Raporti i Progresit/ Deputetët flasin për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës – kjo është thirrja urgjente për ndërkombëtarët!

Politika

Raporti i Progresit/ Deputetët flasin për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës – kjo është thirrja urgjente për ndërkombëtarët!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 14 nëntor 2023 Në ora: 11:48
Banjska pas 24 shtatorit

Raporti i Progresit, vizita e emisarit të BE-së, Mirosllav Lajçak në Kosovë si dhe pjesëmarrja e kryeministrit, Albin Kurti në Forumin e Paqes në Francë, ishin ndër ngjarjet kryesore të javës që e lamë pas. 

Edhe këtë viti Raporti i Progresit nuk është që pati fjalë të mira për Kosovën.  Masat ndëshkuese ndaj Kosovës as që pritet të largohen pasi sipas raportit, Kosova ka ende punë për të bërë. 

"Për shkak të mungesës së hapave vendimtarë për të de-përshkallëzuar, dhe në përputhje me deklaratën e 3 qershorit, BE-ja po zbaton një sërë masash përballë Kosovës, të cilat gjithashtu ndikojnë në mbështetjen financiare. Këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme, në varësi të hapave të ndërmarra për de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës. Kosova ka ndërmarrë hapa në drejtimin e duhur, por mbetet ende për të bërë.” – thuhet në Raportin e Progresit. 

Gjithashtu, në raport u përmenden edhe sulmet e linçimet ndaj gazetarëve si dhe rasti “Klan Kosova”. 

Këto masa ndëshkuese po vazhdojnë të jenë në fuqi ani pse Serbia është ajo e cila do të duhej të ndëshkohej. 

Mirëpo çka konkretisht po i kërkohet Kosovës pwr heqjen e masave? 

Batusha: Serbia po vazhdon të ketë trajtim më të veçantë, më të papenguar dhe më ledhatues 

Image
Agon Batusha

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur deputeti nga radhët e LVV, Agon Batusha. 

Ai u shpreh se Kosova është në rrugën e e duhur për të avancuar në transpozimin e legjislacionit të BE-së. 

“Kosova ka shënuar përparim në disa fusha dhe jemi në rrugën e duhur për të avancuar më tutje në transpozimin e legjislacionit të BE-së. Natyrisht kemi ende punë për të bërë, si institucione dhe qytetarë, për të zbatuar në praktikë ligjet që miratojmë”, u shpreh ai. 

Më tej, deputeti thekson që masat janë ende në fuqi për arsye politike. 

“Kosova është shteti më demokratik sipas gjitha matjeve që janë bërë nga institute të rëndësishme ndërkombëtare. Por, masat janë ende në fuqi për arsye politike, pa ndonjë bazë të mirëfilltë dhe në shpërputhje me praktikat e BE-së. Kërkesat dhe dakordimin e arritur në Bratisllavë ne i kemi realizuar, andaj mbetet BE-së të tregoj seriozitetin e saj dhe t’i heqë masat e padrejta ndaj Kosovës”, shpjegon deputeti. 

Ndër të tjera, Batusha thotë që Serbia po vazhdon të jetë e ledhatuar nga ndërkombëtarët. 

“Serbia po vazhdon të ketë trajtim më të veçantë, më të papenguar dhe më ledhatues. Kjo shihet edhe në vetë Raportin për Serbinë. Sado që mendoj që ne duhet të kryejmë detyrat tona, është e pashmangshme krahasimi i qasjes ndërmjet nesh dhe fqinjëve sepse aty shohim trajtimin jo të barabartë dhe madje mbështetje të sforcuar për një shtet që në vetë Raportet e BE-së shihet që po shkel një mori rregullash demokratike, mbi gjitha vepron mbi praktika që bien në kundërshtim me vlerat evropiane”, nënvizoi Batusha për “Bota sot”. 

Krasniqi: Qeveria Kurti ka dështuar në të përmbushë premtimet e saj 

Rrezarta Krasniqi nga LDK, për këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka kritikuar Qeverinë, duke theksuar që ka ekonomia ka pësuar rënie dhe se në fushën e luftës kundër korrupsionit, është theksuar se edhe pse ka pasur përpjekje, nuk janë arritur rezultate të dëshiruara. 

Image
Rrezarta Krasniqi

“Raporti i fundit për vendin tregon një realitet të hidhur. Në vend që të shohim përparim dhe zhvillim, ne përballemi me një rënie të thellë. Ekonomia jonë është në rënie, papunësia është në nivele të larta, dhe standardi i jetës së qytetarëve tanë po bie.  Qeveria Kurti ka dështuar në të përmbushë premtimet e saj. Ata kanë braktisur qëllimet e tyre për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe kanë harruar se janë zgjedhur për të shërbyer popullin. Në vend që të punojnë për të zgjidhur problemet dhe për të ndihmuar në rritjen e vendit tonë, ata janë përqendruar në interesat e tyre personale dhe të ngushta. 

Këtë e konstaton edhe Raporti për vendin për vitin 2023, i cili ka nxjerrë në sipërfaqe një të vërtetë të hidhur, që partia në pushtet përmes aparatit propagandues ka manipuluar vazhdimisht qytetarët e vendit, për zhvillim dhe avancim, ndërkohë që sipas konstatimeve të këtij Raporti situata e vendit është e ndërlikuar. Raporti vë në dukje se “përparim i kufizuar” është arritur në disa aspekte kyçe: 

Në fushën e luftës kundër korrupsionit, funksionimit të gjyqësorit, dhe luftës kundër krimit të organizuar, është theksuar se edhe pse ka pasur përpjekje, nuk janë arritur rezultate të dëshiruara, që nënkupton dështimin e kësaj qeverie. Raporti shënon se administrata publike nuk është reformuar, dhe nuk është arritur asnjë përparim në këtë fushë. 

Ani se partia në pushtet ka shumicën e numrave, Raporti ka identifikuar se është bërë pengimi i punës së Kuvendit të Kosovës si pasojë e mungesës së kuorumit. Pra, mazhoranca ka bllokuar punën e Kuvendit”, shpjegon deputetja. 

Deputetja më tej përmend edhe fushën e lirë të mediave duke thënë që këtë pjesë Qeveria e ka shpërfillur. 

“Në fushën e lirisë së mediave, raporti përmend sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve, problemet me financim të mediave që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve të interesave politike. Ndërkohë që qeveria vazhdimisht e ka shpërfillur këtë situatë, duke e injoruar punën e mediave, për me keq në disa raste edhe ka nxitur gjuhë fyese e denigruese ndaj gazetarëve. 

Këto konstatime tregojnë se Kosova po ballafaqohet me sfida dhe ngecje të shumta në rrugën e saj drejt reformave dhe përparimit, dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që të merren masa të menjëhershme për të adresuar këto çështje dhe për të ndihmuar në përmirësimin e gjendjes në vend”, thekson ajo. 

Po ashtu, deputetja foli edhe për rastin e 24 shtatorit, duke theksuar që në raport me Serbinë, Kosova është viktimë dhe se në këto situata vendi duhet të jetë unik mes veti. 

“Ne nuk mund të konstatojmë një gjë të tillë, megjithatë konform situatës së krijuar në raport me shtetin fqinjë, Kosova duhet të trajtohet si viktimë, në kontekst të asaj se kishte pasur ndërhyrje të armatosur nga grupet terroriste brenda territorit të Republikës së Kosovës me qëllim të eskalimit të situatës, ku për pasojë u vra edhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku dhe për këtë arsye, BE-ja do duhej të vendoste sanksione ndaj Serbisë, sepse njeriu që mori përsipër përgjegjësinë e sulmit terrorist, Milan Radojcic njihet për afërsi edhe me Presidentin serb Aleksandër Vuçiq 

Pavarësisht pozicioneve politike, kur është në pyetje interesi i vendit e kemi për obligim që të jemi unik në këtë pjesë dhe nga pikëpamja ime Kosova nuk ka çfarë të bëjë tjetër për heqjen e masave të vëna nga BE-ja, por gjithsesi ajo që duhet trajtuar me kujdes janë raportet dhe nuk duhet të mungojë koordinimi për asnjë moment me BE-në dhe SHBA-në, aleatët tanë. Sepse pa ta nuk mund të veprohet dhe të ecet tutje”, foli Krasniqi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat