Skenar me Dodikun, Serbia kërcënon hapur edhe një herë Kosovën/ Kjo duhet të jetë përgjigjja nga perëndimi!

Politika

Skenar me Dodikun, Serbia kërcënon hapur edhe një herë Kosovën/ Kjo duhet të jetë përgjigjja nga perëndimi!

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 8 nëntor 2023 Në ora: 16:04
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Kreu i republikës Serpska në Bosnje, Millorad Dodik javën e kaluar ka kërkuar krijimin e “Serbisë së Madhe”.  

Sipas tij, brenda këtij shekulli, serbët duhet të formojnë në shtet të vetëm, pjesë e të cilit të jetë edhe Mali i Zi. 

“Ne po jetojmë në një epokë kur pas disa vitesh apo dekadash do të duhet të krijohet një konfigurim i ri i botës, serbët nuk duhet të ngecen në befasi, por tani duhet të themi se në këtë shekull duam një shtet të vetëm. Nga Serbia, Republika Serpska, nëse është një vendim kaq demokratik, dhe Mali i Zi”, tha Dodik. 

E në linjë me Dodikun, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq deklaroi se kurrë nuk do ta njohë Kosovën. 

E sipas analistëve dhe njohëseve të zhvillimeve politike në vend e rajon, vlerësojnë së ky është një kërcënim i hapur ndaj perëndimit, kërcënim prapa të cilit qëndron Serbi. 

Kërcënim për perëndimin 

Krejt kjo, sipas doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi vjen pasi Gjermania, Franca dhe Itali kërkuan hapa konkret nga Serbia për njohjen e Kosovës. 

“Kërkesa e fundit nga udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Italisë që Serbia të bëj hapa konkret drejt njohjes “de fakto” të Kosovës e ka vënë Serbinë në aksion të përdorimit të “taktikave kërcënuese” ndaj perëndimit. Nuk është hera e parë që Serbia përdor Republika Serpskan dhe elementë tjerë serbë në shtetet e Ballkanit Perëndimor për të kërcënuar perëndimin. Së fundmi këtë e ka bërë duke e përdor qasjen në projektet strategjike të Kinës por edhe më herët me kërcënime pothuajse të ngjashme”, shprehet Kuçi për “Bota sot”. 

Image
Gurakuç Kuçi

Sipas tij, edhe arsyeja e vërtetë e zgjedhjeve bë Serbi është Kosova. 

“Serbia së fundmi e ka shpërndarë Kuvendin e saj duke shpallur zgjedhje të reja, arsyeja e vërtet e këtyre zgjedhjeve është Kosova. Në këto zgjedhje koalicioni pro Vuçiqit pritet prapë të fitoj shumë më bindshëm, por përveç kësaj ai dëshiron që përgjegjësinë e tij ta shpërndajë me struktura të tjera shtetërore dhe publikisht të mos bie e gjithë barra mbi të, por prapë vendimi të jetë sipas planeve të tij. Pra kërcënimet dhe zgjedhjet janë një lloj pakoje e Serbisë për të shmangur shkuarjen drejt zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit”, nënvizon Kuçi. 

Më tej, ai thotë se plani i Vuçiqit është që ta shtyjë sa më shumë çështjen e Kosovës, në mënyrë që ajo të përfundojë në konferencë ndërkombëtare.  

“Vuçiq e di se do të arrijë në një pikë kur SHBA-ja dhe BE-ja do i kërkojnë të qartësojë qëndrimet e tij dhe ai këtë do mundohet që ta shtyjë për të paktën edhe disa vite, deri në krijimin e një rendi të ri ndërkombëtar ku çështja e Kosovës të përfundojë në konferencë ndërkombëtare. Dyshoj që perëndimi do lejoj që këto dëshira serbe të përsëritën sikur gabimet në Dejton dhe këtë pak a shumë e kanë bërë të qartë, megjithatë Kosova duhet të jetë shumë vigjilente dhe të mos bëj veprime të “yryshit””. 

“Jemi në një kohë kur polarizimi dhe kush me kë është, po bëhet çdo ditë e më e qartë dhe rëndësishme. BE-ja është duke e bërë një politikë jo shumë favorizuese për Kosovën dhe njohja de fakto realisht është oferta e zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, që lë prapë shumë gjëra të pa përfunduara, mirëpo Kosova duhet të zbatojë qasjen që perëndimi duhet ta integrojë Kosovën edhe njëanshëm pa Serbinë”, shton profesor Kuçi për “Bota sot”. 

Për fund, Kuçi paralajmëron se edhe në rast të njohjes nga Serbia, paqja nuk është e sigurte. 

“Serbia do mundohet të presë pafundësisht për një moment tjetër gjeopolitik të ndonjë ndryshimi të raportit të forcave. Njohja de fakto nga Serbia nuk siguron edhe paqen me Serbinë apo që kjo e fundit nuk do tjetërsojë marrëveshjet siç ka bërë edhe më herët”, përfundon Gurakuç Kuçi. 

Ëndrra e Dodikut dhe Vuçiqit 

Kurse analisti Nexhat Haziri deklaratat e Dodikut nuk janë diçka e re. 

“Nuk është diçka për tu habitur deklarata e Milorad Dodikut, liderit të etnitetit serb në BH, pasi ai njihet për deklarata të tillë serbomadhe dhe si një partner i besueshëm i presidentit rus Putin, dhe mendoj se deklaratat e tij mund të shkaktojnë turbullira politike në BH dhe jo përtej saj. Sa i përket deklaratës së presidentit Vuçiq se ai kurrë nuk do ta njohë Kosovën e thënë edhe para presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen, poashtu nuk paraqet diçka të re kur kihet parasysh edhe tashmë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për 17 dhjetor në Serbi”, thekson Haziri. 

Image
Nexhat Haziri

“Qëllimi i Serbisë së madhe asnjëherë nuk është diçka që heqë dorë nga kjo ëndërr Beogradi zyrtar, por fatin e keq të tyre dhe për fatin e mirë të rajonit, realiteti gjeo-politik në Ballkan, ku NATO është prezente në Kosovë, ku tashmë tri shtet ballkanike janë si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e veriut janë anëtare të NATO-s, bënë që kjo ëndërr shoveniste ushqen vetëm mendjet e sëmura si Dodik e Vuçiq, dhe për çfarëdo tentimi për ta jetësuar këtë ëndërr tyre do të marrë përgjigje të shpejtë dhe të vendosur nga perëndimi”, përfundon për “Bota sot”, analisti Nexhat Haziri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat