“Kështu është kur servilët tenton me i ble me lekë të shtetit”/ Dëshmia e Gjergj Dedajt para Speciales, i ndihmon apo i dëmton të akuzuarit? 

Politika

“Kështu është kur servilët tenton me i ble me lekë të shtetit”/ Dëshmia e Gjergj Dedajt para Speciales, i ndihmon apo i dëmton të akuzuarit? 

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 7 nëntor 2023 Në ora: 21:21
Gjergj Dedaj

Ish-ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, më 30 tetor ishte ftuar si dëshmitar nga Gjykata Speciale.   

Ai kohë më parë kishte akuzuar Hashim Thaçin për maltretim e torturim gjatë luftës në Kosovë, por në dëshmi në Hagë ai deklaroi krejt të kundërtën.  

Dedaj, shumë vite më parë në emisionin “rubikon” do të deklaronte se ishin ndaluar nga UÇK-ja në një tubim në fshatin Qirez, bashkë me 12 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës. 

“Në vitin 1998 Thaçi e ka ndalur delegacionin e shtetit të Kosovës. Unë isha nënkryetar i Kuvendit. Ishim në vizitë në zonat e luftës. Na ka ndalu Hashim Thaçi me njerëzit e tij. Tha jeni të arrestuar. Arsyeja, thjesht që jeni parti politike që e përkrahni Presidentin historik Ibrahim Rugova. Ka pas maltretim fizik, psikik, moral…disa anëtarë të delegacionit janë torturuar edhe fizikisht. Edhe unë jam maltretuar fizikisht. Ai edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Është një krim, e jo një incident”, do të rrëfente Gjergj Dedaj në emisionin Rubikon. 

Por gjatë dëshmisë si dëshmitari i 33-të i Gjykatës Speciale në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Gjergj Dedaj ka thënë se 90 për qind të deklaratave që i ka dhënë pas luftës nuk ka qenë normal dhe në gjendje që ta thotë të vërtetën.

“Nuk më kujtohet që më ka pyet kush për betim dhe as që e kam dhënë asnjë betim. Aty ku është nënshkrimi im edhe me u rrotullu bota e them që është nënshkrimi im dhe nuk e mohoi me asnjë çmim. Mirëpo, edhe njëherë po e përsëris, momenti, gjendja, zhvillimet, situata familjare, personle, qe jam marrë në pyetje, 90 për qind të deklaratave që i kam dhënë pas luftës nuk kam qenë normal dhe në gjendje me e thënë të vërtetën. por, tash jam i gatshëm me u ballafaqu me çdo gjë, sikur që kam qenë i gatshëm sikur çdo ditë që e kam qit në tavolinë-tryezë jetën time për me dhënë për lirinë e Kosovës”, kishte thënë Dedaj.  

Gashi: Mos rreni në Gjykatë se i morët në qafe kinse duke i mbrojtur  

Image
Tomë Gashi

Avokati Tomë Gashi, duke analizuar deklarimet e thëna nga Gjergj Dedaj në Gjykatën Speciale ka thënë me gënjeshtra nuk mbrohet UÇK-ja.  

Tutje, shton se kështu është kur servilët tenton me i ble me lekë të shtetit.  

 “Me rrena nuk mbrohet UÇK-ja!  

Me rrejt hapur në Gjykatë Speciale i dëmton shumë udhëheqësit e UÇK-së!   

Me rrejt shumë i dëmton aq shumë udhëheqësit e UÇK-së sa që më vonë dikush mund të thotë ‘jaaa nuk kam qenë vetja në atë kohë…’! Kështu është kur servilët tenton me i ble me lekë të shtetit, e me i avancu me poste shtetërore, për 22 vite. E ata, kinse duke ju mbrojtur, në të vërtetë ju sharrojnë më shumë se që e ka bërë ndonjë person i cili gabimisht ka mundur të goditet me naj stupc, në situata të pa sqaruara, para 25 viteve”, thotë ai.  

Ai thotë se nëse ata duan ta ndihmojnë UÇK-në, të tregojnë nga kush morën leje për të shkuar në zona të luftës dhe për këto dyshime, ndodhi çka ndodhi.  

“Nëse doni ta ndihmoni UÇK-në, tregoni se nga kush morët leje për të shkuar në zona të luftës dhe për këto dyshime, ndodhi çka ndodhi, no big deal!   

Mos rreni në Gjykatë se i morët në qafe kinse duke i mbrojtur!  

Për shkakun tuaj, që haptazi po rreni, Gjykata nuk do t’iu besojë as dëshmitarëve që do ta tregojnë të vërtetën!”, përfundon ai.  

Duhanaj: Dedaj nuk është serioz dhe se nuk i zë fjala vend  

Image
Leon Duhanaj

Analisti Leon Duhanaj, për “Bota sot”, ka thënë se në paraqitjen e tij, Dedaj ai e ka komprometuar plotësisht unin e tij personal.  

Më tej, thotë se deklarata e tij nuk duhet të trajtohet si serioze.  

“Paraqitja e z. Dedaj, për mendimin tim, në aspektin personal, edhe njëherë e ka dëshmuar atë çfarë ka bërë në vazhdimësi. Se nuk është serioz dhe se nuk i zë fjala vend.  

Ai në ketë paraqitje, e ka komprometuar plotësisht unin e tij personal.  

Unë nuk e di se në cilën prej herëve ai ka thënë të vërtetën nëse e ka thënë ndonjëherë, por e di që dëshmia e tij, nuk do të trajtohet si serioze.  

Nëse e trajtojmë këtë çështje nga këndvështrimi i të akuzuarve, z. Dedaj dhe paraqitja e tij, ishin krejtësisht në favor të të akuzuarve dhe ai me fjalët e tija e vërtetoj që akuzat e mëhershme nuk kanë qenë të vërteta”, thotë ai.  

Sipas tij, shumica e akuzave që janë drejtuar në emër të të akuzuarve, janë pa bërthamë.  

“Mendoj se shumica e akuzave që janë drejtuar në emër të të akuzuarve, janë të tilla, pa bërthamë, pa dëshmi por vetëm akuza kuturu dhe, si të tilla do të demantohen para gjykatës.  

Është për keqardhje që jemi shoqëri e tillë, që paragjykojmë njerëz, paragjykojmë situata, akuzojmë pa e njohur njeriun, veç pse i kemi ndonjë inate, ose kemi rënë nën ndikimin e dikujt që manipulon me ne.  

Jam i bindur se ky proces do të përfundojë në këtë frymë, ku të gjitha akuzat do të dëshmohen si të pabaza, si të pavërteta”, përfundon ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat