Alarmon avokati, “godet” ashpër Ramën për draftin e Asociacionit: Ja si po e ndihmon Beogradin dhe si duhet të veprojë Kurti

Politika

Alarmon avokati, “godet” ashpër Ramën për draftin e Asociacionit: Ja si po e ndihmon Beogradin dhe si duhet të veprojë Kurti

Nga: A.Zh Më: 9 nëntor 2023 Në ora: 10:03
Edi Rama, Albin Kurti dhe Spartak Ngjela

Avokati i njohur shqiptar Spartak Ngjela, ka kritikuar përfshirjen e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, në pikën më të “nxehtë” në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë – çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Në media dy ditë u publikua drafti për Asociacionin, që Rama ua kishte dërguar Francës dhe Gjermanisë, me 7 qershor të këtij viti.

Por, të njëjtin avokati Ngjela e ka quajtur “paçavure”, duke thënë se ai duhet të denoncohet nga Kuvendi i Kosovës, pasi Rama nuk ka të drejtë të paraqes draft juridik shtetëror për Kosovën si shtet i pavarur.

“E lexova draftin Rama. E para që duhet vënë në pikëpyetje kundrejt atij drafti është pyetja: me çfarë tagri kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka të drejtë të paraqesë një draft juridik të strukturës shtetërore për një shtet të pavarur siç është Republika e Kosovës?

Edi Rama nuk ka pasur dhe nuk e ka një tagër të tillë as juridik dhe as politik, për të strukturuar një draft në lidhje me strukturën juridike të katër komunave të veriut të shtetit të pavarur të Kosovës. Kurse vetë drafti është një paçavure që duhet denoncuar nga Kuvendi i Kosovës”, ka deklaruar Ngjela në një bisedë për gazetën “Bota sot”.

Më tej, Ngjela vlerëson se drafti i Ramës ka dykuptimësi, të cilat mund të dëmtojnë të ardhmen e Kosovës dhe t’i japin të drejtë Serbisë, të kërkojë shkëputjen e komunave nga kushtetuta e Kosovës.

“Arsyeja tjetër shumë e rëndësishme është fakti se, drafti i paraqitur nga Rama është i mbushur me ekuivoke, domethënë me një dykuptueshmëri të nocioneve juridike të dispozitave të draftit, të cilat, po të njihen nga Kuvendi i Kosovës si një marrëveshje ligjore mes dy shteteve, këto ekuivoke e dëmtojnë të ardhmen e Kosovës dhe i iapin të drejtë Serbisë që, në çdo kohë ajo të kërkojë me një referendum lokal, shkëputjen e katër komunave nga struktura juridike dhe kushtetuese e Republikës së Kosovës”, ka nënvizuar Ngjela.

Në fund, avokati ka kërkuar reagimin e Qeverisë së Kosovës, kundër këtij drafti të kryeministrit të Shqipërisë, pasi i njëjti ndihmon Beogradin.

“Drafti Rama duhet flakur me neveri, por edhe me një qëndrim të qeverisë së Kosovës kundër orvatjes së kryeministrit të Shqipërisë, për të ndihmuar pushtuesin e Beogradit, që ky të rifillojë një etapë të re për ripushtimin ushtarak të Kosovës.

Tani, kuptohet qartë se, edhe agresioni i Banjskës, e ka marrë spunton për atë akt terrorist nga Drafti proserb i kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Por, si do shkojë më tej ky konflikt midis dy shteteve shqiptare në Ballkanin Perëndimor, i cili tani ka dalë realisht në pahun historik të kohës sonë?!!”, ka theksuar Spartak Ngjela për gazetën “Bota sot”.

Shefi i qeverisë shqiptare më 8 qershor i kishte ftuar mediat për t’ua bërë me dije një lajm mjaft befasues – kishte njoftuar se një ditë më parë dy vendeve Francës dhe Gjermanisë që e kishin prezantuar planin për marrëveshjen Kosovë -Serbi, ua kishte dërguar një draft statut të Asociacionit, obligim që Kosova deri atëherë s’po e përmbushte.

“Dje (7 qershor) i kam përcjellë presidentit Macron dhe Scholz një draft të Asociacionit për të cilin kam vënë në dijeni edhe Charles Michelin dhe palën amerikane”, kishte thënë Rama para gazetarëve.

“Është një draft punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikanë dhe evropianë prej kohësh”, kishte shtuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat