Diplomati holandez: Po të isha si Albin Kurti, ja si do të veproja me Asociacionin - kam frikë se Serbia do ta bëjë këtë gjë

Politika

Diplomati holandez: Po të isha si Albin Kurti, ja si do të veproja me Asociacionin - kam frikë se Serbia do ta bëjë këtë gjë

Nga: A.Zh Më: 8 nëntor 2023 Në ora: 12:00
Robert Bosch

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, pas takimit që pati dje me emisarin e Bashkimit Evropian (BE) për dialog Miroslav Lajçak, ka deklaruar se e ka lexuar draftin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, ky draft nuk përmban kompetenca ekzekutive dhe në hyrje të tij, shpjegohet se duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

“Sot (dje) e kemi lexuar draftin në tërësi. Drafti i shpjegon të gjitha mundësitë që Asociacioni u jep komunave me shumicë serbe, qytetarëve që jetojnë në to. Kuptohet që çdo herë i referohet Kushtetutës dhe Ligjeve të Kosovës. Në këtë draft nuk ndryshojnë përgjegjësitë e komunave, pra Asociacioni nuk merr nga këto përgjegjësi. Komentet tona do t’i bëjmë pas shqyrtimi nga Gjykata Kushtetuese, pasi në hyrje shpjegohet se drafti duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, dhe të gjitha aktetet tjera, dhe çdo vendim lidhur me krijimin e Asociacionit duhet të shqyrtohet nga Ministria e Pushtetit Lokal, dhe të miratohet nga Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar Haradinaj.

Të njëjtën gjë e ka pohuar edhe eksperti amerikan Eduard Joseph, i cili ka thënë se informalisht ka mësuar se me këtë draft të emisarëve evropianë dhe amerikanë shmanget krijimi i Republikës Srpska në Kosovë.

“Me atë që kam dëgjuar unë, edhe pse nuk është gjë formale, propozimi i SHBA-së dhe BE-së e përmbyll këtë telashin mbi atë se a duhet të jetë Asociacioni në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sigurisht se duhet të jetë në pajtim me atë vendim dhe ky lloj misteri është sqaruar. Propozimi që është bërë është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe për aq sa kam kuptuar modeli i Republikës Serbe është lënë komplet jashtë. Në vend të këtij modeli është bërë një propozim krejt i ri, praktik, i arritshëm dhe që përmbush standardet kushtetuese dhe është në përputhje me atë kolumnen që është shkruar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar”, ka thënë Joseph.

I pyetur nga gazeta “Bota sot”, se a duhet ta nënshkruajë kryeministri i Kosovës Albin Kurti, këtë draft statut, ish-ambasadori i Holandës në Kosovë Robert Bosch, ka thënë se Kosova duhet ta zbatojë këtë marrëveshje, vetëm nëse sigurohet se edhe Serbia do ta bëjë të njëjtën. Megjithatë, ai shpreh dyshimet e tij.

“Nuk e di përmbajtjen (e draftit), por mendoj se Kosova duhet ta zbatojë vetëm nëse është e sigurt se edhe Serbia do ta bëjë, gjë që nuk do ta bëjë para zgjedhjeve, dhe kam frikë as pas. Pra, po të isha Kurti do të qëndroja te lidhja që zbatohet vetëm nëse Serbia nënshkruan marrëveshjen e arritur në Ohër, përfshirë anekset, për të cilat Kurti tha se do t'i bënte”, ka deklaruar Bosch për gazetën.

Kryeministri Kurti ka thënë se ka dërguar vërejtje për draftin e Asociacionit të prezantuar nga euro-amerikanët, më 21 tetor. Ai dje ka deklaruar se se drafti i modernizuar për Asociacionin, është më i avancuar se marrëveshja e vitit 2013.

“Për hir të konfidencialitetit të draftit, unë nuk mund të flas për vërejtjen dhe kritikat e mija. Ato janë shumë të rëndësishme, ia kam përcjellë emisarit evropian përmes zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, më 24 tetor, dy ditë para se të takohemi në Bruksel. Ky është draft krejt tjetër pakrahasimisht më i avancuar, por kjo s’do të thotë se ne jemi të kënaqur, andaj unë kam dërguar vërejtjen”, ka theksuar ai.

Ndërsa pyetet nga “Bota sot”, lidhur me mundësinë që të ketë sërish tensione në veri të Kosovës, për shkak të Asociacionit, diplomati holandez mendon se nuk mund të ndodhë një gjë e tillë, për shkak të pranisë së shtuar të KFOR-it në territorin e vendit.

“Tani që KFOR-i është shtuar, dyshoj”, ka thënë ai./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat