“Sekreti” i draft-statutit të Asociacionit, deputetët e shumicës mohojnë raportimet për “autonomi të serbëve”, ja çka thonë

Politika

“Sekreti” i draft-statutit të Asociacionit, deputetët e shumicës mohojnë raportimet për “autonomi të serbëve”, ja çka thonë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 7 nëntor 2023 Në ora: 13:46
Foto ilustrim

Më 21 tetor, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE), Shteteve të Bashkuara (SHBA), Francës, Gjermanisë dhe Italisë, formuan një draft-statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin ia prezantuan Kosovës dhe Serbisë. 

Më pas, dy palët deklaruan se dokumenti ishte “i pranueshëm” për to, por hollësitë rreth përmbajtjes së tij nuk janë bërë të ditura ende. 

Përmbajtja e këtij drafti po ruhet në fshehtësi, kjo pasi një gjë e tillë u kërkua nga pesë emisarët perëndimorë. 

Mirëpo, kjo përmbajtje “sekrete” ngjalli reagime të shumta, ku edhe u hodhën dyshime të ndryshme mbi këtë gjë. 

Ishte mediumi amerikan, Fox News që shkroi në lidhje me vizitën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në rajonin e Ballkanit, gjatë së cilës sipas mediumit në fjalë ajo lëshoi një paralajmërim të ashpër. 

Von der Leyen tha se Serbia duhet ta njohë ‘de facto’ Kosovën si një komb të pavarur dhe Kosova duhet të lejojë “autonomi” për serbët etnikë në veri të Kosovës, ku ata përbëjnë shumicën. Kjo sipas saj do të përmbushte në mënyrë efektive angazhimet e mëparshme të Serbisë dhe Kosovës të negociuara në fillim të këtij viti, por ka pak shenja që secila palë është në të vërtetë synuar të vazhdojë. 

E kur përmendet “autonomia për serbët” nuk ka se si mos të ketë reagime. Megjithatë një gjë e tillë është demantuar nga qeveria e vendit tonë. 

Mirëpo, edhe sa mund të vazhdohet kështu me mbajtje “sekret” të draft-statutit dhe a do e përdorin këtë si argument politik, kundërshtarët politike të kryeministrit Kurti!? 

Bejta: Asociacion nuk do të ketë fare, besoj në këtë dhe dëshiroj që kjo të bëhet realitet 

Image
Nasuf Bejta

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli deputeti i Kuvendit nga Lista Guxo, Nasuf Bejta. 

Së pari, ai u shpreh se beson fuqishëm në kryeministrin Kurti dhe faktin se ai nuk ka pranuar Asociacion që rrezikun funksionimin e shtetit. 

Mendoj se asociacion që rrezikon funksionimin dhe stabilitetin e shtetit nuk do të formohet. Besoj fuqishëm se kryeministri Kurti me asnjë kusht nuk e formon. E nëse veç është obligim ndërkombëtar, atëherë ai do të formohet i tillë që "sa për të thënë" se ja ne e bëmë tonën në sytë e ndërkombëtarëve”, deklaroi deputeti i Listës Guxo. 

Krahas kësaj, Bejta vlerëson se nuk do ketë fare Asociacion, derisa tregoi mendimin e tij se çka mund të fshihet pas fshehtësisë së draft-statutit për Asociacion. 

“E fundit asociacion nuk do të ketë fare, besoj në këtë dhe dëshiroj që kjo të bëhet realitet. Vetë konfidencialiteti që po kërkohet nga të dy palët më bën që për këtë çka unë po mendoj (vetëm mendim i imi) të besoj edhe më shumë. 

Aty ku ka dredhëza shumë, merreni shportën e vogël. 

Krejt po thonë e ka pranuar, unë po them se nuk e ka pranuar”, përfundoi Nasuf Bejta për “Bota sot”. 

Batusha: Ne kemi qenë gjithmonë dhe jemi për transparencë dhe diskutim të gjerë e të hapur 

Image
Agon Batusha

Ndërsa, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha tha se qeveria Kurti ka qenë gjithmonë transparente. 

Ai përmendi faktin se drafti për Asociacion po mbetet sekret me kërkesën e ndërmjetësuesve të BE-së dhe jo Qeverisë së Kosovës. 

Ne kemi qenë gjithmonë dhe jemi për transparencë dhe diskutim të gjerë e të hapur. Përderisa është propozim i ndërmjetësuesve atëherë i mbete atyre të bëjnë publik çfarwdo lloj propozimi”. 

Sa i përket raportimeve se në propozimin e ri flitet edhe për autonomi të serbëve të Kosovës, deputeti nga radhët e LVV-së tha se kjo është propagandë dhe deklarata tendencioze. 

Por, nuk është e duhur të merremi me lajme të cilat janë të rreme ose të keqkuptuara e që ç’ orientojnë publikun duke mos i kushtuar vëmendje thelbit të çështjes. Gjithsesi, qëndrimi yni për dialogun është i qartë dhe publik. Çfarwdo lloj tentative për të propaganduar ndryshe është sa e pakuptimtë, aq edhe tendencioze”, përmbylli Agon Batusha për “Bota sot”. 

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. 

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje. 

Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të formohet ashtu siç u arrit pajtim në Bruksel, e jo që disa pika të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat