“Nuk kam qenë normal”, Naim Miftari ‘godet’ Gjergj Dedajn pasi ndryshoi deklaratat në Speciale: Grushtat e Hashimit e kanë lënë me pasoja

Politika

“Nuk kam qenë normal”, Naim Miftari ‘godet’ Gjergj Dedajn pasi ndryshoi deklaratat në Speciale: Grushtat e Hashimit e kanë lënë me pasoja

Nga: N. Shaqiri Më: 6 nëntor 2023 Në ora: 13:37
Gjergj Dedaj dhe Naim Miftari

Sot në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar dëshminë Gjergj Dedaj i cili është dëshmitari i 33-të në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Dedaj në dëshminë e tij ka befasuar, pasi ka ndryshuar po thuasje të gjitha deklaratat që i kishte thënë më herët në Kosovë.

Ai gjatë dëshmisë së tij ka thënë se 90 për qind të deklaratave që i ka dhënë pas luftës nuk ka qenë normal dhe në gjendje që ta thotë të vërtetën.

Sipas Dedajt, kjo ka ndodhur për shkak të momentit dhe gjendjes në të cilën ka qenë në kohën kur është marrë në pyetje.

Po ashtu, ai specifikoi që nuk iu kujtohet nëse ka dhënë ndonjë betim për deklaratat pranë ZPS-së.

“Nuk me kujtohet që me ka pyet kush për betim dhe as që e kam dhënë asnjë betim. Aty ku është nënshkrimi im edhe me u rrotullu bota e them që është nënshkrimi im dhe nuk e mohoi me asnjë çmim. Mirëpo, edhe njëherë po e përsëris, momenti, gjendja, zhvillimet, situata familjare, personle, qe jam marrë në pyetje, 90 për qind të deklaratave që i kam dhënë pas luftës nuk kam qenë normal dhe në gjendje me e thënë të vërtetën. por, tash jam i gatshëm me u ballafaqu me çdo gjë, sikur që kam qenë i gatshëm sikur çdo ditë që e kam qit në tavolinë-tryezë jetën time për me dhënë për lirinë e Kosovës”, tha Dedaj.

Ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë ushtria më e pastër.

“Jeta jonë nuk ka vlerë, edhe sot që jam këtu thash jam kufomë dhe nuk kam as një vlerë dhe në fakt nuk e di pse jam gjallë, as nuk ligshtona dhe jam shumë i guximshme sepse jam i përgatitur dhe kam qenë i përgatitur për çdo sakrificë dhe me e dhanë jetën, mirëpo asnjëherë, asnjëherë dhe asnjëherë domethënë t’a etiketojë dhe njollosë ushtrinë titanike, ushtare dhe heroike që është ushtria ndër më të pastër në luftra botënore është ushtria e Kosovës”, tha Dedaj.

Por dikur ai kishte deklaruar se pikërisht njerëz nga UÇK-ja e kishin ndaluar dhe maltretuar në fshatin Qirez.

Dedaj, shumë vite më parë deklaronte se ishin ndaluar nga UÇK-ja në një tubim në fshatin Qirez, bashkë me 12 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës.

 “Në vitin 1998 Thaçi e ka ndalur delegacionin e shtetit të Kosovës. Unë isha nënkryetar i Kuvendit. Ishim në vizitë në zonat e luftës. Na ka ndalu Hashim Thaçi me njerëzit e tij. Tha jeni të arrestuar. Arsyeja, thjesht që jeni parti politike që e përkrahni Presidentin historik Ibrahim Rugova. Ka pas maltretim fizik, psikik, moral…disa anëtarë të delegacionit janë torturuar edhe fizikisht. Edhe unë jam maltretuar fizikisht. Ai edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Është një krim, e jo një incident”, rrëfente Gjergj Dedaj Rubikon.

Këto deklarata të Dedajt, i ka komentuar ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Ai thtoë se, Dedaj ka mbetur me pasoja nga shpullat dhe grushtat e Hashim Thaçit.

“Shpullat dhe grushtat e Hashim Thaçit e kanë lanë me pasoja amabsadroin e gjorë të Hashimit, që gjatë vitit 1998, pas një ofenzive shkatërruese serbe në Qirez, ishin ardhë prej Prishtinës me bindë popullin që me i heq armët dhe me u largu nga lufta e me u kthy në dialog, pasi Serbinë është e pamundur me mujtë ushtarakisht”, shprehet Miftari.

Ai shton se sot po tregohet qartë se Dedaj e Thaçi janë frikacaka dhe pakurrizorë.

“Sot në vitin 2023 po vazhdon cerkuzi teatral në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, ku tregohet qartë se si Hashim Thaçi e Gjergj Dedaj janë frikacaka, pakurrizorë, njerëz që sot iu ikin përgjegjësisë së tyre të kohës, njerëz materialista, njerëz pa kokërr identiteti dhe pa kokërr ideali kombëtar”, potencon Naim Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat