Ekspertët komentojnë protestën e FIT para Qeverisë: Ishin pamje të rënda, qeveria dhe pjesëtarët e saj të gjejnë zgjidhjen e duhur!

Politika

Ekspertët komentojnë protestën e FIT para Qeverisë: Ishin pamje të rënda, qeveria dhe pjesëtarët e saj të gjejnë zgjidhjen e duhur!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 4 nëntor 2023 Në ora: 18:28
Njësia Speciale Intervenuese e Policisë së Kosovës në protesta

Më 1 nëntor pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar rishikimin e kategorizimit për rrezikshmërinë në punë. 

Për këtë ka pasur reagime të shumta si nga pozita ashtu edhe nga opozita. 

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se paga mesatare mujore gjatë këtij viti e këtyre zyrtarëve që kanë protestuar është mbi 2.200 euro. 

“Për ne, ka qenë gjithmonë synim përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi i pajisjeve që mbrojnë jetën e zyrtarit policor si dhe trajtimi dinjitoz e i drejtë i tyre, teksa për dallim nga kohërat e mëhershme, kur kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë zbatuar fare, ne kemi kompensuar ato pa vonesa. Të ardhurat mesatare mujore gjatë këtij viti të zyrtarëve që protestuan sot janë mbi 2.200 euro”. 

Edhe kryeministri Albin Kurti, ka thënë thujase të njejtën gjë si ministri i Brendshëm, që sa i përket pagës, ta ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj. 

“Secili pjesëtar i NjSI ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro. Të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj (paga bazë plus shtesat). Tash do ta kenë edhe shtesën e rrezikshmërisë prej 150 euro në muaj, përderisa vazhdon kjo situatë në veri të vendit, e që është niveli më i lartë i kësaj shtese. Në fund të muajit nëntor i bie që përveç pagës së rritur, secili prej tyre do të marrë edhe shumën neto prej 1.350 euro retroaktivisht (shtesa e rrezikshmërisë shkurt-nëntor 2023)”, ka thënë ndër tjera Kurti. 

Elezi: Policia është reaguesi i parë i sigurisë  

Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se ajo që kemi parë nga Polica ishte e rëndë, por që është e detyruar t’i kërkojë të drejat e veta. 

Po ashtu, sipas Elezit, protesta ishte tregues që institucionet e Kosovës të reflektojnë mbi kërkesat e tyre. 

Image
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi

“Ishte e rëndë ajo që kemi parë, protestën e Policisë së Kosovës, përkatësisht Njësisë Elitare (FIT). Kjo protestë dëshmon qartë se Policia e Kosovës, tanimë është e detyruar që të drejat e saj, të cilat janë të garantuara me ligjet e Kosovës, duhet t’i kërkojë në rrugë dhe duke protestuar. Kjo pamje e policisë është e rëndë sidomos pas 24 shtatorit që pamë një performancë të shkëlqyer me rastin e sulmit në Banjskë.  

Protesta është një tregues i qartë se vërtetë institucionet e Kosovës të cilat e kanë për obligim krijimin dhe përmbushjen e kushteve, të reflektojnë dhe të sigurojnë një mbështetje serioze për një performancë e cila i duhet Policisë së Kosovës”, thotë ai.  

Ai kërkesat e policisë i vlerëson natyrale dhe që duhet përmbushur nga institucionet. 

“Kërkesat të cilat Policia e Kosovës i ka parashturar në protestë janë kërkesa natyral, kërkesa të cila ndoshta nuk duhet të kërkohen, e që në fakt janë detyrime të institucioneve të cilat merren me funksionalizimin e operacioneve të policisë. 

Ne e dimë që një kohë të gjatë Policia e Kosovës ka kërkuar përmes rrugëve të komunikimit të saj për të drejtat e tyre, e cila ka bërë disa shkresa, kërkesa për përmbushjen e kërkesave të tyre apo edhe detyrimeve që kanë ndaj tyre, por deri më tani nuk kanë hasur në mirëkuptim dhe nuk ka pasë lëvizje konkrete për të plotësuar detyrimet të cilat janë bërë arsyje pse Policia e Kosovës ka protestuar. 

Këto kërkesa nuk janë paraparë në ligjin e Kosovës, por janë të detyrueshme për institucionet që merren me fuksionalizimin e Policisë së Kosovës dhe janë kërkesa që dalin nga puna që ka Policia e Kosovës në terren”, vlerëson ai. 

Në fund, thotë se policia është zbatues i ligjit, andaj ajo çfarë kemi parë është imazh i rëndë për Kosovën. 

“Policia e Kosovës është zbatues i ligjit dhe vendimeve të institucioneve të ndryshme. Është reaguesi i parë i sigurisë, andaj përpos pagave që duhet të ketë, duhet të ketë edhe mbështetje të tjera në mënyrë që performanca të jetë në nivelin që kemi parë, sepse ju e dini që ka pak probleme në Policinë e Kosovës në meritokraci, por që në fakt ndoshta edhe te kjo pjesë ndërlidhet mos qasja e duhur. 

Mos përmbushja e kërkesave të Policisë së Kosovës ka kaluar nga institucionet në rrugë dhe kjo është përkeqardhje dhe është një imazh shumë i rëndë për Kosovën”, përfundoi ai për “Bota sot”. 

Kelmendi: Atyre kërkohet që pushteti t’ua zgjidh çështjet jetësore 

Profesori Muhamet Kelmnedi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se nuk është shumë e qëlluar që organet e renit të protestojnë, e që duhej që pushteti t’ua plotësojë kërkesat e tyre, por nëse ndodh e kundërta atëherë protesta është një e drejtë e patjetërsueshme. 

“Demonstratat janë e drejta me esenciale dhe mjeti kryesor i demokracive bashkëkohore dhe liberale. 

Pa demonstrata dhe protesta, nuk ka jetë demokracia. Demonstrat i ndihmojnë demokracisë, protestat tregojnë rrugën e demokracisë dhe problemet e shoqërisë.  Këtej është e drejtë mjeti demonstrues. 

Natyrisht, se nuk është e qëlluar që organet e rendit dhe të sigurisë të demonstrojnë. Atyre kërkohet që pushteti t’ua zgjidh çështjet jetësore. 

Megjithatë, edhe organet e rendit zhvillojnë protesta. Është e drejtë e patjetërsueshme. Shpresohet, se qeveria e sheh këtë gjendje dhe vepron në zgjidhjen e çështjeve të paraqitura”, shprehet Kelmendi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat