadat e fundit. Për shkak të Kosovës dhe me qëllim që t’i ikin bisedimeve dhe nënshkrimit të marrëveshjeve me Kosovën e për Kosovën, ata kanë likuiduar fizikisht një kryeministër dhe kanë shpallur gjithmonë zgjedhje të parakohshme. Vetë Vuçiç në 12 vitet e fundit e ka përdorur këtë taktikë së paku tri herë.

Kur zihen ngushtë liderët serbë bëjnë rolin e viktimës. Thonë: - Aman se jemi në fushatë elektorale dhe humbasim pushtetin. Por kësaj radhe BE dhe SHBA duket se nuk duan të ia dinë nëse ka ose jo zgjedhje në Serbi. Mesa duket e kanë kuptuar hilenë serbe dhe ata nuk po tërhiqen nga kërkesa që kanë ndaj Serbisë. Pavarësisht kësaj, nuk besoj se Aleksandër Vuçiç do të tërhiqet. Pra nuk do të pranojë njohjen de facto të Kosovës. Madje as pas zgjedhjeve, nëse presioni i Perendimit nuk do të rritet. Do të ketë euro-amerikanë që do ta mbështesin. Ne i njohim tashmë disa prej tyre. P.sh Borrellin, Lajçakun, apo Richard Grennell. Por pak besim duhet patur edhe te Gabriel Escobar”, tha ai.

Vetëm pasi të jepen të gjitha garancitë juridike ndërkombëtare për Kosovën nga ana e Serbisë mund të nënshkruhet marrëveshja për asosacionin

Sipas profesorit Serbia do të mundohet të destabilizoj ende Kosovën me akte të ndryshme dhe për këtë arsye Qeveria Kurti nuk duhet të pranoj të nënshkruaj asociaiconin pa pasur edhe njohje faktike të Kosovës.

Në kushte të tilla Serbia, d.m.th strukturat e ushtrisë, shërbimit sekret, kisha ortodokse, ministrat e qeverisë, vetë presidenti Vuçiç, do të tentojnë të kryejnë akte destabilizimi në Kosovë. Nuk do të ndalen. Do të jenë aktivë në diversionet e provakacionet terroriste që do kryejnë në Kosovë. Për këtë arsye e kam konsideruar dhe e konsideroj si veprim të mençur kërkesën e presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti për ta ndëshkuar presidentin dhe qeverinë serbe për aktin terrorist të 24 shtatorit. Dënimi dhe ndëshkimi i Serbisë për atë akt kriminal e terrorist do të jetë kusht i domozdoshëm për të parandaluar akte të tilla në të ardhmen.

Dhe së fundi, mendoj se qeveria e zotit Kurti nuk duhet të zotohet e të realizojë asnjë lloj asosacioni pa nënshkrimin e marrëveshjes për njohje faktike të Kosovës nga ana e Serbisë. Asosacioni duhet të shoqërohet nga ky akt. Madje dhe nga zotimi i Vuçiç për ta larguar Kosovën nga Kushtetuta e Serbisë. Për të mos e konsideruar më atë pjese sovrane të këtij vendi. Vetëm pasi të jepen të gjitha garancitë juridike ndërkombëtare për Kosovën nga ana e Serbisë mund të nënshkruhet marrëveshja për asosacionin. Kjo do të thotë se ajo marrëveshje duhet pranuar në parim, por jo për implementim derisa Serbia ta pranojë shtetin e Kosovës”, përfundoi profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat