Ekskluzive: Nga BE-ja tregojnë pse nuk po i hiqen masat ndëshkuese Kosovës

Politika

Ekskluzive: Nga BE-ja tregojnë pse nuk po i hiqen masat ndëshkuese Kosovës

Nga: M.Lakna Më: 10 nëntor 2023 Në ora: 12:10
Foto ilustrim

Që nga qershori i këtij viti, Kosova vazhdon të jetë nën masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, të cilat iu vendosën pas trazirave që u shkaktuan në 4 komunat e veriut për shkak të fillimit të punës së kryetarëve të zgjedhur më 23 prill.

E hapat që i ndërmori shteti ynë për de-përshkallëzimin e situatës në veri të vendit, nuk po vlerësohen si të mjaftueshëm për heqjen e masave nga vendet anëtare të BE-së.

Në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, Zoï MULETIER zëdhënëse e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, tha se Kosova ka ndërmarr hapa në drejtim të duhur për de-përshkallëzim, por që ende ka punë për të bërë.

Kjo është theksuar edhe në Raportin e Progresit për Kosovën që u publikua të mërkurën.

“Do t'ju referonim në raportin e publikuar dje, ku thuhet qartë se

“Për shkak të mungesës së hapave vendimtarë për deeskalim dhe në përputhje me deklaratën e 3 qershorit, BE-ja po zbaton një sërë masash ndaj Kosovës, të cilat ndikojnë edhe në mbështetjen financiare. Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme, në varësi të hapave të ndërmarra për de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës. Kosova ka ndërmarrë hapa në drejtimin e duhur, por mbetet ende për të bërë”, thuhet në përgjigjen e BE-së për gazetën “Bota sot”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit që pati më 26 qershor me udhëheqësit evropian në Bruksel, tha se është i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si dhe draftin e ofruar nga diplomatët perëndimorë për themelimin e Asociacionit, por se pala tjetër nuk është.

"Presidenti i Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore, me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor, 2023", thuhet në komunikatën e lëshuar më 26 tetor nga Qeveria e Kosovës.

Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të BE-së pavarësisht sulmit terrorist të 24 shtatorit, kur Policia u sulmua nga grupe të armatosura serbësh nga të cilët mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Ndërkaq, përveç një rezolute të miratuar nga Parlamenti Evropian, ndaj Serbisë ende nuk është ndërmarr asnjë masë ndëshkuese si përgjegjëse për këtë sulm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat