Debati i ashpër për Asociacionin, Kurti ‘mposhti’ i vetëm opozitën – Bytyçi me deklaratë të fortë: Kjo nuk duhej të ndodhte!

Politika

Debati i ashpër për Asociacionin, Kurti ‘mposhti’ i vetëm opozitën – Bytyçi me deklaratë të fortë: Kjo nuk duhej të ndodhte!

Nga: A.M. Më: 4 nëntor 2023 Në ora: 20:37
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Gjatë seancës së djeshme parlamentare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti debatoi ashpër me opozitën, më së shumti me Lumir Abdixhikun e Memli Krasniqin.

Përplasjet erdhën pas pranimit të draftit të Asocaicionit nga ana e kryeministrit Kurti.

E më të zëshmit në këtë pjesë ishin Krasniqi e Abdixhiku, liderë të partive që në të kaluarën e nënshkruan pikërisht marrëveshjen për Asociacionin.

E këto përplasje mes pozitës dhe opozitës i komentoi profesor, doktor Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot”.

Fillimisht, ai tha se Kurti ka krjuar një lloj situate, në të cilën janë ngatërruar me naivitet opozitarët në Kosovë.

Mirëpo, sipas tij, po kuptohet qartë se nuk do ketë asociacion pa njohjen nga ana e Serbisë.

“I dëgjuam dje në Kuvendin e Kosovës të gjithë ne diskutimet, debatet, kritikat ndaj kryeministrit Kurti, si dhe përgjigjet e këtij të fundit. Objekt diskutimesh, kritike e reagimesh ishte ajo që quhet asociacion i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, të cilin kreu i ekzekutivit thotë se e ka pranuar. Që në fillim dua të them se kam përshtypjen se zoti Kurti më duket se ka krjuar një lloj situate, në të cilën janë ngatërruar me naivitet opozitarët në Kosovë. Askush nuk e di se çfarë është ajo që Kurti e ka pranuar më 26 tetor në Bruksel. Në parlament ai tha se “kam pranuar projektin e pesëshes, por si pjesë përbërëse e gjithë paketës”! Që më e pakta që kuptojmë nga kjo, është se nuk do të ketë asociacion pa njohje faktike nga ana e Beogradit të pavarësisë së Kosovës”, deklaroi profesori.

Image
Profesor, Enver Bytyçi

Sipas Bytyçit, opozita e shfrytëzoi këtë seancë parlamentare për ta shprehur mllefin ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Madje, ai kritikoi partitë opozitare të cilët sipas tij, iu nënshtruan Grenellit, Vuçiqit, Ramës e Thaçit, ku pranuan ta ndajnë Kosovën.

“Dje Kurti u përgjigj për pyetje hipotetike. Opozita nuk duhej të kërkonte interpelancë me kreun e mazhorancës pa u njohur me përmbajtjen e projektit. Një debat i tillë dukej si luftë me mullinjtë e erës. Opozitarët thjesht shfrytëzuan rastin të shprehin mëllefin kundër kryeministrti të vendit, duke e ditur se nuk do të zgjidhin asgjë. Ndoshta këta opozitarë e donin një debat pa e njohur projektin. Sepse po ta njihnin atë projekt e ta kundërshtonin, atëherë do ishin përballë me kritikat e ndërkombëtarëve. Dhe këta opozitarë nuk e kanë guximin ta pranojnë këtë përballje. Ata iu nënshtruan Grennellit, Vuçiçit, Thaçit e Edi Ramës dhe si në heshtje e pranuan ndarjen e Kosovës. Jo më të kundërshtojnë diçka që e kanë firmosur vetë në vitin 2013 dhe 2015”, theksoi ai.

Po ashtu, profesori tha kritikat e opozitës ndaj Kurtit nuk ishin të bazuara dhe të pamendura.

Ai shtoi se opozita nuk mund ta denigroj Kurti, edhe nëse e ndihmon Vuçiqi.

“Tonet dhe formulat e kritikave opozitare ishin vërtet të pamenduara. Jo të pamenduar mirë, por të pamenduara fare. P.sh kreu i grupit parlamentar të AAK-së tha se Vuçiç po ia tregon sekretet e tij edhe Rusisë dhe Kinës e ti kryeministër nuk po na e tregon ne deputetëve projektin e këtij asociacioni. Një argument idiot ishte ky. Sepse nuk mund të vihet asnjë paralele midis asaj që bën presidenti i Serbisë dhe korrektesës së zotit Kurti për të respektuar një pajtim me ndërkombëtarët. Mund ta trajtonte si veprim që le për të dyshuar në këtë projekt, por përpjekja për ta futur në retorikë armikun e Kosovës, Vuçiçin, është një përpjekje e dështuar: Nuk e ndihmon opozitën nëse ajo thirr në ndihmë Vuçiçin e deri Milosheviçin për ta denigruar Albin Kurtin”, nënvizoi Bytyçi.

Më tej, ai ‘goditi’ PDK-në, deputetët dhe liderin e saj, duke ia rikujtuar se si ish-udhëheqësit e kësaj partie në të kaluarën e nënshkruajtën Zajednicën.

“Këta të PDK-së, më duket Memli, i thanë se “A të dhimbsen ato viktima që u shkaktuan në protesta kundër Zajednicës”! Edhe kjo ishte një bllof i shpifur. Së pari viktimat nuk i ka shkaktuar Albini për ta mbrojtjur Kosovën nga Zajednica. E dyta, Memli dhe askush nuk e di, nëse dakordësia e Kurtit është për Zajednicën apo diçka tjetër të pranueshme e të bazuar në të drejtën dhe praktikën ndërkombëtare. E treta, kryetari i PDK-së dhe deputetët e kësaj partie kishin votuar një Zajednicë, të cilën Gjzkata Kushtetuese e gjeti të pambështetur në 23 nene të Kushtetutës së vendit. Dhe i dhanë Beogradit mindësinë që ta përdorë firmën e Thaçit e Isa Mustafës që të kërkojnë një Republikë Srpska në Kosovë”, potencoi profesori.

Krahas kësaj, kishte disa fjalë edhe për LDK-në dhe në përgjithësi të gjithë opozitën, ku ia bëri me dije se sa e rëndësishme është kërkimfalja për qytetarët.

“Opozita, përfshirë dhe LDK-në, duhet të kërkojnë ndjesë para qytetarëve të Kosovës e më pas të kërkojnë që Kurti të mos nënshkruajë ndonjë marrëveshje me Serbinë. Të kërkosh ndjesë nuk është turp. Përkundrazi, është obligim moral, qytetar e politik. Pa kërkuar ndjesë për dhimbjet që i shkaktuan Kosovës, lirisë e pavarësisë së saj, imntegritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror, askush nuk i beson ata në retorikën e tyre. Ndërkaq opozita gjithnjë ka qenë shumë më lojale ndaj Beogradit dhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare perëndimore. Shumë më lojale sesa qeveria Kurti. Madje deri në ekstrem, që të falë territore të Kosovës “për ta heq qafe Serbinë”, që edhe ashtu nuk e hiqnin dot qafe”.

Në fund, profesori tha se opozita nuk mund të ketë asnjëherë sukses me opozitarizmin e tyre ndaj qeverisë Kurti, dërisa ata nuk distancohen nga Thaçi e Mustafa.

“Gjatë opozitarizmit të tyre në këto gati tri vite opozitarët kanë sulmuar ashpër Alin Kurtin pse ai nuk pranon rekomandimet e europianëve dhe amerikanëve. Në këto kushte nuk ka njeri me logjikë në Kosovë e kudo tjetër që të besojë se kjo opozitë do të realizonte më shumë sesa qeveria e sotme në dialog me Serbinë. Ndërsa opozitarët jo parlamentarë si Limaj e Ymeri shkojnë deri atje sa të thonë se “Kurti e dobësoi pozitën e Kosovës pas 24 shtatorit”, sikur në rastin e aktit terrorist serb në Banjskë të kishte fituar Serbia e jo Kosova! Çfarë nuk na dëgjojnë veshët me këtë opozitë të padijshme, të pavullnetshme të ndryshojë, të paaftë të reflektojë.

E kam thënë dhe herë tjera: - Nëse opozita nuk distancohet nga liderët e mëparshëm, Thaçi e Mustafa, nëse Ramush Haradinaj njëherë i bie gozhdës e dhjetë herë patkoit, nëse Fatmiri e Visari vazhdojnë të shiten si patriotë, ndërkohë që drejtorët e tyre të tenderave vazhdojnë të ndëshkohen për vjedhje e korrupsion, të gjithë këta nuk do të kenë asnjë sukses në opozitarizmin e tyre ndaj qeverisë Kurti!” – përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat