Zbardhen prapaskenat e shpalljes së zgjedhjeve në Serbi/ Ky është plani i Vuçiqit – lidhet me dialogun me Kosovën!

Politika

Zbardhen prapaskenat e shpalljes së zgjedhjeve në Serbi/ Ky është plani i Vuçiqit – lidhet me dialogun me Kosovën!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 4 nëntor 2023 Në ora: 16:35
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Një raport normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë nuk është arritur ende.

Mirëpo për të “zgjatur” dialogun me Kosovën, Vuçiq bëri lëvizjen e radhës.

Vuçiq, dhe kryetari i Parlamentit të Serbisë, Vladimir Orliq, njoftuan të mërkurën për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në disa qytete dhe komuna, përfshirë kryeqytetin serb, Beograd.

Zgjedhjet do të mbahen më 17 dhjetor 2023 dhe në krahina.

Me shpalljen e zgjedhjeve, Vuçiq ka shpërndarë Parlamentin serb që u zgjodh më 3 prill 2022.

Me shpalljen e zgjedhjeve, fushata parazgjedhore zyrtarisht ka nisur në Serbi. Fushata do të zgjasë deri mesnatën e 14 dhjetorit, kur do të nisë heshtja zgjedhore.

Pas shpalljes së zgjedhjeve ka reaguar ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, i cili tha se nuk e sheh se si zgjedhjet, qoftë në Serbi apo në ShBA, mund ta lënë anash dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës apo ta ndalojnë atë për një periudhë të caktuar.

Hill tha se ai pret që dialogu të vazhdojë dhe se “duhet të shikojmë fleksibilitetin” e Beogradit dhe Prishtinës, sepse “në fund dhe në mënyrë të pashmangshme do të duhet të jetë një proces i dhënies dhe marrjes”.

Mirëpo, duke qenë në një situatë jo të duhur me Kosovën, a është kjo një mënyrë e Vuçiqit për t'i ikur nënshkrimit të marrëveshjes?

Kelmendi: Serbia po ikë nga përgjegjësia ndaj BE-së dhe ShBA-së

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Muhamet Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi.

Ai u shpreh se Serbia po ikë nga përgjegjësia kundruall BE-së dhe ShBA-së dhe nuk ka për qëllim pranimin e marrëveshjes së arritur me Kosovën.

“Serbia nuk është e interesuar në zgjidhjen e raporteve me Kosovën. Për më tepër, me ideologjinë e botës serbe, po punon me forca të shumëfishuara për të realizuar atë qëllim serbomadh. Përveç militarizimit të masave, duke zhvilluar një propagandë intenzive raciste, është armatosur shumë, duke u bërë superfuqi në Ballkan. Serbia po ikë nga përgjegjësia kundruall BE-së dhe ShBA-së. Nuk ka për qëllim pranimin e marrëveshjes së arritur me Kosovën. Nuk i intereson fare zgjidhja e raporteve shqiptaro-serbe. Për Serbinë është Kosova “tokë” serbe dhe që me çdo kusht, edhe me luftë, duhet të ripushtohet”, u shpreh ai.

Më tej, profesori theksoi që për të përfitur kohë, Vuçiq shpalli zgjedhjet më 17 dhjetor dhe se Serbia duhet të sanksionet për ta ndaluar.

“Tash për të përfituar në kohë u përcaktuan nga krimineli Vuçiq zgjedhjet për 17 dhjetor. Kjo është një formë e ikjes nga dialogu dhe përgjegjësia ndaj BE-së dhe paqes së sigurisë. Pas agresionit terrorist të 24 shtatorit, edhe pse përgjegjësinë e mori Milan Radoiçiq, duket se Serbia do të vazhdojë rrugën e njëjtë terroriste. Priten aksione tjera kriminale e terroriste. Kjo ndalohet vetëm me masa konkrete ndaj shtetit serb. Pa e vënë nën sanksione dhe pa e parë forcën, shteti serb nuk ndalet nga agresioni terrorist ”, nënvizoi Kelmendi për “Bota sot”.

Mulliqi: Ndërkombëtarët t'ia shtojnë trysninë Serbisë

Ndërsa, analisti politik, Skënder Mulliqi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që fakti pse Vuçiqi pajtohet me organizmin e këtyre zgjedhjeve është përfitimi në kohë, rreth marrjes së ndonjë vendimi për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi në procesin e dialogut që po zhvillohet.

Image
Skënder Mulliqi

“Ka kohë që në Serbi po organizohen protesta të mëdha kundër pushtetit absolut të presidentit Vuçiq. Gjendja e keqe ekonomike dhe korrupsioni i lartë si dhe ngjarja e vrasjeve të 20 nxënësëve atje, nxiti valën e madhe të protestave në Serbi. Ajo që Vuçiqi pajtohet me organizmin e këtyre zgjedhjeve është fakti i përfitimit në kohë rreth marrjes së ndonjë vendimi për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi në procesin e dialogut që po zhvillohet, si dhe mos gatishmëria e tij që të pranojë pavarësinë e Kosovës. Tjetër, që më duket mua pse Vuçiqi u pajtua që të ketë zgjedhje të parakohshme, është se ai duket i gatshëm që të pranojë pas zgjedhjeve pa marrë parasysh rezultatin, që të formojë një qeveri teknike me një afat kalimtar jo të gjatë”, thotë analisti.

Ndër të tjera, ai shton që duhet një trysni më e madhe nga ndërkombëtarët për Serbinë për të arritur një zgjidhje me Kosovën.

“Pozita e Vuçiqit dhe partisë së tij nuk është më e fortë si më parë sidomos pas ngjarjes të fundit në Banjskë të veriut të Kosovës, ku si sponzor kryesor i saj me Radoiçiqin, për ndarje të Kosovës me aktin terrorist, pësoi humbje në njerëz, dhe u tërhoq nën bisht nën shalë pa e arritur synimin për ndarje të Kosovës. Kjo ngjarje tragjike u komentua nga opozita serbe si humbje e pushtetit të Serbisë, dhe po shikohet si ngjarje e cila i ka shkaktuar dëme të mëdha Serbisë në arenën ndërkombëtare. Edhe diçka krejt në fund, Serbisë nuk i kanë humbur shpresat që Putin do të dal fitues i luftës në Ukrainë. Po mos të ishte kjo besoj që Vuçiqi, do të kishte sjellje krejt më ndryshe me BE-në dhe Amerikën në procesin e dialogut, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare me botën perëndimore. Por, megjithatë mendohet se që të kemi zgjedhje me këtë shtet ka bërë trysnisë të faktorit ndërkombëtar që po dëshiron të përmbyllë kapitullin maratonik të bisedimeve Kosovë-Serbi”, përfundoi Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat