Kurti i ‘fortë’ përballë Abdixhikut e Krasniqit, analistët me kritika për opozitën – komentojnë debatet e “zjarrta” mbi Asociacionin

Politika

Kurti i ‘fortë’ përballë Abdixhikut e Krasniqit, analistët me kritika për opozitën – komentojnë debatet e “zjarrta” mbi Asociacionin

Arife Morina Nga Arife Morina Më 5 nëntor 2023 Në ora: 12:02
Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës

Me kërkesë të partive opozitare, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, raportoi të premten, më 3 nëntor, para Kuvendit për draft-statutin e propozuar nga ndërkombëtarët për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe për takimet e fundit në Bruksel.

Seanca u karakterizua me debate dhe përplasje mes Albin Kurti dhe partive opozitare.

Kurti, tha para deputetëve të Kuvendit se draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar nga diplomatët ndërkombëtarë, ka qartësi sa i përket njohjes së Kosovës.

“E para, drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Republikës së Kosovës që ishte çimetuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Pra, në gjykimin tim politik, drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Republikës së Kosovës, si një shtet i pavarur në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietnike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues minues për Republikën në njohje të shtetit sovran dhe të integritetit tonë territorial”, tha Kurti.

Sipas tij, kjo qartësi nuk paraqet “Zajednicën” të paraparë në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, sepse "asisoi do të ishte i padiskutueshëm".

Madje, i pari i qeverisë potencoi se draft-statuti është shkruar me kujdes ndaj germës së Kushtetutës, më shumë sesa frymës së saj. Megjithatë, ai tha se në draft parashihet që ky dokument të shkojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Pavarësisht kësaj, partitë opozitare shpërthyen me kritika ndaj Kurtit në lidhje me pranimin e draftit për Asociaicon.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kritikoi Kurtin që nuk tregoi detaje për draft-statutin e Asociacionit.

Sipas tij, me pranimin që ta nënshkruajë këtë draft, Kurti ka pranuar që Serbia të vendosë për rregullimin e brendshëm të Kosovës.

“Ta kanë sjellë një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, bashkësinë, ‘Zajednicën’, dhe e ke pranuar. A mund të na tregosh çka ke bërë ti aty [në takimin në Bruksel] nëse nuk e ke pranuar. Së pari, kur ke thënë, eja po e nënshkruajmë, ke bërë një gabim që një amator nuk është dashur ta bëje. Ti thuash botës jam i gatshëm të nënshkruaj me Vuçiqin draftin e Asociacionit për Kosovën, që rregullon Kosovën brenda, është jo banale, është anormale, është të pranosh që Serbia të vendosë për rregullimin e brendshëm të Kosovës. Të nënshkruash draftin e Asociacionit që duhet të miratohet nga Qeveria që ju drejtoni, e të gjykohet nga Gjykata Kushtetuese”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se për draft-statutin, Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kanë dhënë qëndrime të ndryshme.

“Gjersa kryeministri pretendon se statuti i Asociacionit të tij është në përputhje me Gjykatën Kushtetuese, ose së paku kështu i kanë thënë atij, presidentja si pranuese e po të njëjtit dokument, shpalosë hezitimin për një cilësim të tillë dhe jo vetëm aq, njofton dërgimin e komenteve në Gjykatë Kushtetuese në rastin e parë, si shenjë e parë e mospërputhje kushtetuese”, tha ai.

Debati mbi këtë çështje vazhdoi diku për 9 orë me radhë, por që nuk u arrit mirëkuptim mes pozitës dhe opozitës, ku senacën e përmbyllën me përplasje dhe debate.

Se sa kanë të drejtë në kritikat e tyre, liderët e partive që në të kaluarën nënshkruan dhe pranuan Asociacionin, folën analistët politikë.

Ata kritikuan opozitën, derisa thanë se akuzat e tyre ndaj kryeministrit Kurti nuk qëndrojnë.

Mehazi: Asociacionet e pakicës serbe, Kurtit ia kanë lënë trashëgimi baballarët bixhozxhi të LDK-së Isa Mustafa dhe të PDK-së Hashim Thaçi

Image
Sulejman Mehazi

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi.

Së pari, tha se kritikat e Krasniqit e Abdixhikut ndaj Kurtit nuk ishin të qëndrueshme, duke thënë se të dy do duhej për temën e Asociacionit të kërkonin llogari nga ish-liderët e partive të tyre, Mustafës e Thaçit.

“Nga liderët e partive opozitare të Kosovës Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi nuk është e arsyeshme të kritikojnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për ndieshmërinë politike të asociacioneve serbe në Kosovë, për shkak se asociacionet e pakicës serbe, Kurtit ia kanë lënë trashëgimi baballarët bixhozxhi të LDK-së Isa Mustafa dhe të PDK-së Hashim Thaçi, dhe do të ishte mirë që Abdixhiku e Krasniqi të ktheheshin prapa e të kritikonin "atllarët" paraprakë të këtyre partive opozitare, LDK PDK, të cilët bënë tregëti politike me presidentin e Serbisë, Vuçiqin për llojin e asociacioneve të një republike serbe brenda Kosovës”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Mehazi potencoi se Kurti nuk mund t’i paguajë borxhet politike që i kanë lënë ish-udhëheqësit, në këtë rast Thaçi e Mustafa.

“Abdixhiku e Krasniqi në vend që të fajësojnë tuxharët e tyre politikë, Mustafën e Thaçin të cilët me anë të asociacioneve të pakicës serbe futën thellë në hipotekë politike Kosovën dhe këtë hipotekë politike ta paguajë kryeministri i Kosovës, Kurti ndaj Serbisë së Vuçiqit, aq më keq që borxhin e tyre politikë ta paguajë qeveria e Kurtit pa fajin e tyre. Kështu ndodh me baballarët e këqinj politik që pas vdekjes së tyre ju lënë borxhe të mëdha hipotekash pasardhësve të tyre qeverisëse sikurse që është Kurti”, shpjegoi profesori.

Ndër të tjera, ai u shpreh i bindur se draft-statuti për Asociacion i pranuar nga kryeministri Kurti nuk ka të bëjë me atë që kanë pranuar në të kaluarën ish-liderët e Kosovës.

“Jemi të sigurtë se draf-statuti i propozuar nga BE-ja ndryshon rrënjësisht nga draftstatutet e mëparshme të tuxharëve politikë të LDK-së e PDK-së, aq sa jemi të sigurtë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka gabuar që e ka pranuar dhe është pajtuar me zarfin e BE-se për llojin e asociacioneve jo ekzekutive, por kulturore serbe në veri të Kosovës, jo rastësisht dhe Vuçiqi nuk është pajtuar dhe nuk ka nënshkruar draft-statutin e BE-së për njohje de-fakto të Kosovës nga Serbia”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Qarri: Opozitarët e inkriminuar, nuk e kanë hallin e Kosovës, por brengën se si ta shfajësojnë vetveten

Ndërsa, analisti tjetër politik, Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se Kurti në senacën e fundit në Kuvend dëshmoi se po përpiqet ta mbrojë territorin e vendit tonë.

Image
Gani Qarri

Kurse, sipas tij opozita po tenton ta shfajësojë veten me akuzat që po ia bënë qeverisë Kurti.

“Në fakt nga krejt diskutimet që u panë të premtën në Kuvend, dëshmohet se përderisa kryeministri Kurti, përpiqet maksimalisht, për ta mbrojtur tërësinë territoriale të vendit, rregullimin e brendshëm ligjor e kushtetues dhe shtetin e Kosovës, të paprekur nga kërkesat hegjemoniste të Serbisë, partitë e inkriminuara opozitare udhëheqësit e të cilave, përveçse nënshkruan dy herë marrëveshjen, bashkuan edhe votat me dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë si "lista serbe" vetëm që ta miratojnë edhe në Kuvend "zajednicën" kundër kushtetuese një etnike serbe.

Madje, me të gjitha fjalimet dhe sjelljet e tyre anormale, shihet hapur, se opozitarët e inkriminuar, nuk e kanë hallin e Kosovës, por brengën se si ta shfajësojnë vetveten, nga të këqijat të cilat, gjatë bashkë-qeverisjeve të tyre, shumëvjeçare, ia vendosën padrejtësisht, mbi kurriz, që ato t’i vuaj edhe sot Kosova”, deklaroi analisti.

Më tej, Qarri tha se Krasniqi e Abdixhiku me akuzat e tyre ndaj Kurtit tentuan t’i mbulojnë turpet e paraardhësve të tyre dhe ta mbajnë përgjegjës kryeministrin aktual për to.

“I tillë ishte edhe diskutimi i 3 nëntorit, ngase duket që partitë opozitare, të frikësuara nga përgjegjësia, e cila së shpejti, pritet të bie si rrebesh mbi to, për të gjitha sa kanë bërë kundër Kosovës, duke filluar me nënshkrimin dhe miratimin e "zajednicës" me shumicën dërmuese të votave në Kuvend, tani duan t`ia lënë fajin në derë kryeministrit.

Ndaj kjo dhe nxiti debat të ashpër ndërmjet Kryeministrit Albin Kurti në seancën parlamentare me opozitën, ku më tepër, ra në sy debati me Lumir Abdixhikun e Memli Krasniqin, të cilët duke dashur t’i mbulojnë turpet e paraardhësve të tyre, që përveç votimit për "zajednicën", me "listën serbe i kanë bashkuar votat edhe për votimin e Gjykatës Speciale,, ndaj tani pa fije turpi, duan t’i kërkojnë përgjegjësi kryeministrit edhe për këtë akt skandaloz, pasi që Specialja serish ka rinisur aksionin, tani duke mbledhur edhe bashkëpunëtorët e grupit të akuzuar nga Gjykata e Hagës, për vrasjen e mbi 100 personave”, vlerësoi ai.

Në fund, analisti shtoi se mbi opozitën rëndon edhe bashkëpunimi që kanë pasur në të kaluarën me kryekriminelin Radoiçiq.

Ku, me këtë rast tha se liderët opozitarë nuk kanë të drejtë të akuzojnë askënd për Asociacion që e kanë nënshkruar dhe miratuar më parë vetë.

“Sikur mos të mjaftonin të gjitha këto zhvillime të turpshme, siç dihet, mbi partitë opozitare rëndon shumë edhe bashkëpunimi i tyre me bandat kriminale serbe të veriut, e veçanërisht, organizimi i pritjeve zyrtare të kryeterroristit të pështirë, Milan Radojçiq edhe në zyrën e kryeministrit të Qeverisë së PAN-it, në Prishtinë, si dhe katapultimi i Goran Rakiqit në postin e Zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti-1.

Andaj liderët e PDK-së dhe të LDK-së, bashkë me ata të AAK-s, jo vetëm që nuk kanë të drejtë, të akuzojnë askënd për "asociacionin" të cilin vet e kanë nënshkruar dhe miratuar,po ashtu vet, edhe në Kuvend, por ata duhet të japin përgjegjësi sa më parë, edhe për kërkesat e Thaçit në Alpbach të Austrisë, për ndarjen e Kosovës, si dhe pagesat me mbi 163 mijë euro të taksapaguesve të Kosovës, prej ministres së ashtuquajtur të "Integrimeve Evropiane" nga radhët e PDK-së, Dhurata Hoxha, firmës franceze Majorelle PR & Events, për propagandimin e ndarjes së Kosovës edhe në kryeqytetet e shteteve më të mëdha euro-perëndimore”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat